Salihi mungon edhe ndaj Kukësit, Berisha: Ja kush vendos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2016 | 15:19

Salihi mungon edhe ndaj Kukësit, Berisha: Ja kush vendos

Hamdi Salihi do të jetë mungesa e madhe e Skënderbeut në transfertën kundër Kukësit. Sulmuesi shkodran vazhdon të kryejë terapi në një prej klinikave të Athinës dhe ka njoftuar klubin se e ka të pamundur për të qenë i gatshëm të dielën.berisha Nga ana tjetër, edhe kapiteni Bledi Shkëmbi vështirë se mund të grumbullohet për këtë takim pas dëmtimit që pësoi javën e kaluar. Skënderbeu ka zhvilluar dje seancën e radhës në Durrës, aty ku nën drejtimin e Josës është provuar formacioni që pritet të zbresë në fushë nga minuta e parë.

Pas analizës që ka zgjatur rreth 10 minuta, seanca ka vijuar normalisht dhe trajneri ka provuar skema të ndryshme të vendosjes së ekipit në kushtet e epërsisë numerike kur sulmon portën kundërshtare, por edhe në kushte kur ndodhet në inferioritet në prapavijë.

Duket qartazi se Josa kërkon të përgatisë ekipin e vet edhe me shpejtësinë e sulmeve të Kukësit, duke e vënë kështu para përgjegjësisë repartin e mbrojtjes. Sipas të gjitha gjasave do të luajnë 11 lojtarët që mposhtën Vllazninë.

Deklarata – I fokusuar te ndeshja e radhës me ekipin e tij Anzhi, zhvilluar dje kundër Rostov për kampionatin rus, Bernard Berisha kthen pak kokën pas dhe mendon për ndeshjen mes Skënderbeut dhe Kukësit.

Në sezonin e kaluar në “Zeqir Ymeri”, ky takim në njëfarë mënyre e ka parë Berishën si aktorin kryesor të asaj fitoreje që vulosi titullin e pestë radhazi të Skënderbeut. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, dje Berisha ka dhënë mendimin e tij për takimin e kësaj jave të ish-ekipit në transfertën e Kukësit.

Ai nuk ngurron të parashikojë se cili do të jetë lojtari që mund të vendosë këtë takim. “Skënderbeu vijon të komandojë kampionatin dhe normalisht një gjë e tillë më vjen mirë që e dëgjoj.

Ndeshja kundër Kukësit është një kyçe për titullin dhe besoj se Skënderbeu i ka të gjitha mundësitë për të fituar dhe për të ecur drejt trofeut të gjashtë radhazi.

Ndeshja e fundit që mbaj mend në Kukës ka qenë ajo e sezonit të kaluar, që ishte shumë e veçantë për ne, pasi arritëm të preknim titullin me tri pikët që morëm. Jam i mendimit se ai që do të vendosë këtë ndeshje do të jetë Latifi, një lojtar që mund të bëjë diferencën në çdo moment. Di që po kalon një formë të mirë dhe jam i bindur se do të shënoj”, deklaroi Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"