Shala reagon pas akuzave të Fidel Yllit: Unë vesh fustan, por jam burrneshë dhe e sfidoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2016 | 16:00

Shala reagon pas akuzave të Fidel Yllit: Unë vesh fustan, por jam burrneshë dhe e sfidoj

E vendosur dhe sfiduese. Klodiana Shala u vu në shënjestër të deputetit të PSsë dhe njërit prej hartuesve të programit të sportit të “Rilindjes”, Fidel Ylli, të hënën në mbrëmje në emisionin “Procesi Sportiv” në “Top Channel”.

ylli shalaIsh-drejtoresha e Agjencisë së Sporteve deri në 2013- ën u akuzua nga Ylli si përfituese e 520 milionë lekëve për ndërtimin e dy palestrave poshtë stadiumit “Qemal Stafa”, në një kohë që dihej se impianti kombëtar do të prishej. Ndër të tjera, deputeti i Partisë Socialiste e konsideroi Shalën si topmodele.

Shala

Në një reagim për gazetën “Panorama Sport”, Shala sfidon Yllin që të nxjerrë faktet në lidhje me akuzën. “Le t’i nxjerrë faktet nëse i ka dhe le të më ndjekë penalisht. Nuk e di çfarë ka ngatërruar ai, pasi nuk e kam ndjekur emisionin. Ne si Agjenci e Sportit kemi qëndruar vetëm një muaj te stadiumi ‘Qemal Stafa’ dhe më pas kemi kaluar te kompleksi ‘Dinamo’ për tre vite. Nëse ka fakte, le t’i nxjerrë. Po t’i ketë firmosur Fideli, nuk e di unë përse e ka fjalën.

klodiana shalaDestinacioni ynë ka qenë kompleksi ‘Dinamo’. Unë kam bërë projektin dhe për atë kompleks që po bëhet aty iniciativa është e imja. Këtë mund të thotë ai. Këtë projekt të kompleksit sportiv që po ndërtohet tani te ‘Dinamo’ e kam bërë unë dhe po e konkretizojnë këta. Nëse e ka fjalën për këtë projekt dhe unë kam bërë gabim që e kam realizuar këtë, nuk di çfarë të them. Për sa u përket akuzave në lidhje me palestrat në stadiumin ‘Qemal Stafa’, le t’i nxjerrë faktet”, shprehet fillimisht në reagimin e saj Klodiana Shala në lidhje me akuzën për palestrat poshtë stadiumit “Qemal Stafa”.

Topmodele

Topmodele ishte epiteti që deputeti Ylli vendosi përpara emrit të Klodiana Shalës gjatë akuzave të tij në emisionin e së hënës. Ishatletja njihet për trupin e saj të rregullt e tërheqës dhe këtë anë të fortë të saj e shfaq gjithmonë në daljet publike. Epitetin e deputetit të PS-së e merr si kompliment. “Besoj se e ka pasur për kompliment atë. Nëse do ta kishte ndryshe, mund të ma thoshte ballë për ballë, pasi i kam qejf këto takimet. Unë jam femër me fustan, por jam burrneshë.

Nuk e di se çfarë ka dashur të tregojë me këtë! Tani është deputet dhe i lejohet të thotë çdo gjë. Megjithatë, në fund të ditës, nuk më intereson shumë se çfarë thotë ai për mua. Ajo që është më e rëndësishme në këtë histori ka të bëjë me çështjen e palestrave. Në lidhje me akuzat që më bën, i vetmi projekt që kam bërë është ai i kompleksit ‘Dinamo’, të cilin këta tani po e zbatojnë duke e ndërtuar. Unë e kam nisur atë.

Është marrë me vendim të Këshillit të Ministrave në atë kohë nga kryeministri Sali Berisha. Me iniciativën time, për të mos u ndërtuar pesë pallate, por për të mbetur kompleks ashtu siç është tani. Nëse ka diçka në lidhje me këtë kompleks, hajde të flasim dhe të diskutojmë”, përfundon prononcimin e saj ish-Drejtoresha e Agjencisë së Sportit, Klodiana Shala. Edhe më parë, ish-atletja, që ka kandiduar për deputete të Partisë Demokratike, është sulmuar nga njerëz të sportit.

Përgatiti: Besar Bozgo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"