Shiten futbollistë “me kile”…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2016 | 12:28

Shiten futbollistë “me kile”…

fation

Nga FATION SHEHU

I njëjti muaj, e njëjta modë. Janari i menaxherëve dhe futbollistëve të papunë. Pikërisht në janar, pothuajse të gjitha dyqanet e veshjeve në Europë kanë javën e uljeve. Çdo produkt kushton nga 30-70 për qind më lirë.

Aq e leverdishme është, sa klientët shtyhen, zhyten nëpër stoqe, zgjedhin dhe blejnë edhe pa i provuar veshjet. Fundja, i marrin shumë lirë, diçka që më parë duhet të përtypeshin mirë për t’i blerë. Në fakt, një sinonim i ngjashëm dhe i deformuar ndodh çdo muaj janar në tregun e futbollistëve në Shqipëri.

Klubet hidhen në sulm nëpër stoqet e huaja dhe blejnë e sjellin lojtarë nga më të ndryshmit. Të gjatë e të shkurtër, me pseudonime apo shtatë emra, vijnë dhe cilë- sohen si “rilindës” të futbollit tonë. Vijnë dhe shpresohet që do bëjnë diferencën, duke bërë magji mbase edhe në renditje.

Po si mund të pretendosh që të blesh një bluzë “Versace” apo “Armani” në tregun kinez?! Si mund të pretendosh që mund të dukesh bukur me një bluzë që as nuk e ke parë si duhet, por thjesht i di ngjyrën?! Një modë e çuditshme që ndodh vetëm në Shqipëri. Janari i menaxherëve, të cilët mundohen të fitojnë me meritë nga dëshira e presidentëve pa eksperiencë, që të bëjnë revolucion në mes të sezonit.

Ajo që e bën akoma më të çuditshme sjelljen e klubeve vjen pikërisht nga deklaratat e presidentëve përgjatë sezonit: “Skënderbeu është një hap para ekipeve të tjera, sepse ka një ekip të konsoliduar, pasi nuk ka bërë shumë ndryshime”.

Deklarata që nevojiten sa për të qenë i logjikshëm në media, pasi më vonë vjen sërish janari i “uljeve”, ku largojnë gjysmën e lojtarëve. Këtë fundjavë rifilloi kampionati dhe ajo që i bën të gjithë kureshtarë nuk është vetëm rivaliteti, por të shikojnë përforcimet e janarit.

Tifozë që pyesin njëri-tjetrin: “A e ke parë të huajin që ka ardhur? Si të duket?”. Dhe, në fund, në shumicën e rasteve, përveç përmendjes së emrit në media gjatë prezantimit, këta “margaritarë” të peshkuar në dete të përhumbura, largohen pa bujë, por me mijëra euro më shumë në xhep. Pazari i muajit janar ka qenë shumë rrallë efikas për dy arsye shumë të qarta:

1- Vijnë futbollistë që nuk kanë ekip, pra janë larguar prej diku si të padobishëm në mes të sezonit, ose nuk kanë arritur as të gjejnë skuadër.

2- Vijnë futbollistë me probleme fizike, pasi vështirë të kenë luajtur sistematikisht në ekipin paraardhës. Derisa të arrijnë formën e tyre optimale, kampionati do jetë në javët e tij të fundit. Një janar që e shndërron Kategorinë Superiore në zyrë punësimi për brazilianët, serbët, kroatët e çdo kombësi tjetër, që për klubet shqiptare është e pranueshme për t’u quajtur “goditje në merkato”.

Në fakt, risia e këtij janari, të 2016-ës, ka lidhje edhe me vetë prezantimet. “Zbulimet e mëdha” apo “goditjet e bujshme” nuk paraqiten në konferencë shtypi para medias apo tifozëve, por thjesht zyrtarizohen me një foto me shall në “Facebook”.

Mbase nuk është edhe aq skandal, pasi ata lojtarë nuk kanë shumë për të thënë, ose më saktë, po të flisnin do prishnin “aureolën false” që qëndron mbi ta. Fundja, çfarë do thonë kur të prezantohen?! Ata janë blerë në treg “me kile”…

Pa provë, pa garanci, pa sukses. Kanë qenë porosi sipas nevojave: Më bëj 10 kilogramë brazilianë për sulmin, 20 kilogramë argjentinas për mesfushën dhe kusurin ma bëj portierë. Një tjetër janar i mbushur me përforcime jashtë normales në Shqipëri.

Afrime pa fund… Pothuajse të gjithë për shkak të uljeve të çmimit të “kilogramit”, sesa prej cilësive…Dhe, për shkak të çmimit të leverdishëm të të huajve, e pësojnë talentet shqiptare. E ardhmja e futbollit tonë.

Ata që kanë potencial për një të ardhme të suksesshme, por që largohen apo nuk gjejnë hapësira sepse ka ardhur “njëri nga jashtë shtetit”. 18- vjeçarë që mësojnë më herët sesa duhet që meritokracia nuk mbizotëron gjithnjë. Adoleshentë të talentuar që demoralizohen dhe mendojnë fundin e karrierës pa e nisur ende atë, për shkak se drejtuesit e klubeve shqiptare duan të rregullojnë statistikat e papunësisë në Amerikën e Jugut apo Afrikë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"