Shkelma dhe ofendime, ja ç’ndodh në stërvitjen e të kuqve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2016 | 18:22

Shkelma dhe ofendime, ja ç’ndodh në stërvitjen e të kuqve

Humori u ka lënë vendin ofendimeve, ndërsa “fair-play” u ka lënë vendin shkelmave.

trashiBritma në drejtim të arbitrit (rol që mbulohet nga përgatitësi atletik Kristiano Xhanoti), duar të padhëna në momentin kur një nga shokët e skuadrës rrëzohet, por edhe ofendime nga ato që mund të jenë në denja në rrugë, por jo për një skuadër futbolli. Kjo është ajo që konstaton lehtësisht në atë që mund të quhet ndeshje kontrolli në stërvitjen e Partizanit.

Ndryshe nga gjysma e parë e kampionatit, lojtarët e kuq duken të tjetërsuar. Gara për një vend në formacion është bërë shumë e ashpër dhe në këtë ashpërsi ndikojnë edhe ata që janë ende në provë dhe kanë nevojë për një përgjigje pozitive për të siguruar një vend në skuadër. Natyrisht, nuk mungojnë pakënaqësitë dhe tensioni edhe nga të rinjtë. Dhe të gjitha këto ndodhin nën sytë e trajnerit italian, Andrea Agostineli, i cili ndoshta ende nuk e ka kuptuar mentalitetin e skuadrës që drejton, ose thjesht nuk e ka në zotërim atë.

Partizani duket i tjetërsuar dhe pjesën e parë të ndeshjes së kontrollit trajneri e mbyll para kohe, ndoshta edhe i detyruar nga një përplasje që Mazrekaj ka pasur me një nga mbrojtësit “kundërshtarë”.

“Nëse do të luanim kështu edhe në kampionat, nuk do ta diskutonim fitimin e tij”, shprehet jo pa shumë mllef mesfushori, i cili sapo ka marrë një bërryl në fytyrë dhe del nga fusha, duke refuzuar edhe marrjen e ndihmës mjekësore. Në një tjetër rast, Agostineli ndërhyn, duke kërkuar kuptimin e një ofendimi në shqip, ku i vetmi që mund ta kuptojë dhe t’ia sqarojë është ndihmësi i tij, Dalipi, i vetmi në staf që kupton mjaft mirë çfarë thuhet në fushë.

Në fund të stërvitjes ka edhe një mbledhje, ku italiani kërkon më shumë bashkëpunim dhe përqendrim, ndërsa dalja nga fusha e lojtarëve është me kokën poshtë, pa shumë qejf, nëse mund ta themi kështu. Në të njëjtën situatë është edhe gjendja e trajnerit italian që del i shoqëruar nga drejtori Dervishi.

Gjithsesi, ajo që duket qartë është fakti se të kuqtë e kanë humbur harmoninë dhe një gjë të tillë e kuptojnë edhe tifozët e pranishëm, të cilët kërkojnë nga skuadra më shumë bashkëpunim, i cili ende nuk dihet se kur do të vijë.

Përgatitjet

Partizani do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme përgatitjet për takimin ndaj Laçit, që do të luhet të shtunën, në orën 17:00, në stadiumin “Qemal Stafa”. Nesër trajneri Agostineli do të përcaktojë edhe formacionin që do të hedhë në fushë nga minuta e parë në këtë përballje mjaft delikate. Dilemat më të mëdha për trajnerin vazhdojnë të jenë në repartin e avancuar, ku në mungesë të Sukajt mund të aktivizohet dyshja Raçiç-Vila.

Biletat

Duke nisur nga dita e sotme të gjithë tifozët e kuq do të kenë mundësi që të pajisen me biletë për ndeshjen ndaj kurbinasve, pasi ato do të dalin në shitje te pika e 9-katësheve. Klubi ka vendosur që një biletë për në tribunën qendrore të kushtojë 5 mijë lekë të vjetër, ndërsa tribunat përballë 2 mijë lekë të vjetër. Hyrja në tribunat përballë për femrat është vendosur që të jetë pa pagesë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"