Shqipëri-Serbi, zbardhen urdhrat e UEFA-s për sigurinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2015 | 12:05

Shqipëri-Serbi, zbardhen urdhrat e UEFA-s për sigurinë

SERBIShqipëri-Serbi, zbardhen urdhrat e UEFA-s për sigurinë

Snajperë dhe helikopterë, ja “urdhrat” e UEFA-s për ndeshjen me Serbinë

Çdo tifoz që do të mundohet të sh kaktojë edhe incidentin më të vogël, apo edhe do të japë shenja të ndonjë problemi të mundshëm, nxirreni direkt jashtë stadiumit. Mos i jepni shpjegimin më të vogël, qoftë ai shqiptar apo serb. Tolerimi duhet të jetë zero në këto raste dhe nuk duhet të bëni diferencime”. Ka qenë kjo porosia e shkurtër me të cilën i është drejtuar përfaqësuesi i lartë i UEFA-s, Kenet (Keni) Skot, drejtuesit të policisë shqiptare dhe përfaqësuesit të stjuardëve gjatë vizitës së para dy ditëve në “Elbasan Arena”, ku prezentë ishin edhe zyrtarë të FSHF-së që e shoqëronin atë. Burime të besueshme të “Panorama Sport” e konfirmojnë këtë gjë, teksa Skot ua ka bërë të qartë që, për gjënë më të vogël, do të mbajë përgjegjësi pala shqiptare si organizatore e ndeshjes Shqipëri-Serbi që do të luhet më 8 tetor. Skot, pasi ka mbetur i kënaqur nga gjendja e stadiumit gjatë inspektimit që i ka bërë, nuk ka folur shumë, por është mjaftuar vetëm me këtë porosi të rëndësishme për palën shqiptare.

Ballkonet

Burime të gazetës pohojnë se mundësia më e madhe është që banorët, të cilët posedojnë një shtëpi në pallatet pranë stadiumit dhe që nuk përbëjnë asnjë rrezik për mbarëvajtjen e ndeshjes, do të lejohen që të jenë në ballkonet e tyre, edhe pse zyrtarisht ende nuk është marrë një vendim i tillë. Por, për tifozët apo të afërmit nuk do të lejohet dhe, për këtë arsye, në portat hyrëse të pallateve do të jenë punonjës të policisë, të cilët do të bëjnë edhe verifikimet për këto raste. Megjithatë, përgjegjësia e atyre që do ta ndjekin ndeshjen në ballkonet e shtëpive të tyre do të jetë vërtet e madhe, pasi do të jenë në survejim të madh edhe nga snajperët që do të qëndrojnë te pallatet dhe zonat e ngritura pranë stadiumit. Për ta do të ndiqen po të njëjtat rregulla sikur të jenë në ndenjëset e “Elbasan Arena”-s, çka do të thotë: nëse vihet re edhe dyshimi më i vogël, do të largohen nga ballkonet dhe mund të nxirren jashtë nga shtëpia e tyre. Për sa i përket sigurisë, më parë është hedhur edhe ideja që në çdo ballkon të qëndronte një punonjës policie, por kjo hipotezë më- sohet se është hedhur poshtë, pasi shkel rëndë privatësinë e qytetarëve. Ndërkaq, burime pranë policisë konfirmuan dje se do të jenë 5 snajperë, nga një për çdo pallat afër stadiumit dhe një helikopter që do të monitorojë ndeshjen nga ajri gjatë gjithë kohës.

Ndalohet “Autochtonous”

Do të ndalohet rreptësisht edhe fanella me mbishkrimin “autochtonous”, por më së shumti kjo është një porosi e FSHF-së kundrejt forcave të rendit. Një gjë e tillë ndodhi edhe në ndeshjen kundër Portugalisë. Sa i përket gjendjes së infrastrukturës, në stadium janë duke vijuar punimet për përfundimin e pistës së tartanit dhe, duke parë ritmin e kohëve të fundit, mendohet se ajo do të jetë plotësisht gati për ndeshjen me Serbinë. Kështu, pritet që ky impiant të marrë një tjetër pamje për këtë përballje, ku siç dihet sytë e gjithë shqiptarëve do të jenë të fokusuar te këto 90 minuta që mund të na sigurojnë ëndrrën europiane.

“FSHF na urdhëron për heqjen e banerave dhe simboleve”

Policia dhe tifozët janë kthyer në një çështje në këtë fillimsezoni për shkak të përplasjeve të shumta mes tyre. Thuajse çdo javë krijohen incidente dhe tifozët ankohen për dhunë dhe sjellje jo normale nga ana e forcave të rendit. Rasti më i fundit është ai që ndodhi në Pukë pas ndeshjes Tërbuni-Partizani, ku tifozët e kuq pretenduan se iu gris baneri nga forcat e rendit. Në lidhje me këtë çështje ka reaguar dje drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka. Në një prononcim në emisionin “Rubrika Sportive” në TVSH, ai u shpreh: “Perceptimi i tifozëve se ka një sjellje të gabuar të forcave të rendit ndaj tyre është i gabuar. Nuk është policia ajo që merr vendime në lidhje me banesat dhe simbolet që duan të shpalosin tifozët, por ajo vetëm zbaton udhëzimet dhe vendimet e përfaqësuesit të FSHF-së. Është pikërisht ai që thotë se cila banderolë duhet të hyjë ose jo në stadium dhe policia vetëm zbaton udhëzimet. Ne nuk duhej të ishim fare në shkallët e stadiumit, ashtu siç ndodh në të gjithë botën. Edhe forcat e rendit që qëndrojnë në pistë, ata thjesht ndihmojnë kolegët e tyre për të identifikuar personat e dhunshëm që bëjnë akte apo hedhin sende në fushë. Për sa i përket banerit në Pukë, edhe nga pamjet filmike, nuk rezulton që polici ta ketë grisur atë. Tifozët duhet të jenë bashkëpunues me ne, ashtu siç bën policia me ta. Ky nuk është një tubim ku hidhen parulla dhe kundërparulla. Në stadium tifozët shkojnë për të ndjekur ekipin e zemrës dhe për ta mbështetur atë. Janë shumë punonjës policie të ndëshkuar me mënyra të ndryshme për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në stadiumet tona. Është bërë gati një projektligj dhe është dorëzuar në institucionet përkatëse ku forcat e rendit të paguhen për orët shtesë në shërbimet që bëjnë ndaj të tretëve”, thotë Loka.

Ankesa për Ballshin

“I kemi dërguar letra periodike në FSHF në lidhje me kushtet e stadiumit. Policët kanë qenë jashtë stadiumit në ndeshjen BylisiSkënderbeu, të gatshëm për të ndërhyrë nëse do të ndodhte ndonjë gjë. Policia nuk është lajmëruar 48 orë përpara për këtë ndeshje. Megjithatë, janë një sërë kushtet që duhet të plotësojnë këto ambiente sportive. Duhet të ketë një dhomë për forcat e rendit, një qendër zëri për t’u bërë thirrje tifozëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos hedhin sende të forta në fushë. Ne nuk kërkojmë stadiume moderne në çdo qytet siç është ‘Elbasan Arena’. Por, FSHF deklaron se janë plotësuar kushtet në shumë raste, në një kohë që nuk janë ato që kërkohen. Nuk është Policia e Shtetit ajo që merr përsipër kontrollin e tifozëve që hyjnë në stadium apo të garantojë sigurinë brenda fushës. Këto realizohen nga agjenci të specializuara siç ndodh në rastet e ndeshjeve të Kombëtares”.

Simbolet

Drejtuesi i lartë i policisë vazhdon më tej duke folur për masat që do të merren në lidhje me ndeshjen ndaj Serbisë që do të luhet më 8 tetor. “Nuk është Policia e Shtetit ajo që përcakton se çfarë përbën provokim dhe çfarë jo. Apo çfarë fanellash me simbole veshin tifozët. Është FSHF apo UEFA, në rastin konkret kjo e fundit, pasi ndeshja me Serbinë është ndërkombëtare që jep udhëzime. Ne si Polici e Shtetit vetëm zbarojmë urdhrat që japin ata. U kërkojmë tifozëve që do të jenë të pranishëm në ndeshjen me Serbinë, kryesisht tifogrupeve që të respektojnë rregullat dhe të ketë një bashkëpunim të mirë me forcat e rendit. Sipas informacioneve që kemi marrë nga përfaqësuesit e FSHF-së, në çdo stol do të ketë një qeleshe, një shall dhe një flamur shqiptar. Tifozët do t’i gjejnë simbolet aty dhe nuk është e nevojshme që të marrin të tjera me vete. Nuk do të lejohen ato simbole që janë ndaluar gjithmonë. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për zhvillimin e një ndeshjeje model ndaj Serbisë në ‘Elbasan Arena’. Ne kemi bërë një test në ndeshjen me Portugalinë për masat që do të marrim për sfidën ndaj Serbisë. Kemi nxjerrë mangësitë se çfarë nuk funksionoi shumë mirë në atë takim për t’i korrigjuar. Luan Shqipëria dhe, në këtë mënyrë, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve. Kërkojmë mirëkuptimin e shoqatave të tifozëve, pasi duhet të jenë pikërisht ata që do ta mbështesin Kombëtaren. Drejtuesit e UEFA-s e kanë me shumë merak këtë ndeshje dhe kanë zhvilluar takime me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit”.

Infiltrimi i tifozëve serbë

I pyetur nëse ka rrezik të ketë infiltrim të tifozëve serbë në stadium, Loka përgjigjet: “Këto janë në kuadër të thashethemnajave shqiptare, si gjithmonë në Shqipëri. Nuk kemi deri në këto momente asnjë informacion të tillë. Duke qenë se biletat do të jenë të personalizuara, kemi mundësi që të kontrollojmë çdo qytetar që do të jetë i pranishëm atë ditë në ‘Elbasan Arena’. Në këtë mënyrë, Policia e Shtetit ka të identifikuar çdo qytetar që do jetë atë ditë në stadium”. Është e vërtetë që 40% e biletave i janë dhënë policisë dhe SHISH për të qenë në stadium dhe për të garantuar më shumë siguri? “Do të ishte shumë mirë dhe njëlloj shpërblimi për Policinë e Shtetit për punën e saj në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, por një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Çdo qytetar, që ka apartamentin në pallatet rreth stadiumit, do të mbajë përgjegjësi për atë çfarë mund të ndodhë në shtëpinë e tij. Gjithsecili do të jetë nën një monitorim të rreptë nga forcat e rendit. Do të lejohen vetëm pjesëtarët që jetojnë në ato apartamente dhe asnjë tjetër”, përfundon prononcimin e tij drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"