Sirena turke për Mavrajn, e piketojnë Trabzonspor e Bursaspor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2016 | 9:25

Sirena turke për Mavrajn, e piketojnë Trabzonspor e Bursaspor

Ndeshjet miqësore të Kombëtares kanë shërbyer jo vetëm që De Biazi të ndjekë nga afër lojtarët kuqezi, por që ata të kenë mundësinë edhe të tregojnë veten e tyre për menaxherë dhe vëzhgues të ndryshëm.mavraj Shumë “skautë” kanë qenë në stadium për ndeshjen e parë miqësore të Shqipërisë në Austri.

Mërgim Mavraj nuk ka marrë vetëm vëmendjen e Mynshen 1860, që është duke diskutuar mbijetesën në Bundesligën e dytë, por edhe nga skuadra të tjera.

Sirena turke kanë rënë për qendërmbrojtësin. Mediat turke raportojnë se Bursaspor dhe Trabzonspor e kanë piketuar mbrojtësin e Këlnit për ta tentuar në fund të këtij sezoni, atëherë kur edhe do të rihapet merkato e transferimeve. Në Turqi, mbrojtësit qendrorë që mund të luajnë në të majtë janë “me pikatore”, ndaj edhe Mavraj shihet si një futbollist i denjë për këtë rol.

Një nga shtyllat e mbrojtjes në Kombëtare shihet si shpëtim për ekipet turke. Media të ndryshme kanë bërë me dije se në stadium, aty ku Shqipëria u mund ndaj Austrisë, ka pasur një sërë vëzhguesish të klubeve të ndryshme për të pikasur lojtarë të vlefshëm. Në qendër të vëmendjes ka qenë edhe mbrojtësi i Këlnit.

Dëmtimi

Mërgim Mavraj nuk ishte i gatshëm për trajnerin De Biazi në ndeshjen e dytë miqësore me Luksemburgun për shkak të një shqetësimi muskulor.

Burime pranë ekipit kombëtar për gazetën “Panorama Sport” kanë bërë me dije se mbrojtësi vuan “bllokim të kolonës vertebrale”. Ky është termi shkencor dhe mjekësor i shqetësimit të Mavrajt, ndërkohë që thënë më thjesht ai ka probleme muskulore në shpinë.

Nga sa mësohet, kjo gjë i është shkaktuar nga terreni ku Kombëtarja ka kryer seancat stërvitore në Durrës. Duke qenë pjesë e skuadrave të ndryshme, sa herë ka pasur grumbullime të Kombëtares, lojtarë të ndryshëm kuqezi kanë vuajtur lëndime dhe dëmtime muskulore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"