Skandal në Pukë, autoambulancën e ndez zjarrfikësja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2015 | 14:33

Skandal në Pukë, autoambulancën e ndez zjarrfikësja

UntitledSkandal në stadiumin e Pukës me ndihmën e shpejtë. Autoambulanca nuk ndizet, në një kohë që kërkohet ndihma e zjarrfikëses për ta shtyrë dhe për të transportuar drejt spitalit futbollistin. Kjo situatë tragjikomike ka ndodhur gjatë ndeshjes së djeshme mes Tërbunit dhe Teutës në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës. Kur luhej minuta e 55-të e takimit, mesfushori i Tërbunit, Abel Gebor, nuk është ndier mirë dhe është rrëzuar në fushë, duke pësuar një gjendje të fikti. Fillimisht, lojtarit nga Liberia i erdhi në ndihmë pjesëtari i vetëm i stafit mjekësor të skuadrës pukjane, Dod Nika.

Mirëpo, duke parë gjendjen e rënduar të Geborit, gjyqtari dhe gjithashtu lojtarët në fushë bënë me shenjë që të vinte menjëherë barela në fushë. Për pak sekonda, u krijua një kaos i vërtetë në fushë, pasi u mendua se mesfushori liberian kishte probleme serioze me shëndetin. Madje, nga pankina e Teutës, trajneri Gugash Magani, vrapoi në fushë për të parë nga afër gjendjen e futbollistit. Menjëherë Gebor u vendos në barelë dhe u sinjalizua autoambulanca që të afrohej me fushën. Por, ardhja e mjetit të ndihmës së shpejtë ishte një histori më vete. Së pari, shoferi i autoambulancës nuk ndodhej në vendin e tij, duke humbur kështu minuta derisa të shkonte pas portave ku ndodhej automjeti.

Mirëpo, në momentin kur shoferi u fut në autoambulancë, nuk arriti ta ndezë këtë të fundit. Në stadium kishte ankth për lojtarin, por edhe ilaritet. Një skandal i vërtetë, teksa shoferi kërkon ndihmën e zjarrfikëses që përmes rimorkimit, të ndizej autoambulanca. Nuk kaluan dy minuta nga ky moment dhe autoambulanca u ndez e më pas Gebor u nis me urgjencë drejt spitalit të Pukës për të marrë ndihmën e nevojshme.

Ky rast skandaloz konfirmoi dje se fatkeqësisht në disa prej stadiumeve shqiptare nuk garantohen kushtet më minimale për të mbrojtur jetën e futbollistëve. U deshën jo pak, por katër minuta që lojtari i Tërbunit të nisej me autoambulancë drejt spitalit. Një gjendje e mjerueshme dhe që bën me përgjegjësi institucionin e shëndetësisë për autoambulancat që në vend të kryejnë shërbimin, bëjnë të kundërtën, duke e bërë situatën në stadiume tragjikomike.

Situata e lojtarit Abel Gebor nuk e kishte imagjinuar se një ditë mund të rrezikonte në fushë dhe autoambulanca që duhej t’i jepte ndihmën e shpejtë të mos ndizej. Mesfushori nga Liberia mund të ketë parë raste të tilla në Afrikë, por jo në Europë. Megjithatë, i ndodhi në Pukë, por, për fat të tij, shpëtoi paq. Gebor është në gjendje të stabilizuar shëndetësore dhe këtë e konfirmoi pas ndeshjes për “Supersport” edhe trajneri i Tërbunit, Xhino Gargano. “Futbollisti tani është më mirë. Pati një ftohje ose ndryshe marrje të frymës. Në fakt, më sinjalizoi se nuk ishte mirë dhe unë kisha përgatitur zëvendësimin, por dhe ai ka një zemër të madhe si prej shqiptari dhe kërkoi të qëndronte edhe pak në fushë. Gjithsesi, tani gjendja e tij është e mirë”, sqaroi trajneri.

Tërbuni-Teuta, probleme me AmbulancënTërbuni-Teuta, probleme me AmbulancënLojtari i Tërbunit rrezikon jetën në fushë. Shoferi i ambulancës po shikon ndeshjen nga stadiumi, makina nuk ndez, terhiqet nga zjarrfiksja e me pas ka problem.

Posted by Digitalb on 2015-11-28

 

puke

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"