Skënderbeu s’e lëshon kreun, thyen Laçin. Josa: Duhet të përmirësohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2012 | 14:34

Skënderbeu s’e lëshon kreun, thyen Laçin. Josa: Duhet të përmirësohemi

SKËNDERBEU – LAÇI  3-0
GOLAT: Bici 16′, Plaku 87′, Pejiç 91′
SKËNDERBEU: Shehi, Gvozdenoviç, Bici, Souza, Vrapi, Shkëmbi (Kerciku 46′), Çaushaj (Dimo 64′), S.Lilaj (Kuli 71′), Orelesi, Plaku, Pejiç. Trajner: M.Josa LAÇI: Bakaj, Buljan, Ndreka, Kastrati, Milenkoviç, Nimani (Sefgjini 57′), Zefi, Vucaj, Emurllai, Bilibashi, Vucaj, Marashi (Hoti 79′); Trajner: S.Nica
GJYQTARET E.Peza, E.Barushi, G.Qirici
DELEGAT: Bujar Pregja
VËZHGUES: Myrteza Allkja
KARTONË TË VERDHË: Çaushaj 26′, Dimo 66’/ Nimani 25′

MINUTAT 
7′ Buljan rrezikon me një goditje dënimi, por topi i tij përfundon mbi tra. 1
6′ Goditje këndi për vendësit, gjuan Shkëmbi dhe e çon topin drejt e në kokën e Bicit. Ky i fundit nuk gabon dhe e dërgon drejt e në rrjetë, 1-0.
36′ Vucaj ka shansin e artë të barazojë, por gjuajtja e tij pritet në kohë nga Shehi.
52′ Gabon Ndreka, Pejiç përfiton duke iu afruar zonës, por Bakaj largon me këmbë rrezikun.
59′ Emurllai godet fuqishëm, por Shehi grushton.
63′ Plaku, i cili rrezikon teksa lë pas krahëve mbrojtjen mike, godet me kokë, por Bakaj reagon mrekullisht, duke grushtuar topin në këndore.
79′ Kuli jep një asist perfekt për Plakun, që gjuan po aq bukur, por topi përfundon ngjitur me traversën.
87′ Mbrojtja mike gabon, Plaku përfiton duke kaluar lehtësisht 6 lojtarë, godet dhe topi kalon mes këmbëve të portierit dhe 2-0.
90′ Pejiç gjuan fuqishëm, por Bakaj grushton, duke evituar golin e tretë.
91′ Miqtë çorientohen dhe Plaku pasi merr një top futet në zonë, pason për Pejiçin dhe ky i fundit s’e ka të vështirë ta çojë në rrjetë, dhe 3-0.

Skënderbeu fiton 3-0 me Laçin dhe e risheh veten në krye të renditjes. Pas trepikëshit të marrë në ndeshjen përmbyllëse të javës së katërt, korçarët i janë bashkangjitur Tiranës në kuotën e 10 pikëve, por falë golavarazhit më të mirë ndodhen të parët. Tre gola kundër kurbinasve u kanë mjaftuar djemve të Josës për të marrë fitoren dhe për të rikthyer qetësinë në Korçë. Kurbinasit ndonëse u shfaqën kërkues gjatë gjithë pjesës së parë, në gjysmën e dytë të së dytës lëshuan disi terren, gjë që solli edhe raste pa fund nga bardhekuqtë. Rikthimi i Orelesit dhe Shkëmbit në formacion i dha tjetër frymëmarrje mesfushës vendëse, e cila u duk më kërkuese. Nga krahu tjetër mbrojtja e Laçit la për të dëshiruar, pasi u shfaq e çakorduar për minuta me radhë.
Pjesa e parë Loja nis vrullshëm dhe me Laçin më kërkues, aq sa në të 7-tën jep sinjalin e parë se kjo sfidë nuk do të jetë e lehtë. Buljan rrezikon me një goditje dënimi, por topi i tij përfundon mbi tra. Shumë shpejt vjen edhe reagimi i vendësve me anë të Pejiçit. Por sulmuesi kroat, pas 7 minutash nuk shfrytëzon një kros të ardhur nga krahët prej Çaushajt, pasi e dërgon topin shumë larg kuadratit. Këmbëngulja e korçarëve shpërblehet në të 16-tën. Goditje këndi, gjuan Shkëmbi, i cili e dërgon topin drejt e në kokën e Bicit. Ky i fundit nuk gabon dhe e çon furishëm në rrjetë, 1-0. Bardhekuqtë gjejnë njëfarë qetësie, por në minutat e mbetura të pjesës së parë, ndonëse krijuan raste me bollëk, nuk arritën të dyfishonin shifrat. Madje shumë herë dolën huq. Vlen të theksohet se edhe kurbinasit nuk u dorëzuan. Ata rrezikuan që të barazonin me anë të Emurllait apo Vucajt në dy episode.
Pjesa e dytë Ky fraksion nis me ndryshime për vendësit. Josa ul në stol kapitenin Shkëmbi dhe aktivizon Kërçikun. Kjo lëvizje sjell edhe ndryshime në vendosje, duke kaluar Lilajn si organizator. Pas këtyre risive vendësit duken më kërkues, ndërsa laçianët më të lodhur. Nica bën disa ndryshime në formacion, por situata mbetet e njëjtë për bardhezinjtë, të cilët me kalimin e minutave sikur shthuren. Në të 63-tën është Plaku që rrezikon, teksa lë pas krahëve mbrojtjen mike, godet me kokë, por Bakaj reagon mrekullisht, duke grushtuar topin në këndore. Dimo i sapoaktivizuar bën që prezenca e tij në fushë të ndihet. Ai futet bukur në zonë duke dribluar, por pengohet nga Ndreka. Pretendohet 11-metërsh, por kryesori Peza e ndëshkon me të verdhë për simulim. Çakordimi i Laçit, i cili mundohet të krijojë duke krijuar vakum në mbrojtje, bën që Skënderbeu të shtojë rrezikun në portën e Bakajt. Kuli, Pejiç e Plaku kanë disa raste radhazi në harkun e tri minutave, por lojtarët o dalin huq, o Bakaj largon rrezikun. Mbrojtja mike gabon, Plaku përfiton duke kaluar lehtësisht 6 lojtarë, godet dhe topi kalon mes këmbëve të portierit dhe 2-0. Kur po afrohej fundi, për Skënderbeun kishte kohë për të vulosur shifrat, pasi në të 91-tën miqtë çorientohen dhe Plaku pasi merr një top, futet në zonë, pason për Pejiçin dhe ky i fundit s’e ka të vështirë ta çojë në rrjetë. 3-0. Pas këtij episodi vjen edhe vërshëllima e fundit e kryesorit.

MË I MIRI
Sebino Plaku ishte pa dyshim lojtari më i mirë në fushën e lojës. Ai shënoi vetëm një gol, mirëpo ka krijuar raste pa fund, madje ka dhënë edhe një asist. Sulmuesi i korçarëve ndeshje pas ndeshjeje po vërteton se është një element që bën diferencën te Skënderbeu. Pas nuk mbeten as Bici me Pejiçin, të cilët kanë merita për golat e realizuar.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtja e Laçit ishte në një ditë të keqe. Ajo u çakordua sidomos pas pësimit të golit të dytë, teksa parakalohej lehtësisht nga vendësit. Dy episode flagrante ishin ato të golit të dytë e të tretë, teksa në të dyja rastet Plaku i la pas vetes pa asnjë lloj vështirësie, duke shënuar dhe më pas duke asistuar Pejiçin.

Josa: Duhet të përmirësohemi
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, nuk është plotësisht i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij, edhe pse arritën të fitojnë me rezultatin 3-0. Ai vlerëson lojën që zhvilloi Laçi, sidomos në mesfushë, gjithsesi sqaron se goli i dytë bëri që kundërshtari të dorëzohet. “Në pjesën e parë nuk u paraqitëm si duhet. Kundërshtari arriti të dominojë në mesfushë, gjithsesi ne nuk u lejuam që ata të kenë raste të mira për shënim. U munduam të luajmë me topa të gjatë, duke qenë se mesfusha po haste vështirësi për të bërë ndërlidhjen”, u shpreh Josa pas ndeshjes. Sa i përket pjesës së dytë, ai vlerëson rritjen e nivelit, por mendon se duhet të ishin treguar më të saktë para portës. “Goli i dytë mbylli ndeshjen dhe kundërshtari u dorëzua. Gjithsesi, ne duhet të kishim shënuar më shpejt, për të qenë me të qetë. Patëm raste të mira me Dimon dhe Pejiçin, por u treguam të pasaktë. Kemi shumë gjëra për të përmirësuar. Është e vërtetë që fituam dhe me rezultat të kënaqshëm, por unë e pranoj se skuadra ka akoma gjëra për të rregulluar”, shtoi kreu i pankinës korçare. Në fund, ai dha edhe një koment për kapitenin Shkëmbi, i cili e nisi ndeshjen si titullar, por u zëvendësua pas 45 minutave të para. “Nuk ishte për çështje dëmtimi, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm që Bledi është rikthyer pas një dëmtimi të gjatë. Kjo ishte ndeshja e tij e parë zyrtare dhe pa diskutim që dha sinjale pozitive pas riaftësimit. Ai nuk e pati të lehtë që të ambientohet menjëherë, edhe për faktin se kemi ndryshuar skemë, duke luajtur me dy futbollistë të rinj si Lilaj dhe Çaushaj nga krahët, me të cilët Shkëmbi nuk ka luajtur më parë”.

“Mbrojtja bëri gabime te dy golat e fundit”
Kreu i pankinës së Laçit, Stavri Nica, kritikon lojtarët e tij për gabimet taktike, ndërkohë që vlerëson superioritetin e kundërshtarit. “Skënderbeu e meritoi fitoren pasi na dominoi tërësisht. Nuk është e lehtë të luash në Korçë, përballë një kundërshtari shumë të vështirë. Ne provuam të vinim në rrezik Skënderbeun dhe për këtë arsye luajtëm që në fillim me tre sulmues. Por, jam tejet i zhgënjyer nga loja që bëri ekipi im, pasi lojtarët dolën shumë nga detyrat e caktuara, sidomos në rastin e golit të dytë dhe të tretë, ku mbrojtja u hap tërësisht. Gjithsesi duhet të jemi të vetëdijshëm për forcën tonë dhe duhet të shohim ndeshjet e ardhme, duke u përpjekur të mos bëjmë gabimet që bëmë me Skënderbeun”, u shpreh Stavri Nica pas ndeshjes.

Shkëmbi: Nuk isha në 100 % tim
I rikthyer pas dëmtimit katërmujor, kapiteni Blendi Shkëmbi u aktivizua vetëm në 45 minutat e para një ditë më parë. I pyetur nga “Supersport” në fund të takimit, ai ka folur për fitoren e ekipit, por edhe për gjendjen e tij shëndetësore. “Nuk isha në 100 përqindëshin tim sot (dje). Dhashë asistin e golit të parë dhe më vjen mirë që kontribuova në këtë fitore. Luajta aq minuta, pasi sigurisht nuk jam në formën time optimale. Jam kthyer pas katër muajsh dëmtim, ndaj më shumë se aq nuk mund të jepja menjëherë. Por kam besim se do rikthehem shpejt. E rëndësishme është që skuadra jonë fitoi, të tjerat rregullohen”, – tha në përfundim kapiteni i korçarëve.

Bici: Goli i parë në Korçë, jam i lumtur
Ditmar Bici, autori i golit të parë, është dyfish i lumtur, jo vetëm për golin, por edhe për fitoren. “Më në fund arrita të zhbllokohem, pasi shënova golin e parë me bluzën e Skënderbeut. Jam shumë i lumtur për këtë, pasi herët e tjera nuk më ka ecur fati, sepse kam goditur vazhdimisht shtyllën. Arritëm të tregojmë forcën tonë në pjesën e dytë, jo vetëm duke administruar rezultatin, por edhe trefishuar atë. Por tani nuk duhet të mendojmë për kupën gjatë, pasi kemi ndeshje pas 48 orësh kundër Olimpikut. Na duhet të përballojmë një javë të ngarkuar, megjithatë unë mendoj se do t’ia dalim”, – tha mbrojtësi.

Altruisti Plaku: Sfidë perfekte
Sebino Plaku shënon sërish, për këtë është sigurisht i lumtur, teksa për gazetën në përfundim thotë: “Ishte një ndeshje e vështirë pasi morali i ekipit ishte i ulët pas atij barazimi dhe pas asaj loje të shëmtuar, por jam i lumtur që gjithë ekipi zhvilloi një lojë shumë të mirë, duke nxjerrë në pah karakterin fitues. Kjo fitore na jep më shumë siguri dhe na përmirëson nga ana psikologjike. Golin ia dedikoj tifozerisë për atmosferën që na krijon dhe mbështetjen që na jep në çdo ndeshje. Në rastin e golit të tretë, pasi kisha shënuar vetë, ia pasova Pejiçit. Ishte një ndeshje perfekte, kështu duhet të vazhdojmë”.

Pejic: S’ndalem, do shpallem golashënues
Pero Pejiç, sulmuesi kroat, si gjithnjë bën detyrën, duke realizuar golin e tretë të fitores dhe për këtë është i lumtur. “Jam i kënaqur për lojën e zhvilluar, pasi vinim nga një javë e zymtë pas atij barazimi me Bylisin. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, pasi kishim përpara një ekip shumë të fortë si Laçi. Kishim nevojë për këtë fitore bindëse, sepse do të na ngrinte shumë moralin. Për fat të mirë arrita të shënoj edhe unë në këtë takim, por më shumë jam i kënaqur për fitoren. Këtë vit dua të bëjë bis, kërkoj titullin dhe ‘Këpucën e artë’, atëherë do të jetë dyfish gëzimi”, – tha duke shpalosur objektivat kroati.

Bastet, koeficent 1.35 që ka gol në tri minutat e fundit
Skënderbeu arriti një fitore të merituar në ndeshjen kundër Laçit, duke treguar superioritet në fushën e lojës dhe duke krijuar raste të shumta për shënim. Në fakt, golat e sigurisë për ekipin vendës janë shënuar në minutat e fundit, pas një sasie të madhe rastet të krijuara në 10 minutat e mbetura të lojës. Fitorja e korçarëve ishte kuotuar me një koeficent të ulët nga kompanitë e basteve, para fillimit të takimit. Por ajo që bie në sy janë koeficientet e çuditshëm gjatë ndeshjes live. Ndërkohë që Skënderbeu ishte duke kryesuar ndeshjen 2-0, ose më saktë, sapo shënoi golin e dytë në minutën e 87-të, koeficienti që shënohej një tjetër gol në ato pak minuta që kishin mbetur, ishte vetëm 1.35. Një koeficent ekstremisht i ulët, bazuar në ato që ndodh thuajse në çdo ndeshje tjetër, ku në tri minutat e fundit të kohës së rregullt, që të shënohet edhe një gol, minimalisht kuotohet 3. Gjithsesi, kompanitë aziatike që kanë kuotuar me koeficent 1.35 (shih faksimilen), mbase janë bazuar te ritmi i lojës, pasi në fakt goli i tretë u shënua. Ishte Pero Pejiç ai që dërgoi topin në rrjetë, pas një asisti të Sebino Plakut. Bastet e fundit që janë mbajtur kanë qenë pikërisht për shënimin ose jo të golit të tretë, ndërkohë që më pas u mbyllën, duke mos lejuar më, për shkak se kishte mbetur edhe shumë pak kohë deri në fund.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"