Sportisti i Besëlidhjes, fyen në publik gjyqtarin Kovaçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2015 | 17:34

Sportisti i Besëlidhjes, fyen në publik gjyqtarin Kovaçi

mundjeEpilogu më i keq i mundshëm i sezonit për mundjen shqiptare. Mjaftoi një incident në finalen e peshës 86 kg në stilin klasik që të sfumonte aktivitetin më të rëndësishëm të vitit, siç ishte kampionati kombëtar për të rritur. Kur kampionati po shkonte shumë mirë mes konkurrencës së fortë të sportistëve pjesëmarrës, mundësi Eduart Pica përmbys gjithçka. Në duelin përballë sportistit të Tomorit, Aurel Thanasi, Pica ka pretendime për gjykimin, aq sa shpërthen edhe në lot. Ndërpret përkohësisht ndeshjen dhe këmbëngul me forcë që aksioni të rishikohet në ekran. Kaos në parket mes tij dhe gjyqtarisë. Pretendimeve të tij u bashkohet edhe trajneri Joel Gjelaj, por me qetësi. Pas shumë negociatash u ra dakord që të rishikohen pamjet filmike me regjistrim dhe finalja rinis atu ku u la. Sfidanti beratas është më i saktë dhe “de jure” shpallet kampion i Shqipërisë. Gjithsesi, Pica nuk e ka përtypur humbjen dhe sulmon befasishëm gjyqtarinë dhe e godet me një bidon uji. Në moment bllokohet nga trajneri duke mos e lejuar të agravohet situata. Tension në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Gjyqtaria, e indinjuar me sjelljen jo etike të mundësit, kërkon me forcë të merren masat ndaj tij. Teksa sportisti zë vend te shkallët e pallatit, ngrihet në këmbë dhe i shfryn dufin gjyqtarit Kujtim Kovaçi. Fyerje me fjalor banal, ndërsa Kovaçi nga distanca e dëgjon me qetësi. Por situata tensionohet me tepër kur gjyqtari i afrohet dhe i kërkon sqarime. Atë moment ka një dyndje sportistësh, një pjesë në mbështetje të gjyqtarit Kovaçi dhe një pjesë të sportistit lezhjan. U desh ndërhyrja në kohë e uniformave blu, ndonëse e pakët në numër, për të ulur gjakrat. Por “blic” kanë qenë përforcimet e policisë me qëllim për të shmangur çdo incident të mundshëm në vazhdim. Të dy të konfliktuarit nën monitorimin e policisë ballafaqohen në korridorin e jashtëm të pallatit të sportit. Ku pas disa telefonatash në prezencë të njëritjetrit ndahen paqësisht. Megjithatë, gjyqtaria në kor nuk ia fal gjestin antisportiv Picës dhe kërkon përjashtimin nga aktiviteti. Dhe ashtu ndodh realisht. Në publik, federata komunikon përjashtimin e tij nga gara, ndërsa zyrtarisht federata lë të hapur një masë më ekstreme. Në mbyllje të kampionatit gjyqtarët firmosin edhe një relacion për rastin në fjalë. Sa u përket rezultateve në renditjen ekipore, kampion i stilit të lirë u shpall Tirana me 30 pikë të grumbulluara, e ndjekur nga Teuta me 28 pikë dhe Vllaznia me 13 pikë. Ndërsa titulli kampion në stilin klasik u fitua me meritë nga Tomori me 23 pikë, duke lënë pas Besëlidhjen me 22 pikë dhe skuadrën bardheblu me 21 pikë. Sportistët më të mirë u përzgjodhën Haxhi Sina i Teutës në peshën 57 kg dhe Dritan Therepeli i Tomorit i peshës 71 kg. Edhe në këtë aktivitet përmbyllës të vitit, Federata Shqiptare e Mundjes nderoi me pllakate mirënjohje për rezultatet e arritura në vite dhe kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e mundjes disa figura. Kështu u vlerësuan në një ceremoni të veçantë Rrok Bardeli, Alban Zeneli, Mark Vata, Rustem Gjergji dhe Gazmir Rama.

Kampionati kombëtar i të rriturve

KAMPIONËT
STILI I LIRË
Haxhi Sina (Teuta) pesha 57 kg
Isa Merkja (Tirana) pesha 61 kg
Elton Azuni (Teuta) pesha 65 kg
Eni Çekiri (Tirana) pesha 70 kg
Osman Hajdari (Tirana) pesha 74 kg
Elton Hallaçi (Tirana) pesha 86 kg
Paris Karepi (Teuta) pesha 97 kg
Egzon Shala (Tirana) pesha 125 kg
Renditja ekipore
1. Tirana 30 pikë
2. Teuta 28 pikë
3. Vllaznia 13 pikë
Mundësi më i mirë: Haxhi Sina
Stili klasik
Editon Therepeli (Tomori) pesha 59 kg
Jurgen Uku (Tirana) pesha 66 kg
Dritan Therepeli (Tomori) pesha 71 kg
Joel Gjelaj (Besëlidhja) pesha 75 kg
Julian Gjelaj (Besëlidhja) pesha 80 kg
Aurel Thanasi (Tomori) pesha 86 kg
Bilal Ismaili (Kukësi) pesha 98 kg
Erind Pernokaj (Besëlidhja) pesha 130 kg
Renditja ekipore
1. Tomori 23 pikë
2. Besëlidhja 22 pikë
3. Tirana 21 pikë
Mundësi më i mirë: Dritan Therepeli

Përgatiti:  OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"