Strategjia e munguar për futbollistët e huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2016 | 15:31

Strategjia e munguar për futbollistët e huaj

ylli-agaNga YLLI AGA

Të huajt janë trajtuar historikisht mirë në Shqipëri. E gjitha kjo në një përqindje të madhe e diktuar prej mentalitetit apo zakoneve. Nëse kemi trashëguar rregulla që shtëpia është e Zotit dhe e mikut, edhe klubet e futbollit nuk mund të bënin përjashtim.

E kujtoni si u prit i huaji i parë në futbollin tonë? Ai ishte braziliani Edu, që në CV e tij aktivizimi me Lushnjën ishte një nga kulmet e karrierës e megjithatë në vlerësimin e tifozëve të asaj kohe ai dukej si sozia e Romarios.

Me akullin e thyer hyrjet e të huajve u bënë gjëja më e zakonshme, por edhe më tokësore, aq sa edhe emrat e fiksuar në memorien e të gjithëve mund të numërohen me gishtat e njërës dorë dhe ku me siguri Peter Olainka do të kujtohet si më cilësori ndër ta.

Kjo dyndje detyroi organizatorët e garës të vendosnin rregulla për aktivizimin e tyre, që me propozimin e “Mbledhjes së presidentëve të Kategorisë Superiore” (komisioni që nuk guxoi kurrë të shndërrohej në Ligën Profesioniste) të vendosej tavani i 8 të huajve dhe në mënyrë të përshkallëzuar të zbriste në 4.

Në atë kohë gjithçka ishte e motivuar me krijimin e hapësirave më të mëdha për futbollistët vendës, veçanërisht ata të rinj. Një teori që meriton të respektohet. Një model i tillë është i ngjashëm pothuajse në çdo vend europian dhe ku beteja e federatave respektive për mbrojtjen e futbollit vendës dhe dëshira e klubeve për ta blerë suksesin është konstante.

Por, nëse në vendet e tjera vendimi është i motivuar edhe me ligjet e punësimit apo cilësisë që të huajt duhet të kenë, te ne debati për numrin e të huajve është shndërruar në një lojë kungulleshkash. Për këtë mjafton ta ilustrojmë me modelin e Anglisë, sipas së cilit një klub nuk mund të blejë një futbollist të huaj, në qoftë se ai nuk arrin të sigurojë lejen e punës dhe, mbi të gjitha, nuk plotëson kushtin që të ketë luajtur 70% të ndeshjeve me ekipin e tij kombëtar.

Ashtu si në antitezë kemi modele si të ekipeve të Qipros, apo Kazakistanit, sipas së cilës suksesi ka ardhur në mënyrë ekskluzive nëpërmjet numrit të shumtë të futbollistëve të huaj dhe e gjitha kjo e justifikuar me të drejtën legjitime të gjithsecilit që drejton një biznes dhe nëpërmjet tij dëshiron që të sigurojë trofe dhe të ardhura.

Në këtë dualitet, ku qëndron futbolli ynë? A ka një strategji që duhet ta respektojnë klubet tona? A ka kufij që ata nuk duhet t’i kalojnë. Në këtë pikë, termi kaotik është më e pakta që mund të përdorim. Është e qartë që në zyrat e FSHF nuk kanë pasur kurrë një studim serioz, një projekt afatgjatë që do të respektonte të drejtën e saj për të stimuluar futbollistët “made in Albania”, por në të njëjtën kohë për të mos cenuar synimet dhe klubet e Kategorisë Superiore për të qenë sa më kompetitive në garat vendëse dhe, mbi të gjitha, në ato kontinentale.

Një politikë më liberale me numrin e futbollistëve të huaj, do të ulte me këmbë në tokë pretendimet e elitës së vendësve për kontratat e tyre, deri diku të ekzagjeruara. Në një projekt të mirëfilltë sportiv, ku do të vendosen piketa sa i takon kohëzgjatjes së tij, infrastrukturës dhe mbi të gjitha bilancit financiar gjithçka mund të vendoset në harmoni.

Një gjë e tillë do të evitonte zgjedhje të sforcuara, ku shumë nga skuadrat investojnë për të sjellë shumë futbollistë të huaj, por prej tyre mund të aktivizohen vetëm katër. Vërtetimi më i mirë i kësaj situate janë edhe lëvizjet e bëra edhe gjatë merkatos së janarit, ku me përjashtim të vetëm tre klubeve Teutës, Laçit dhe Vllaznisë të gjitha të tjerat kanë shumë më tepër futbollistë të huaj se limiti i lejuar për të luajtur.

Ndërsa një tjetër dëshmi e fortë e mungesës së një strategjie për këtë element të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit tonë, është lejimi për të marrë lojtarë të huaj edhe klubet e kategorive më të ulëta, pavarësisht se pagesa për ta mund të jetë e konvertuar vetëm me byrek.

Një temë e tillë do të ishte ideale për të diskutuar në kuvendin më të rëndësishëm të burrave të futbollit, siç është Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së, ku protagonistët do të duhej të propozonin zgjidhjet e tyre më të mira për të iniciuar ndërtimin e një strategjie për zhvillimin e klubeve tona të futbollit. Aty është realisht vendi i duhur për të diskutuar dhe debatuar, por ky nuk ka qenë një zakon i drejtuesve të klubeve tona, që këtë event e kanë konsideruar gjithmonë angari dhe jo një mundësi për të vendosur për fatet e tyre

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"