Sulmuesi tërbon të mëdhatë, 80 milionë € për Dibalën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2016 | 10:41

Sulmuesi tërbon të mëdhatë, 80 milionë € për Dibalën

Paulo Dibala, fenom eni i ri! Në Torino ky titull ka kohë që është shkruar, por ndërkohë sulmuesi ka përfunduar edhe në shënjestrën e “armatave” më të fuqishme të kontinentit, të cilat janë gati që të futen në luftë mes tyre për të siguruar argjentinasin. Jo vetëm gola, por edhe fantazi, klas dhe shpirt sakrifice.

dibalaMe të gjitha këto cilësi 22-vjeçari i ardhur te Juventusi në verën e kaluar nga Palermo ka fituar jo vetëm rolin e liderit bardhezi, por ka nisur të mahnisë klubet e mëdha, të cilat nuk kanë frikë që të shpenzojnë për numrin 21 të kampionëve të Italisë.

Duke iu referuar të përditshmes prestigjioze “Gazzetta dello Sport”, Juventusi ka marrë në orët e fundit ofertat e Bajernit të Mynihut dhe Barcelonës, të dyja me të njëjtën shifër, 80 milionë euro, e thënë ndryshe, dyfishi i asaj që nxori nga xhepat e tij presidenti Andrea Anjeli.

Natyrisht që shifra nuk është modeste, por natyrisht që në Torino askush nuk ka ndër mend që të privohet nga një fenomen i tillë, i cili çdo ditë e më shumë po fiton pseudonimin e pasardhësit të Lionel Mesit. Përkundrazi, te Juventusi janë gati që xhevahirët e tyre t’i mbrojnë me çdo kusht, njësoj siç kanë bërë deri tani me Pol Pogbanë dhe Alvaro Moratën.

Burimet gazetareske nënvizojnë se Bajerni i Mynihut dhe Barcelona nuk do të dorëzohen për të pasur Dibalën në skuadrën e tyre, ndoshta duke u rikthyer sërish në sulm me një ofertë që mund të prekë dhe ndoshta kalojë 100 milionët, ndonëse në selinë e klubit bardhezi kanë bërë gati kundërmasat.

Aktualisht argjentinasi fiton 2.1 milionë euro në vit, por drejtori Xhuzepe Marota është gati që t’i dyfishojë shumë shpejt pagën fantazistit, duke e çuar atë në nivelin e më të paguarve si Pogba, Morata, Bufon dhe Khedira, ndonëse e ritheksojmë, Paulo Dibala po çmend të mëdhatë e kontinentit, ndaj te Juventusi nuk mund të flenë të qetë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"