Të lindurit në Kosovë që s’do të luajnë kurrë për të dhe Shqipërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2016 | 14:00

Të lindurit në Kosovë që s’do të luajnë kurrë për të dhe Shqipërinë

Milan Bishevac kishte reaguar ashpër kur UEFA kishte dënuar Lokomotivën e Moskës për shpalosjen e pankartës “Kosova është Serbi”. Do të ishte krejt i zakonshëm reagimi i një lojtari nga Serbia për këtë çështje, por reagimi i Bishevacit ishte pak më i veçantë, pasi bëhet fjalë për futbollist të lindur në Kosovë, në Mitrovicë.

milan bishevac-Bishevac, si shumica e serbëve nga Kosova, nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe atë ende e llogarisin pjesë të Serbisë. Rrjedhimisht, ai edhe nuk do të luajë për përfaqësuesen e Kosovës në futboll edhe nëse ftohet. Mbrojtësi Bishevac ka karrierë të gjatë, ndërsa aktualisht është pjesë e Lacios. 32-vjeçari ka edhe 19 ndeshje të luajtura me Serbinë.

Në fakt janë disa sportistë të lindur në Kosovë, por që nuk do të luajnë asnjëherë për Kosovën. Bëhet fjalë për sportistë joshqiptarë, por të nacionaliteteve të tjera, shumë prej tyre që nuk pajtohen me realitetin – pavarësinë e Kosovës. Derisa në Kosovë ka shpresa të mëdha që sportistët më të mirë shqiptarë, që bëjnë karrierë në Europë, një ditë të mbrojnë ngjyrat e vendit, për sportistët nga Kosova të nacionaliteteve të tjera, para së gjithash për serbët, as që ka pritje që një ditë të luajnë për Kosovën.

“Jam i befasuar dhe nuk mund ta besoj që dikush dënohet për pankarta të tilla. Është edhe një dëshmi që nuk na respektojnë dhe që bëjnë me ne çfarë të duan. Unë me tërë zërin, kudo që të jem, do të thërras ‘Kosova është Serbi'”, ka thënë Bishevac në tetor të vitit të kaluar. Afro një dekadë më parë përflitej ideja për të thirrur serbët e lindur në Kosovë që të luajnë për Kosovën. Por kjo nuk u bë asnjëherë dhe këtë ide nuk e përmend askush më.

Milosh Krasiç është një tjetër lojtar serb i lindur në Kosovë, në Mitrovicë, me karrierë të suksesshme. 31- vjeçari aktualisht është te Lechia Gdansk në Poloni, kurse për Serbinë numëron 46 ndeshje e tre gola të shënuar. -Aktualisht, pjesë e Serbisë është edhe Miralem Sulejmani, që ka lindur në Beograd, por ka prejardhje nga Kosova. Ai i takon nacionalitetit goran dhe nëse do të shfaqte dëshirë do të mund të luante për Kosovën. Por kjo nuk pritet të ndodhë. Sulejmani (27 vjeç) është i rëndësishëm te Jang Bojsi në Zvicër. Për Serbinë, në 18 ndeshje ka realizuar një gol.

Almen Abdi ka lindur në Prizren dhe aktualisht është pjesë e Uatfordit në Premier Ligën e Anglisë. Është bashkëlojtar i Valon Behramit. Për Abdi thuhet se ka prejardhje boshnjake, ndërsa ai është rritur në Zvicër, te Zyrihu. 29-vjeçari ka gjashtë paraqitje për Zvicrën. Asnjëherë nuk është folur për mundësinë që Abdi të luajë për Kosovën.

Hapin e parë konkret për të testuar ata që pak besohet se mund të luajnë për Kosovën, ndonëse e kanë këtë të drejtë, e ka bërë Federata e Basketbollit të Kosovës. Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll në shtator do të paraqitet në kualifikime për “Eurobasket 2017” dhe ka vendosur që t’i kontaktojë të gjithë lojtarët cilësorë që kanë lindur në Kosovë. Njëri prej tyre është Dejan Musli, i njohur në Serbi, por që ka lindur në Prizren. Musli po paraqitet me sukses në kampionatin spanjoll. Ai ka luajtur për të rinjtë e Serbisë dhe në Europë njihet si basketbollist serb. Musli karrierën e ka nisur në Beograd.

“Thirrje për paraqitje, përmes menaxherit, i kemi bërë lojtarit Dejan Musli që ka lindur në Prizren. Do të shohim se çfarë do të dalë nga e gjithë kjo”, ka thënë kryetari i FBK-së, Erolld Belegu. Përzgjedhësi Arben Krasniqi në listën e lojtarëve që synon të ketë nën urdhra ka edhe Enis Muratin, që ka lindur në Prishtinë. Murati ka thënë se është boshnjak nga Kosova, ndërsa prej vendit të lindjes është larguar në vitet nëntëdhjetë.

Ai një kohë jetoi në Mal të Zi e prej vitit 2004 deri në vitin 2006 në Serbi. Ka pasur pasaportë të Serbisë dhe është njohur si basketbollist nga Serbia deri në vitin 2014 kur mori pasaportën e Austrisë dhe hoqi dorë nga pasaporta e Serbisë. Tani luan për Austrinë dhe njihet si basketbollist austriak. Por ka lindur në Kosovë. Ende pa u kontaktuar nga përzgjedhësi, Murati ka bërë të qartë për gazetën se nuk do luajë për Kosovën.

“Mendoj që lojtari pas natyralizimit mund të luajë vetëm për një përfaqësuese dhe mendoj që nuk është e ligjshme që të luajë për ndonjë vend tjetër. Gjithsesi, më vjen mirë që Kosova mund të luajë në kualifikime për Eurobasket”, ka thënë Murati. Ka edhe të tjerë lojtarë, edhe në sporte të tjera, që kanë lindur në Kosovë apo kanë prejardhje nga Kosova, por që nuk e kanë në opsion paraqitjen për Kosovën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"