Të pabukur në kampionat, por… shqiponja në Francë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2015 | 18:27

Të pabukur në kampionat, por… shqiponja në Francë!

Gezim SinematiNGA GËZIM SINEMATI

Kur Shqipëria siguroi një vend në finalet e Europianit francez, në shtypin e huaj, përveç qokave dhe përkëdhelive, ka pasur edhe një koment të tillë: “E pabesueshme! Në Francë do të jenë edhe ata që futbollin e përditshëm e përjetojnë si një hall më shumë, ndërsa me Kombëtaren shtiren sikur topi i bën të lumtur”. Kjo javë krijon rezonancë me këtë koment, aq sa bindesh se futbolli është një amalgamë ngjarjesh pa busull. Sapo ke përjetuar një gol me aromë perëndimore të Elis Bakajt, vjen një ngjarje shokuese që vlen sa një jetë, ajo me autoambulancën në Ballsh, që ndizet me frymën “patriotike” të zjarrfikëses. Që nuk ndizet “makina e jetës”, kjo nuk qenka ndonjë hata e madhe, por t’i gëzohesh 3- pikëshit më shumë se kokës së futbollistit Gebor, kjo dëshmon se loja shtiret si argëtim. Në të vërtetë është një kërcënim. Cili do të justifikonte tifozët e Kukësit në fundin e ndeshjes me Partizanin, kur zemërimin për humbjen e konvertuan në dhunë?! Të humbasësh një ndeshje kampionati, nuk është rasti më i volitshëm për të braktisur arsyen. Më e bukura është se edhe humbjet nuk janë gjithnjë me… humbje. Teuta mund të fitojë në çdo fushë, kurse Tërbuni u tërboka nga 1 gol i tyre dhe shkarkon stafin! Prej vitesh, thuhet se plagët e kampionatit i mjekon Kombëtarja, apo të paktën i maskon disi. Por si do të ndodhte kjo mrekulli kur ekipi përfaqësues nuk i përket realitetit të kampionatit. Një dobësi që manipulohet si vlerë kur thonë se gara është e disa presidentëve, kurse Kombëtarja është e një presidenti. Një shembull që tregon paradoksin e produktit që është shpërblyer të jetë në Francë, edhe pse llokmat e topit i kemi ndarë në mënyrë të gabuar. Kemi investuar për një klimë të tillë, ndaj na duket sikur nuk përbaltemi të gjithë nga deklarata e bujshme e presidentit të Armenisë, i cili, një Zot e di pse me kaq vonesë, pretendon se e kanë tradhtuar disa futbollistë në ndeshjen me shqiptarët. Dhe kur kanë pyetur në FSHF se pse nuk e hedhin në gjyq këtë shpifës, dëgjon këto fjalë qetësuese: “Zoti nuk po dëgjon thirrjet për ndihmë të Blaterit dhe Platinisë e jo të dëgjojë ato të… Armenisë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"