Lajme Flash, Te tjere — 22 Maj, 2012 08:03

Montpelie, mrekullia që surprizoi Evropën

Askush nuk e besonte, por Monteplie ia doli mbanë. Në fillim u duk si një mrekulli e momentit, një ecuri e pabesueshme, por që do ta kishte një fund. Një ekip i një qyteti me 250 mijë banorë, me një buxhet prej vetëm 36 milionë eurosh, që në fakt po surprizonte me rezultatet pozitive. Në një duel me PSG-në e sheikëve, u duk sikur ëndrra e tyre vështirë se do bëhej realitet. Por Montpelie dha një leksion futbolli, një leksion për të gjithë pasanikët e këtij sporti, se nuk mjaftojnë shpenzimet e çmendura për të fituar trofe. Klubi i Luis Nikolinit ngriti për herë të parë në histori trofeun e kampionit në Francë, duke zhvilluar një futboll të bukur, të luajtur me zemër dhe nga lojtarë që tashmë vlejnë 10 herë më shumë në merkato. Ja cilët janë heronjtë e triumfit të “hirushes” së futbollit evropian…
Rene Zhirard - Trajneri i ekipit është pa diskutim personi që ka meritën më të madhe në këtë triumf. Një teknik me një rrogë nën mesataren e kampionatin francez, ai mori drejtimin e Montpeliesë në vitin 2009. Presidenti Luis Nikolin u tregua shumë i zgjuar për ta “vjedhur”, pavarësisht se Zhirard nuk kishte shkëlqyer në aventurën e tij si trajner klubesh. Gjithsesi, tekniku drejtoi për disa vite kombëtaret U-16, U-19 dhe më pas U-21 të Francës, Kjo i dha mundësinë që të jetë një njohës i shkëlqyer i brezit të ri, duke bërë që në merkato të marrin lojtarë jo shumë të shtrenjtë, por që me premisën për të shkëlqyer dhe për të afirmuar. Me një vullnet të jashtëzakonshëm, ai praktikoi një futboll “tradite” për Ligën 1. Me një mbrojtje dhe mesfushë potente, me dy futbollistë të shpejtë nga krahët dhe me një bomber që jo vetëm finalizon saktë aksionet, por është edhe i fuqishëm fizikisht. Oliver Zhirud i plotësonte të gjitha kushtet dhe ata e blenë nga ekipi i Tursit në vitin 2010. Pikërisht përshtatja që u bëri ai lojtarëve, edhe pse jo yje të futbollit ndërkombëtar apo super të paguar, bëri që të krijohet një skuadër sa e frikshme, aq edhe e bukur për t’u parë.
Yjet - Lojtarë të rinj në moshë, por që morën përsipër statusin e liderit në skuadër dhe ia dolën mbanë që të fitojnë në garën e shumëëndërruar për titullin kampion. Edhe pse shumë futbollistë shkëlqyen me paraqitjen e tyre te Monteplie, tre u etiketuan si heronjtë kryesorë të skuadrës. Sulmuesi Oliver Zhirud kërkohet nga gjysma e Evropës tashmë. I gjatë 192 centimetra dhe me një finalizim mbresëlënës, 25-vjeçari fitoi edhe një ftesë për në Kombëtaren e Francës, duke luajtur tri ndeshje si titullar. Mesfushori Junes Belhanda është gjithashtu një futbollist që ka mrekulluar me shpejtësinë, driblimet dhe aftësinë e tij organizative. I rritur te akademia e Montepliesë, ai arriti të jetë një nga futbollistët më të rëndësishëm në sezonet e fundit, pavarësisht se sapo ka mbushur 22 vjeç. Ndërkohë, i treti është kapiteni Mapu Janga-Mbiua, i cili ka dalë gjithashtu nga akademia e klubit. Ai është ende 23 vjeç, por ka pesë sezone që luan si titullar dhe aftësia e tij udhëheqëse në fushë, kualiteti dhe ndikimi që ka në ekip, kanë bërë që të meritojë shiritin. Tre futbollistë, të cilët tashmë kushtojnë së bashku dy herë më shumë se vetë buxheti vjetor i klubit të Montepeliesë.
Luis Nikolin - Presidenti i klubit e ka marrë drejtimin që nga viti 1974 dhe suksesi më i madh ka qenë triumfi në Kupën e Francës në vitin 1994. Ai është një biznesmen që merret me përpunimin e mbetjeve industriale, por mbi të gjitha është i famshëm për karakterin e tij ekspresiv. Merita më e madhe e Nikolin për suksesin e Montepliesë, ka të bëjë jo vetëm me faktin se emëroi Rene Zhirardin në krye të skuadrës dhe i besoi merkaton por, sepse refuzoi të gjitha ofertat që i erdhën në janar për yjet e ekipit. Mes klubeve që bënë ofertë ishte edhe vetë PSG-ja, e cila jepte plot 30 milionë euro për sulmuesin Zhirud, gjithsesi Nikolin nuk u tundua, duke besuar tek ëndrra e titullit.

“Fitorja jonë, ndihmë për futbollin”
Trajneri i Montpeliesë, Rene Zhirard, mendon se triumfi i arritur nga skuadra e tij ishte një “shuplakë” për të gjithë ata që mendojnë se trofetë fitohen me para. “Ne kemi realizuar një arritje të jashtëzakonshme dhe jemi krenarë. Mendoj se kemi dhënë gjithashtu një ndihmë për futbollin, sidomos në Francë. Treguam se trofetë nuk fitohen me para, sado të shpenzosh në merkato. Mjafton të punosh shumë dhe të japësh maksimumin çdo ndeshje. Lojtarët e mi nuk njiheshin një vit më parë, ndërsa tashmë janë bërë yje”, – u shpreh Zhirard, i cili në fakt është gjithashtu në axhendën e mjaft klubeve prestigjioze.

Formacioni i vitit, dominon Montpelie
Montpelie ka dominuar në formacionin e vitit të kampionatit francez, të përzgjedhur nga “goal.com”. Janë plot katër lojtarë të trajnerit Rene Zhirard që bëjnë pjesë, ndërkohë që tre ka Lila dhe nga dy futbollistë PSG-ja me Tuluzën. Portieri më i mirë është përzgjedhur Sirigu i PSG-së. Edhe pse nuk ka qenë gardiani që ka pësuar më pak gola, ai është vlerësuar për pritjet e shumta që ka bërë dhe rolin vendimtar që ka luajtur në shumë ndeshje të rëndësishme. Në mbrojtje janë dy prej ekipit kampion të Francës, Hilton në qendër dhe Bedimo në krahun e majtë. Ndërkohë, qendërmbrojtësi tjetër është përzgjedhur Abdenur i Tuluzës. Repartin e plotëson Debushi i Lilës, për krahun e djathtë. Me një skemë 4-2-3-1, mesfusha është e përbërë nga pesë futbollistë. Si mesfushorë mbrojtës janë përzgjedhur Rio Mavuba i Lilës dhe Kapue i Tuluzës, të cilët kanë qenë me të vërtetë energjikë dhe të palodhshëm përgjatë këtij sezoni. Treshja që renditet pas bomberit kryesor përbëhet nga lojtarë të shpejtë dhe driblues të mirë. Bëhet fjalë për Hazardin e Lilës, Belhandan e Montpeliesë dhe Nenen e PSG-së. Sa i përket majës së sulmit nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përveçse të ishte zbulimi i këtij sezoni, Oliver Zhirud i Montpeliesë.

Nene e Zhirud, lufta e “Këpucës së Artë”
Oliver Zhirud i Montepliesë dhe Nene i PSG-së e kanë përfunduar kampionatin në kuotë të barabartë golash, 21 të tillë, një më shumë se Eden Hazard i Lilës. Gjithsesi, braziliani ka arritur të shënojë në më pak minuta, pikërisht 21 gola në 3033 minuta të zhvilluara, ndërkohë që bomberi francez i kampionëve të rinj, i ka shënuar për 3202 minuta. Nene ka shënuar plot nëntë herë nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa Zhirud vetëm dy herë. Ndërkohë, Hazard arriti të shpallet futbollisti që ka dhënë më shumë asiste, 13 të tillë, dy më shumë se ndjekësi më i afërt, që është Valbuena i Marsejës.

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *