Teuta super, Tërbuni shkarkon gjithë stafin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2015 | 19:56

Teuta super, Tërbuni shkarkon gjithë stafin

gargano

TËRBUNI-TEUTA 0-1
GOLI A.Magani 52′
TËRBUNI: Haxho, Peqini (Karakaçi 65′), Sulollari, Lila, Milenkoviç, Gebor (Gërxho 58′), Gavazaj, Mone, T.Marku, Malindi (Rexha 65′), Dhrami. (Në dispozicion: Merdanaj, Sulmata, Rudoviç, H.Marku). Trajner: Xhino Gargano
TEUTA: Moçka, E.Hoxha, Lukiç, Shkalla, Kotobelli, Dita, Mihani (Hodo 55′), Hila, Musta, Lamçe (Hyseni 78′), A.Magani (Çyrbja 70′). (Në dispozicion: Rexhepaj, Kuka, Kastrati, Ferraj). Trajner: Gugash Magani
KARTONË TË VERDHË: T.Marku 78′ / Shkalla 44′
DELEGAT: Millan Baçi (Tiranë) /
VËZHGUES: Prek Pjetrushi (Lezhë)
GJYQTARET K.Cjapi, I.Tartari, O.Grabova (Fier

Teuta nuk ndalet as në Pukë, duke shkaktu ar “tërmet” te Tërbuni. Një gol i Artur Maganit në pjesën e dytë i ka dhënë tri pikë shumë të rëndësishme skuadrës durrsake, që dje arriti fitoren e katërt radhazi në kampionat. Menjëherë pas ndeshjes, te pukjanët ka plasur “bomba”, pasi kryebashkiaku Gjon Gjonaj ka urdhëruar shkarkimin e gjithë stafit teknik, të kryesuar nga trajneri Xhino Gargano, ndihmësi i tij, Eduard Tanushi, si dhe drejtori teknik, Alket Kruja. Në përgjithësi, ka qenë një ndeshje e ekuilibruar, me raste nga të dyja skuadrat, por Teuta ka ditur të menaxhoj më së miri golin e Maganit, ndërsa pukjanët kanë gabuar në finalizimin e aksioneve. Kjo humbje e rikthen Tërbunin në fund të tabelës, ndërsa nga ana tjetër Teuta blindon vendin e tretë, duke konfirmuar edhe një herë ambiciet për Kupat e Europës.

Ndeshja – Në pjesën e parë pati pak raste për shënim. Më shumë është luajtur në mesfushë, teksa momenti më i bukur ka qenë kur pas një goditjeje me të djathtën në hyrje të zonës, Eri Lamçja goditi shtyllën. Tërbuni e nisi më mirë takimin, duke rrezikuar me Enco Malindin dhe Taulant Markun, ndërsa durrsakët më shumë kërkonin të godisnin vendësit përmes kundërsulmeve. Të dyja skuadrat u mbrojtën mirë në 45 minutat e para, duke lënë pak hapësira në zonat respektive. Gjithsesi, Mone dhe Dhrami mund të kishin zhbllokuar rezultatin pas rasteve që iu paraqitën. Skuadrat shkuan në pushim me shifrat e bardha 0-0. Fraksioni i dytë është më i bukur dhe me raste të pastra për shënim. Fillimisht është Dhrami që dhuron spektakël me një goditje nga jashtë zone, por që Moçka i thotë “jo” golit. Por, kur pukjanët po rregullonin lojën, vjen ndëshkimi. Pas një goditjeje nga këndi, sulmuesi Magani gjeti të papërgatitur portierin Haxho, që nuk arriti të ndërhynte në kohë, teksa topi e kishte kaluar vijën fatale. Menjëherë pas pësimit të golit, Tërbuni u hodh në sulm me shumë forca, por, para Moçkës, sulmuesit vendës nuk patën saktësinë e duhur. Marku dhe Dhrami kanë mundësi të mira shënimi, por shpërdorojnë. Teuta menaxhon mirë lojën dhe as pesë minutat shtesë nuk sjellin ndryshime. Tërbuni pëson humbjen e 10-të, duke përkeqësuar gjithnjë e më shumë pozitat.

Largimet – Xhino Gargano nuk është më trajner i Tërbunit. Italiani është shkarkuar nga detyra menjëherë pas përfundimit të takimit. Por, fatin e tij kanë pasur edhe zv.trajneri Tanushi e drejtori teknik, Kruja. Lajmin për “Panorama Sport” e konfirmoi vetë shefi i klubit pukjan, Dritan Frroku. “Pas këtij takimi, ku skuadra humbi sërish dhe jemi në vend të fundit në tabelë, klubi vendosi që të shkarkonte stafin teknik. Drejtuesit më të lartë të bashkisë organizuan një mbledhje urgjente dhe morën këtë vendim ekstrem. Tashmë ne si klub do të shohim për një staf profesionist, që ta çojë ekipin përpara dhe të qëndrojmë në Kategorinë Superiore”, ka thënë Frroku pas ndeshjes. Ndërkohë, Gargano nuk ka pranuar të prononcohet, por përpara se të mësonte lajmin për shkarkimin nga drejtuesit, në lidhje me ndeshjen ka thënë: “Tërbunit nuk i mjafton vetëm zemra për të siguruar mbijetesën. Përballë Teutës, edhe pse luajtëm mirë, u ndëshkuam në të vetmin rast që gabuam”. Ndërkohë, aventura e trajnerit italian në drejtimin e Tërbunit në Superiore zgjati vetëm pesë ndeshje. Me Garganon në krye të pankinës, pukjanët morën një barazim 1-1 ndaj Laçit në stadiumin “Ismail Xhemali”, si dhe fitoren e shumëpërfolur ndaj Bylisit, 4- 2. Italiani ka qenë te Tërbuni edhe kur kjo skuadër ka milituar në Kategorinë e Parë. Ky është trajneri i dytë që largohet nga pukjanët pas 13 jav- ëve kampionat. Fillimisht, ishte Samuel Nikaj ai që u largua pas javës së 7-të të kampionatit, ku Tërbuni u mund thellësisht në ndaj Flamurtarit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"