Vangjeli te Skënderbeu: Realizova ëndrrën. Një ditë do luaja në Korçë, Shkëmbi më bindi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2014 | 9:06

Vangjeli te Skënderbeu: Realizova ëndrrën. Një ditë do luaja në Korçë, Shkëmbi më bindi

Vangjeli dhe TakajKristi Vangjeli arrin akordin me Skënderbeun për të luajtur në ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Lajmi u konfirmua dje për “Panorama Sport” nga vetë mbrojtësi korçar, por gjithashtu edhe nga presidenti Ardjan Takaj. “Me kënaqësi mund t’ju konfirmoj se Vangjeli është zyrtarisht një lojtar i Skënderbeut. Ashtu sikundër pata premtuar, tashmë mund të shihni se kemi krijuar ekipin më të mirë, jo vetëm të këtyre katër viteve, por edhe në gjithë historinë e Skënderbeut. Mendoj se një merkato më e mirë se kjo nuk kishte se ku të shkonte”, deklaroi dje Takaj.
Deklarata – Ekskluzivisht për gazetën, Vangjeli rrëfeu emocionet e para si lojtar i Skënderbeut. Edhe pse ka nisur karrierën sportive në Korçë, mbrojtësi nuk ka mundur të luajë asnjëherë me skuadrën e vendlindjes. “Ishte ëndrra ime e parealizuar që unë një ditë të luaja për ekipin e vendlindjes. Tashmë jam i lumtur që do të kem këtë mundësi. Kam arritur një marrëveshje me presidentin Takaj vetëm për ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Nëse do të marr një ofertë të rëndësishme gjatë kësaj periudhe nga jashtë Shqipërisë, atëherë do të largohem”, sqaroi fillimisht Vangjeli. Më pas ai foli për tratativat dhe njerëzit që e bindën për të luajtur me fanellën e skuadrës së zemrës. “Së pari, kënaqësia ishte shumë e madhe nga ana ime. E kam menduar edhe vite më parë që një ditë do të luaja në klubin ku hodha hapat e parë të karrierës. Gjithmonë e kam pasur derën e hapur si nga presidenti aktual, Ardian Takaj, po ashtu dhe nga ishpresidenti Agim Zeqo, që kanë kontribuar jashtëzakonisht për Skënderbeun. U jam mirënjohës këtyre dy personaliteteve. Sa i përket atyre që më bindën të bëja këtë zgjedhje, sigurisht i pari ishte kapiteni Bledi Shkëmbi dhe gjithashtu familja ime”, është shprehur mbrojtësi 28-vjeçar, i cili, gjatë karrierës së tij, ka luajtur për dy klube: Arisin e Selanikut në Greqi dhe Çernomorets Odesën në Ukrainë. Ndërkohë, me fanellën kuqezi të Kombëtares është aktivizuar në 33 ndeshje. I pyetur se cili ka qenë urimi më i bukur që ka marrë pas zyrtarizimit të transferimit te Skënderbeu, korçari shtoi: “Urimet kanë qenë vërtet të shumta, veçanërisht nga miqtë e mi, të cilët e dinin prej kohësh dhe e prisnin këtë kalim”. Në fund, i pyetur për anën financiare, Vangjeli u tregua modest. “Nuk bëhet fjalë për lekë. Ishte më shumë kënaqësia që të vija te Skënderbeu. Por, kjo nuk do të thotë që do të vij falas. Gjithsesi, janë gjëra personale të miat dhe presidentit Takaj”.
Shifra – Në klub nuk dëshirojnë të japin shifra, por burime të gazetës pranë drejtuesve treguan dje se Vangjeli pritet të përfitojë një shumë prej 10 mijë eurosh nëse Skënderbeu kalon turin në Ligën e Kampioneve. Në të kundërt, mendohet se mbrojtësi do të marrë një shifër më të vogël. Nuk përjashtohet mundësia që pas angazhimit në Champions, Vangjeli të firmosë për një sezon.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"