Vila, Batha dhe Rrahmani i bashkohen ekipit në Bullgari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2014 | 11:15

Vila, Batha dhe Rrahmani i bashkohen ekipit në Bullgari

Batha dhe DemiEmiljano Vila, pas prezantimit të djeshëm, menjëherë ka marrë rrugën drejt Bullgarisë për t’iu bashkuar ekipit që prej disa ditësh përgatitet në Bansko. Së bashku me durrsakun kanë udhëtuar edhe mesfushori Idriz Batha dhe mbrojtësi Amir Rrahmani, të cilët për disa ditë kanë mbetur larg ekipit, pasi ishin peng i pasaportave që i kishte grumbulluar ekipi kombëtar U-21 për miqësoren me Katarin. Duke ditur se Ambasada Britanike nuk i pajisi me viza kuqezinjtë e trajnerit Skënder Gega, gjë e cila solli edhe dështimin e miqësores, dje Batha dhe Rrahmani u janë bashkuar Vilës për të udhëtuar drejt Bullgarisë. Grumbullimi i pasaportave nga FSHF për miqësoren e Shpresës me Katarin, që ishte planifikuar të luhej në Skoci, bëri që Batha dhe Rrahmani për një javë të vijonin përgatitjet në kryeqytet duke mbetur larg ekipit. Kështu që nga sot, trajneri Shpëtim Duro do ta ketë të plotë grupin e lojtarëve në Bansko, pasi i shtohet edhe treshja Vila-Batha-Rrahmani. Partizani ka planifikuar që të përgatitet në Bullgari deri më 13 gusht, kështu që në javën e dytë trajneri Duro e ka të plotë grupin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"