Vllaznia, vijnë dy sulmues për provë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2016 | 13:28

Vllaznia, vijnë dy sulmues për provë

Merkatoja e Vllaznisë nuk është mbyllur ende. Ashtu siç është bërë e ditur, skuadra shkodrane mund të federojë edhe ndonjë sulmues tjetër me ekipin e Vllaznisë B deri më 15 shkurt. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë ndërhyrë sërish duke tentuar gjetjen e një sulmuesi.

Në kuadër të përforcimit të ekipit në Shkodër kanë mbërritur dy sulmues, Kevin Tano dhe Choupo Landry Loic, të cilët do të testohen nga stafi teknik. Të mërkurën në darkë, në Shkodër ka mbërritur sulmuesi nigerian me pasaportë holandeze Kevin Tano.

23- vjeçari ka luajtur me disa ekipe dhe së fundmi është në Kategorinë e Dytë në Izrael me ekipin Makabi Herzliya. Para se të shkonte atje, Tano ka luajtur kryesisht në ligat e dyta në Holandë dhe Belgjikë, megjithatë, nisur nga konstrukti i tij fizik, mund të jetë një lojtar i vlefshëm për Vllazninë duke parë mangësitë që ajo ka në repartin e sulmit.

Kevin Tano ka zhvilluar dje seancën e parë me ekipin shkodran dhe po ashtu do të stërvitet edhe nesër, para se trajneri Cungu të japë një mendim përfundimtar për të, ngaqë nuk ka më shumë kohë në dispozicion për ta testuar. Ende nuk mund të thuhet asgjë nëse ai do ta kalojë këtë provë apo jo. Pas holandezit Tano, pasditen e djeshme në Shkodër ka mbërritur edhe sulmuesi i dytë i huaj për provë.

Pikërisht bëhet fjalë për kamerunasin 20-vjeçar, Choupo Landry Loic. Sulmuesi nga Kameruni sot do të jetë në dispozicion të trajnerit Cungu për t’u testuar së bashku me sulmuesin Tano. Choupo Landry Loic vjen nga futbolli kamerunas, ku ka luajtur me ekipin Unisport FC de Bafang, që është në ligën e parë të Kamerunit.

Ndërkohë, kohët e fundit, Landry ka qenë në Francë, ku është stërvitur me ekipin e dytë të Olimpik Lion. Tashmë, kërkon një aventurë të re në Shqipëri, megjithatë ende nuk dihet saktësisht se çfarë do ndodhë. Vllaznia vërtet ka nevojë për një sulmues, por nëse të huajt nuk bëjnë diferencën me Kalajën apo Çinarin, atëherë do të rikthehen andej nga erdhën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"