Zhgënjen Tirana, Laçi i Cungut i jep leksion. Acarohet Magani: S’dua gjeneralë në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2014 | 23:00

Zhgënjen Tirana, Laçi i Cungut i jep leksion. Acarohet Magani: S’dua gjeneralë në fushë

Laci-Tirana, kurbinasit gezojne golinLAÇI-TIRANA  2-0
GOLAT: Cetkoviç 30′, Nimani 75′
LAÇI: Vujadinoviç, Doku, Sheta, Buljan, Sefgjini (Sefa 76′), Teqja, Zefi, Cetkoviç (Çarls 76′), Veliaj, Nimani (Memelli 87′), Xhejms; Trajner: A.Cungu. (Në dispozicion: Llani, Jubani, Bardhi, Bilibashi).
TIRANA: Frashëri, Kërçiku (Malaj 46′), Pashaj, Muça, Idrizaj (Hyshmeri 60′), Bulku, Karabeci, Taku, Morina (Kagere 46′), Ndikumana, Bushiç; Trajner: G.Magani. (Në dispozicion: Çaka, Olaki, Kalari, Gavazaj)
KARTONË TË VERDHË: Zefi 71’/ Ndikumana 52′, Kagere 87′, Taku 90′
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)
DELEGAT: Bujar Prengja (Tiranë)
GJYQTARET: A.Koçi, F.Lamaj, E.Veli (Durrës)

MINUTAT
2′ Xhejms lëviz bukur në krah, futet në zonë, krijon hapësirën e nevojshme, gjuan, por mbi tra.
8′ Cetkoviç provon nga distanca. Topi kthehet pas nga mbrojtja e shkon te Veliaj, i cili provon të majtën e tij, por jashtë kuadratit.
9′ Kundërsulm i Laçit me Zefin nga e djathta. Mesfushori shtatshkurtër pason për Cetkoviç në qendër, i cili godet jashtë kuadratit.
16′ Karabeci përfiton nga një gabim në mesfushën vendëse, nis Bushiç, por portieri vendës nuhat gjithçka, duke dalë e larguar topin me këmbë.
19′ Nimani bën çfarë të dojë me mbrojtjen mike, por kur del përballë portierit Frashëri, godet mbi traun e portës.
25′ Xhejms në hyrje të zonës gjuan fort, por topi përfundon fare pranë shtyllës pingule.
30′ Cetkoviç nis një kundërsulm për vendësit që përmbyllet me gol të shënuar pikërisht nga malazezi, pas kombinon mjaft bukur me Xhejms dhe 1-0.
32′ Taku në zonë godet diagonal, por jashtë portës së mbrojtur nga Vujadinoviç.
34′ Morina provon nga distanca, por gjuajtja e tij është e pasaktë.
35′ Xhejms lëviz mjaft bukur në të djathtë, shmang Pashajn e nis një top për Nimanin, i cili nuk arrin të shënojë.
39′ Top në zonë për Xhejms që godet, por Pashaji, i ndodhur fare pranë, e devijon topin në korne.
49′ Taku kroson për Ndikumanën, i cili godet mbi tra.
55′ Bulku ekzekuton një goditje dënimi nga e majta e sulmit mik. Topi parakalon gjithë zonën e portës së Laçit, por askush nga lojtarët bardheblu nuk mundi ta devijonte .
57′ Kagere nuk shfrytëzon dot një kros në zonën kurbinase prej Bushiç, por devijimi i tij largohet prej Vujadinoviç.
58′ Kundërsulm i Laçit me Cetkoviç, i cili kroson për Buljan, por topi i gjuajtur nga kroati ndalet në shtyllë.
61′ Kombinime të bukura mes Cetkoviç e Nimanit. Shkodrani shërben për Xhejms në zonë, godet sulmuesi, por topi devijohet nga mbrojtja për të shkuar në këmbët e Teqjes, i cili gjuan, por pa krijuar rrezik.
65′ Kundërsulm i vendësve me Cetkoviç, i cili shërben për Zefin nga e djathta për Xhejms. Topi devijohet nga mbrojtja mike dhe për pak përfundon në rrjetën e portës së mbrojtur prej Frashëri.
70′ Cetkoviç në hyrje të zonës godet fort, por devijon mbrojtja mike.
75′ Cetkoviç pason për Veliajn, mesfushori beratas asiston për Nimanin, i cili godet në zonë, Frashëri është i pasigurt dhe nuk e shmang dot golin, 2-0 për Laçin.

Tirana bie në Laç. Kurbinasit kanë siguruar fitoren e parë sezonale, duke mposhtur 2-0 bardheblutë. Golat e Cetkoviç dhe Nimanit kanë zbritur me “këmbë në tokë” kryeqytetasit, të cilët pësuan dje humbjen e parë në kampionat. Ka qenë një 90- minutësh i dominuar totalisht nga vendësit, të cilët kanë luftuar fort për çdo top, duke shfaqur supremaci ndaj një skuadre gjeneralësh dhe milionash. Në fund festa e vendësve ishte më se e ligjshme, ndërsa Tirana e drejtuar nga Magani merr goditjen e parë që i zbret në vendin e 4-t, por përtej rezultatit ajo që rëndon më tepër ishte loja pa ide dhe apatike që zhvilluan.
Pjesa e parë Ndeshja nis e shpejtë për vendësit, të cilët rrezikojnë që në minutën e 2-të me anë të nigerianit Xhejms, që futet në zonë dhe godet diagonal, por topi shkon vetëm mbi tra. Më pas janë Cetkoviç e Veliaj, që mundohen ta vënë në provë portierin mik, por gjuajtët e tyre janë të pasakta dhe nuk përbëjnë rrezik për kundërshtarin. Tirana mundohet ta qarkullojë topin e momenti i parë i rrezikshëm për ta vjen në minutën e 16-të, kur Karabeci nis Bushiçin, por Vujadinoviç nuhat gjithçka e tregohet më i shpejtë duke e larguar me këmbë topin. Rasti më i pastër për gol shënohet në minutën e 19-të. Nimani bën gjithçka mirë në krah, shmang Kërçikun, del i vetëm përballë portierit, kontrollon me finesë topin, gjuan, por vetëm mbi tra. Duket qartë që Laçi kërkon vetëm të fitojë dhe Xhejms i afrohet golit, por topi i gjuajtur prej tij përfundon fare pranë shtyllës pingule. Tentativat e kurbinasve marrin rezultat në të 30-ën, Cetkoviç nis një aksion model, pason te Xhejms dhe më pas nigeriani asiston për malazezin, i cili gjuan dhe 1-0. Miqtë mundohen të bëjnë diçka, teksa Taku provon një diagonal, por topi përfundon jashtë. Ky fraksion mbyllet me Laçin në avantazh.
Pjesa e dytë Magani e nis 45- minutëshin e dytë me ndryshime. Ai aktivizon Kageren e Malajn, zëvendësimet e të cilëve shoqërohen edhe me spostime taktike. Ndërsa Cungu u beson të njëjtëve. Kurbinasit duken disi më të tërhequr, por gjithnjë të gatshëm për të kapur në befasi kundërshtarin. Ndikumana ka një rast për Tiranën pas një krosimi të Takut në të 49- ën, por sulmuesi anësor godet mbi tra. Më pas është Bulku, që ekzekuton një goditje dënimi, topi parakalon gjithë zonën, por asnjë nga sulmuesve miq nuk arrin të devijojë. Sërish bardheblutë që mundohen të bëjnë diçka në të 57-ën minutë, por as Kagere nuk tregohet i vëmendshëm. Pas këtij rasti janë vendësit që rimarrin “frenat” e lojës, duke goditur shtyllën me anë të Buljan. Lëviz sërish tekniku Magani, që hedh në fushë Hyshmerin për Idrizajn, por laçianët vazhdojnë të kundërsulmojnë, teksa i afrohen golit me Xhejmsin, por pa rrezik. Në të 65-ën minutë bardheblutë për pak nuk shënuan në portën e tyre, pas një aksioni nga krahët me Zefin, që mundohet të shërbejë për Xhejms, por topi devijohet nga Pashaj. Goli i sigurisë për Laçin siglon në të 75-ën, Cetkoviç pason për Veliajn, mesfushori beratas asiston për Nimanin, i cili godet në zonë, Frashëri është i pasigurt dhe nuk e shmang dot golin, 2-0. Minutat e mbetura nuk sjellin asnjë ndryshim, përveç tri zëvendësimeve të Cungut, që hedh në fushë Sefën, Çarls e Memellin. Vërshëllima e fundit vjen dhe ajo shoqërohet me festë nga bardhezinjtë.

MË I MIRI
Laçi ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë, ku kanë qenë të shumtë lojtarët që ranë në sy me performancën e tyre pozitive. Cetkoviç ka qenë pa dyshim më i miri, duke ndërtuar pothuajse të gjitha aksionet sulmuese të vendësve, ndërkohë që arriti të zhbllokonte dhe rezultatin. Gjithashtu vlen të përmenden Xhejms e Nimani, të cilët ishin një rrezik konstant për miqtë.

MË PAK AKTIVI
Tirana ndaj Laçit u duk e përgjumur, duke filluar nga mbrojtja, që ishte në një ditë “jo”. Defensiva futi “ujë” nga të gjitha anët. Gjithashtu edhe sulmi ishte inekzistent me Tomislav Bushiç, që në 90 minuta nuk arriti as ta godiste portën. Edhe Mario Morina nuk bëri thuajse asgjë gjatë pjesës së parë që u aktivizua. Në kompleks loja e bardheblu la për të
dëshiruar.

Cungu ne konference shtypi pas ndeshjes me MetalurgunCungu: Ndeshje perfekte, por mund të shënonim më shumë
Laçi siguron fitoren e parë, po ashtu edhe Armando Cungu. Trajneri shfaqet më shumë se i lumtur me kthesën, e cila vjen pas 4 javësh pritje. Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën, në fund të takimit, ai analizon lojën, teksa thekson se mund të kishin shënuar edhe më shumë se dy gola. “Kjo fitore ishte e rëndësishme për ne, jo vetëm prej pikëve që na ngrenë në tabelë, por edhe për moral. Mund të them pa frikë se kjo ishte ndeshja perfekte për ne. Pati brenda luftë të madhe sportive, rrjedhshmëri aksionesh e gjithashtu edhe raste të shumta të humbura që mund të bënin që rezultati të ishte më i thellë. Pas 4 javësh që e prisnim këtë fitore, erdhi. Ka pasur një kompleksitet gjërash që na kanë munguar në këto javë të para. Problematika kryesore ka qenë finalizimi, pasi kemi krijuar raste, por nuk i kemi shfrytëzuar siç duhet. Gjithashtu skuadra ka ndryshuar nga vjet, teksa largimi i Vucajt ka pasur ndikimin e vet te skuadra, ndërsa janë afruar disa lojtarë në ekip që duhet të përshtateshin me pjesën tjetër të skuadrës. Kemi lojtarë si Memelli, Sefa e Cetkoviç që nuk kanë qenë në kondicionin e duhur gjatë këtyre javëve për shkak të mungesës së stërvitjes, ndërsa dita-ditës edhe ata po bëhen një me pjesën tjetër të ekipit e në javët në vijim do t’i japin ndihmën e tyre skuadrës. Në mentalitetin tim si trajner, është e papranueshme të futesh në fushën e lojës për të humbur ose barazuar. Kam gjetur edhe dakordësinë me lojtarët që në çdo ndeshje të futemi në fushën e blertë për ta fituar ndeshjen. Objektivi ynë në çdo ndeshje është të marrim maksimumin pavarësisht se ku luajmë. Në këto javë të para kemi pasur ndeshje mjaft të vështira e nuk ka qenë e lehtë për ne. Janë disa ekipe mjaft cilësore që synojnë titullin dhe e bëjnë kampionatin në kompleksitet mjaft të vështirë. Nuk është e lehtë të fitosh ndaj një Tirane me kualitete siç bëmë ne sot. Pra, ne do të futemi në çdo ndeshje për të marrë pikë e them se Laçi do të marrë pikë edhe jashtë, ashtu siç ka bërë edhe në sezonet e shkuara”, përfundoi Cungu.

“U kthyem, e merituam suksesin”
Marko Cetkoviç është pa dyshim lojtari i ndeshjes ndaj Tiranës, teksa ishte iniciator i shumë prej sulmeve të vendësve. “Ishte një ndeshje e madhe. Luajtëm shumë mirë. Skuadra funksionoi në mënyrën e duhur, por duhet të kishim shënuar edhe më tepër. Jam shumë i kënaqur për këtë fitore dhe golin e shënuar. E di mirë që këtu ka qenë Vucaj, një lojtar i mirë, por tani skuadra duhet të mësohet edhe pa të. Tani na është rikthyer morali dhe besimi, gjë që duhet ta shfrytëzojmë në maksimum. Kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira edhe ndaj Kukësit e Teutës, apo Partizanit në shtëpi, por shtyllat dhe rastet e pastra i kanë shpëtuar kundërshtarët nga humbja. Tani duhet të mendojmë për takimin e radhës. Duhet të mos lëshojmë pe ndaj Flamurtarit. Pa frikë dhe me zemër, ia dalim në çdo ndeshje”, tha malazezi.

“Goli, për familjen dhe tifozët”
Valdano Nimani vazhdon të jetë një nga pikat kyçe të Laçit. Pas ndeshjes, shkodrani është shprehur i lumtur për pikët e para, por edhe për golin. Këtë të fundit, ia dedikon familjes së tij që i ka qëndruar pranë gjatë kësaj kohe që ka qenë i dëmtuar si edhe tifozëve. “Ishte një fitore me mjaft vlera kjo e sotshmja që erdhi në momentin e duhur për ne. E kishim vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe arritëm ta mposhtim atë duke fituar 2-0. Rezultat që mund të kishte qenë edhe më i thellë nëse do të ishim treguar më të saktë para portës. Na duhej kjo fitore pasi na rrit moralisht e na nxit të punojmë edhe më fort në vazhdimësi. Golin ia dedikoj familjes time që më ka qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe që kam qenë i dëmtuar e gjithashtu edhe tifozëve tanë”, tha Nimani për gazetën në fund të takimit.

Magani, Muca dhe Karabeci te Zyber HallulliMagani: S’dua gjeneralë në fushë
Vjen humbja e parë. Një disfatë e pë suar në transfertë dhe që e kthen me këmbë në tokë Tiranën. Tashmë janë të 4-t në renditje dhe kjo rëndon jo pak mbi bardheblutë. Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, ka rezerva për ekipin e tij. Humbja e parë e pësuar në Laç, nuk do të përtypet lehtë në kampin kryeqytetas. Numri një i stolit, përtej disfatës, evidenton paraqitjen në fushën e blertë të lojtarëve të tij që ka lënë shumë për të dëshiruar. Fjalët e tij për mediat kanë qenë të pakta, duke qenë se klubi i Tiranës është në heshtje për shtyp, por, për të respektuar rregullin, ai nuk ka ngurruar që të komentojë këtë 90-minutësh. “Mendoj se Laçi e meritoi plotësisht fitoren. Do të bëjmë analizë të detajuar gjatë ditëve të ardhshme”, tha fillimisht Magani gjatë deklaratës së dhënë për TVSH-në. Ai e pranoi hapur se skuadra e tij nuk meritonte më shumë se kaq. Gjeneralët Ka evidentuar faktin që në fushë nuk ka lojtarë punëtorë, por gjeneralë. Pjesë që e shqetëson së tepërmi dhe shpreson që në vazhdim diçka të ndryshojë. “Në sfidën e sotme (djeshme) me Laçin ekipi im kishte shumë gjeneralë e asnjë ushtar e kjo është diçka që mua nuk më pëlqeu aspak”, shtoi trajneri peqinas i bardhebluve.
Analiza Do të ketë një analizë të detajuar dhe këtë e ka pranuar publikisht. Ai thekson se nuk mund të vazhdohet me të njëjtin ritëm. Dihen tashmë synimet e Tiranës, ata pretendojnë titullin. Por një ekip që kërkon majat, fillimisht duhet që të fitojë edhe në fusha kundërshtare, gjë që bardheblutë nuk e kanë arritur ende. “Këtë situatë ne do ta sqarojmë mes nesh në ditët në vijim, pasi nuk mund të ecet në këtë mënyrë”, është shprehur Gugash Magani pas ndeshjes me Laçin.
VLADIMIR PRENGA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"