Zoom — 18 Qershor, 2012 12:09

Shala dhe Gega, me normë në “Londër 2012”

Kombëtares olimpike të Shqipërisë i shtohen nga Ohri edhe emrat e dy rekordmeneve të pistave. Klodiana Shala dhe Luiza Gega arritën normën olimpike, në 200 dhe 1500 metra. Nëse për Shalën e ndarë mes administratës si eprore e Agjencisë së Shërbimit të Sporteve dhe atletikës, kjo do të jetë pjesëmarrja e katërt në Olimpiada pas Sidneit të 2000-s, Athinës të 2004- s dhe Pekinit të 2008-s me ftesë, për Gegën kjo do të jetë premierë. Lajmi i kualifikimit është konfirmuar në linjë telefonike nga presidenti i federatës Gjergj Ruli dhe trajneri Taulant Stërmasi. “Të pranishme në eventin ndërkombëtar, kampionatin kombëtar i Maqedonisë për të rritur të miratuar nga EEA dhe IAAF, Luiza Gega e Klodiana Shala arritën normën olimpike. Ndërsa atletja Shala realizoi kohën me fotofinish 23″27 nga 23″30 që është norma, Gega vulosi kualifikimin me kohën po me fotofinish 4’08″65 nga 4’08″90. Përpos normës, atletja Shala vendosi sigurisht edhe rekord kombëtar duke përmirësuar kohën e saj të mëparshme 23″55. Nga ne absolutisht që kanë qenë rezultate të pritshme, nëse do të merrnim për bazë ecurinë e deritanishme të atleteve. Në eventin e fundit kombëtar atletja Shala pati një kontraktim, por përgjatë javës arriti të riaftësohet plotësisht. Tashmë objektivat e tyre finale të sezonit dhe shumë të rëndësishme për karrierën u finalizuan suksesshëm. Pjesëmarrja e fundit është Finlanda ku Gega do të kërkojë thyerjen e rekordit. Në vazhdim kemi në program zhvillimin e një faze përgatitore, por ende nuk është detajuar si program meqenëse primare ka qenë kualifikimi”, – deklaroi për gazetën “arkitekti” i atletikës, Stërmasi. Ndërsa 33-vjeçarja, e “regjur” me Olimpiadat, u shpreh se rezultati ishte i pritshëm, por fakti që kësaj here kualifikohet direkt e bën edhe më ekzaltuese pjesëmarrjen në Londër. Mes emocioneve e ka përcjellë prerjen e biletës olimpike edhe Luiza Gega.

Kombëtarja olimpike
Klodiana Shala atletikë
Luiza Gega atletikë
Adriatik Hoxha atletikë
Romela Begaj peshëngritje
Endri Karina peshëngritje
Daniel Godelli peshëngritje
Briken Calja peshëngritje
Hysen Pulaku peshëngritje
Majlinda Kelmendi xhudo
Sidni Hoxha not
Noel Borshi not
Arben Kuçana qitje

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *