Aksion kundër evazionit, hetohet edhe transferimi i Erjon Bogdanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2016 | 9:41

Aksion kundër evazionit, hetohet edhe transferimi i Erjon Bogdanit

Tërmetet në Serinë A kanë qenë të vazhdueshme në vitet e fundit, por lëkundja e radhës ka ardhur mëngjesin e djeshëm.

bogdaniProkuroria e Napolit ka nisur një kontroll të befasishëm, një aksion të koduar “Operacioni jashtë loje” (“Operazione Fuorigioco”) dhe ka urdhëruar kontrollin në banesat e 64 personave, disa prej të cilëve emra shumë të rëndë- sishëm të futbollit italian.

Mes tyre ka futbollistë, menaxherë lojtarësh dhe drejtues të lartë klubesh mes Serisë A dhe B, të hetuar dhe akuzuar për evazion fiskal, si dhe falsifikime në dokumente. Kontrollet po kryhen nga policia financiare italiane (“Guardia di Finanza”), e cila kishte marrë mëngjesin e djeshëm mandatin për të kontrolluar banesat e këtyre personaliteteve në të gjithë Italinë.

Vala e parë e kontrolleve ka arritur të sekuestrojë të mira materiale për një vlerë monetare prej 12 milionë eurosh, ndonëse kontrollet pritet të vazhdojnë në ditët dhe javët në vazhdim, ndërsa për hetimet dhe zbardhjen e tyre pritet të duhen disa muaj.

Ndër emrat më të famshëm në rang drejtuesish që janë vënë nën hetim spikasin ato të administratorit të deleguar të Milanit, Adriano Galiani; presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis; ai i Lacios, Klaudio Lotito, si dhe ish-presidenti i Juventusit, Zhan-Klod Blank. Ndërkohë, për sa u përket futbollistëve më të njohur janë ishsulmuesi dhe aktualisht trajneri i Modenas, Hernan Krespo, ishnapolitani Ezekiel Laveci, ish-interisti Diego Milito, ish-juventini Adrian Mutu, por edhe shumë të tjerë.

Ndërkohë, thuajse në të gjitha transferimet që po hetohen, nuk mungon emri i menaxherit të mirënjohur, Alesandro Moxhi, djali i ish-drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, Luçiano Moxhi. Në transferimet dhe dosjet kontraktuale që po hetohen, është edhe ajo e ish-sulmuesit shqiptar, Erjon Bogdani, aktualisht ndihmësi i trajnerit Xhani De Biazi në Kombëtaren e Shqipërisë.

Për Erjon Bogdanin po hetohet transferimi i tij, nga Kievo te Çezena, ndonëse në këtë çështje nuk përfshihet hetimi i lojtarit, por ai i procedurave dhe ndërmjetësimit kontraktual nga Alesandro Moxhi. Gjithsesi, në pritje për të mësuar diçka më shumë rreth kësaj çështjeje të radhës në Itali, me të gjitha klubet e përfshira që kanë shfryrë në kor se kjo është një tymnajë e kotë dhe pa baza, avokati ekspert i të drejtave sportive, Eduardo Kiaço, nënvizon:

“Mendoj se hetimet për këtë çështje do të përfundojnë pas disa muajsh, por që të jemi të qartë, këto hetime nuk do të ndikojnë aspak në kampionatin aktual, në ato të ardhshëm, apo në ata të kaluarit. Në të tilla raste, klubet nuk penalizohen, ndoshta drejtuesit do t’ia hedhin me ndonjë paralajmërim e gjobë, pasi kryefjala e këtij aksioni është anulimi i të ashtuquajturit ‘dopingu administrativ’, i cili bëhet më së shumti nga menaxherët e lojtarëve, në lidhje me përfitimet e tjera që kanë lojtarët, për parà që jepen për të drejtat e imazhit të futbollistëve apo ‘ndere’ të paguara nën dorë, për transferimin e një lojtari nga një klub në një klub tjetër, duke ngritur kështu një konkurrencë të pandershme”.

Pas kontrolleve në banesa, policia financiare do të nisë të hetojë edhe dokumentacionet e klubeve, ku nga dje “Guardia di Finanza” i ka bërë vizitë selisë së Milanit të parit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"