Allmuça në krye të Dinamos: Do nisë ngjitja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2015 | 13:09

Allmuça në krye të Dinamos: Do nisë ngjitja

allmucaMerr fund “telenovela” e trajnerit te Dinamo. Pas një kalvari të gjatë mendimesh, diskutimesh, tratativash dhe idesh për zgjedhjen e trajnerit të ri të skuadrës, drejtuesit e klubit kanë vendosur dje që trajneri i ri i ekipit të jetë Igli Allmuça.

Lojtari po kryen kursin e trajnerit dhe më datë 4 korrik merr licencën dhe do të jetë gati për të provuar një eksperiencë të re, atë të trajningut.

Deri në fund të kampionatit të kaluar ai luajti për një gjysmë sezoni me blutë duke qenë edhe kapiten. Pas një eksperience të gjatë si lojtar, Allmuça vendos që në moshën 34-vjeçare të heqë dorë nga futbolli aktiv dhe të ulet në stol për të drejtuar Dinamon. Ndërkaq, tekniku Faruk Sejdini, që drejtoi blutë në fazën e tretë të kampionatit të kaluar, është vendosur që të jetë pjesë përbërëse e stafit teknik. Ai do të jetë në rolin e drejtorit teknik duke bërë këshilltarin. Këto janë vendimet dhe lëvizjet e para brenda klubit, vendime që do pasojnë me një projekt për ringritjen e Dinamos. Allmuça edhe më parë e kishte shprehur hapur ambicien e tij për t’u bërë trajner i Dinamos.

Allmuça

Dje ka pasur një takim mes Allmuçës dhe administratorit të klubit, Ismet Saliaj, në një nga kafenetë e kryeqytetit dhe është marrë përfundimisht vendimi që ish-kapiteni të udhëheqë skuadrën për sezonin e ardhshëm në rolin e trajnerit. Ndërsa vetë Allmuça në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” shprehet:

“Falënderoj drejtuesit për këtë mundësi që më dhanë dhe për besimin po aq të madh që treguan ndaj meje. Do t’ua shpërblej me punë dhe do bëj më të mirën ashtu siç kam bërë edhe si futbollist. Ne do ruajmë grupin dhe pastaj do të fillojmë afrimet. Dinamo do të ringrihet dhe do të ngjitet aty ku e ka vendin, në Superiore. Është privilegj të marr postin e trajnerit të një klubi me histori ku unë kam kujtime të shumta”, përfundon prononcimin e tij trajneri i ri i Dinamos, Igli Allmuça. Ndërkaq, pritet që ekipi të grumbullohet pas disa ditësh për të nisur fazën përgatitore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"