Bakaj: Gol i bukur, nuk dorëzohemi për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2015 | 15:47

Bakaj: Gol i bukur, nuk dorëzohemi për titullin

bakaj

Elis Bakaj ka realizuar një nga golat më të bukur të karrierës së tij dhe pa dyshim mund të cilësohet një ndër më të bukurit që kemi parë në këto 12 javë në Superiore. Sulmuesi, falë kryeveprës që realizoi dje, u dha një trepikësh të artë bardhebluve në Ballsh. I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në TVSH, sigurisht që është shfaqur i kënaqur për “perlën” e tij, ndonëse evidenton faktin që më shumë vlerë ka rezultati final. “Goli im hyn te ‘të bukurit’, pasi ishte i vështirë për shkak edhe të pozicionit.

Kisha edhe fat në fakt, pasi topi mund të shkonte pak centimetra mbi tra. Edhe pse jam i kënaqur që shënova, e rëndësishme është që ai top kaloi vijën fatale dhe ne morëm tri pikë tejet të çmuara”, u shpreh fillimisht “heroi” i fitores së bardhebluve. Kur pyetet se cila është skuadër më e mirë, Partizani apo Skënderbeu, fantazisti përgjigjet: “Tirana (qesh).

Me aq sa e njoh unë futbollin shqiptar, mund të them që diferencat janë tejet të vogla, për të mos thënë që nuk ka fare. Ekipet që kanë gabuar më pak, aktualisht kanë më shumë pikë. Madje, edhe skuadrat që janë në vendet e fundit të hapin mjaft punë, kështu do të ndodhë deri në fundin e këtij sezoni. Më shumë nuk mund të them, pasi do të paragjykohesha. Ndaj mos më kërkoni të them se cila është më e mira. Titulli? Gara vazhdon, madje deri në fund të fazës së dytë kam bindjen se situata në renditje do të jetë ndryshe. Sikundër kanë gabuar të gjithë, do t’i ndodhë edhe Partizanit apo Skënderbeut. Ne nuk dorëzohemi, njeriu pa objektiva më mirë të mos e vazhdojë garën”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"