Gol në rastin e parë, Cikalleshi: Tashmë rifitova qetësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2015 | 21:08

Gol në rastin e parë, Cikalleshi: Tashmë rifitova qetësinë

cikalleshi

Rikthehet të luajë si titullar dhe bën atë që di. Të shënojë! Sokol Cikalleshi ka dhënë një përgjigje siç dinë të japin lojtarët punëtorë dhe bomberat e vërtetë. Dy ndeshjet e fundit, dy gola dhe katër pikë për ekipet e tij, Kombëtaren dhe skuadrën turke. Istanbul Basaksehir ka fituar tri pikë të arta në transfertë kundër Gaziantepspor. Ka qenë minuta e 48-të e pjesës së dytë, kur sulmuesi merr një pasim në hyrje të zonës, e ndalon mirë topin, futet në zonë dhe më pas shënon me të majtën. Me gjithë ndërhyrjen e mbrojtësve, bomberi kuqezi ia ka dalë që të gjejë rrugën e rrjetës. “Ishte shansi i parë që m’u dha gjatë ndeshjes dhe e shfrytëzova”, shprehet Cikalleshi nga Turqia për “Panorama Sport”. Më tej, sulmuesi tregon një lloj lehtësimi tashmë që ka arritur të tregojë veten e tij në këtë ndeshje, por edhe çlirimin që i ka sjellë goli i barazimit kundër Gjeorgjisë.

Riktheheni në fushë dhe shënoni, cila ishte ndjesia e parë sapo shënuat?

Lehtësim dhe kënaqësi e madhe. Ishte rasti i parë që kisha mundësi për të shënuar dhe ia dola. Në atë moment nuk ke shumë kohë për të menduar, pasi do vetëm të festosh, por më besoni që në atë fragment më janë rikujtuar të gjitha orët e shumta të punës që kam bërë deri tani.

Çfarë do të thotë ky gol për ju, pikërisht me rikthimin në formacion?

Kam punuar shumë gjatë gjithë kësaj kohe dhe e kam pritur momentin tim. Këtu jam në një ekip shumë cilësor dhe konkurrenca nuk është aspak e lehtë. Unë kam bërë detyrën time në çdo seancë stërvitore dhe duhej ta bëja edhe në ndeshje. Them që pas golit me Kombëtaren, ky më çliron plotësisht.

Ju ka munguar minutazhi në ekip?

E kuptoj tendencën e pyetjes, por e përsëris që këtu jam në një ekip cilësor. Skuadra është e bashkuar dhe ne të gjithë duam që të arrihen objektivat sezonalë dhe ta shohim ekipin sa më lart.

Çfarë ju tha trajneri personalisht pas këtij goli me vlerë?

Në një ndeshje nuk mund të bëhen veçime. Fitojmë të gjithë dhe humbasim të gjithë, dhe kjo fitore e sotme na ngjit në vendin e tretë. Është diçka e rëndësishme për ne, pasi duam që të jemi mes katër më të mirave në Turqi.

Ky gol, a ishte më së shumti një mesazh për trajnerin tuaj?

Është detyrë e trajnerit që të vendosë se kush luan dhe se kur është momenti për secilin lojtar, dhe unë e kam respektuar vendimin e tij dhe do ta bëj gjithmonë. Ndihem mirë te kjo skuadër dhe e përsëris që të gjithë jemi shumë të lumtur me këtë trepikësh. Detyra e çdo lojtari është që të justifikojë besimin kur i jepet, ose të presë shansin kur nuk e ka. Unë them që i kam bërë të dyja. Kam punuar shumë për të siguruar një vend në skuadër dhe tashmë që e kisha një të tillë, ia dola që të shënoj. Aq më mirë, kur edhe ekipi fitoi falë atij goli.

Kujt i dedikohet ky gol?

Pa diskutim që skuadrës dhe të gjithëve që më kanë besuar për të qenë në një ekip si ky. Megjithatë nuk mund të mos ia dedikoj edhe të gjithë punës që kam bërë çdo ditë dhe në çdo seancë stërvitore.

A u rikthye Cikalleshi i kohërave më të mira?

Në dy ndeshjet e fundit, me Kombëtaren dhe sot (dje), kam shënuar dhe u kam dhënë pikë ekipeve. Falë këtyre dy golave, them që kam gjetur plotësisht qetësinë e munguar gjatë këtyre kohëve. Shpresoj që të bëj më të mirën në çdo moment që do të kem mundësinë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"