De Biazi: Ja e vërteta me federatën italiane për Kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2016 | 12:08

De Biazi: Ja e vërteta me federatën italiane për Kombëtaren

Xhani De Biazi ndihet i bezdisur nga situata e krijuar. Përpiqet të mos e teprojë me replikën dhe të ruajë balancat në një situatë që ai vetë e quan shumë delikate. de-biaziiii-543x350Nuk e mohon se stoli i Italisë është një nder, por nxiton të saktësojë menjëherë për “Panorama Sport” se nuk ka pasur asnjë flirt me zyrtarët e federatës italiane dhe nuk ka folur me asnjë media. Jo fort i kënaqur edhe me deklaratën e Dukës, por nuk bën asnjë replikë, përkundrazi, mban të njëjtën linjë. Të paktën publikisht…

Si është e vërteta e “flirtit” tuaj me federatën italiane?

Nuk kam folur me askënd. Ju të medias merrni copëza lajmesh, shpesh edhe hamendësime dhe, më pas, i shisni si gjëra që kanë ndodhur.

Deklarata e Lipit se “ju do të ishit një zgjidhje logjike për stolin e Italisë”, nuk ishte as hamendësim dhe as copëz lajmi…

Mjaft, nuk është koha që të diskutohet kjo temë.

Po a ju intereson apo jo Italia?

Të drejtosh Italinë është një nder për çdo trajner dhe unë nuk bëj përjashtim. Por kjo është tjetër gjë nga sa është shkruar.

Pse ju bezdis kjo pyetje?

Nuk më bezdis pyetja, por ajo që është shkruar dhe është thënë deri tani. Unë nuk kam folur me askënd dhe as nuk kam shprehur ndonjë kërkesë timen për të drejtuar Italinë. Unë jam trajneri i Shqipërisë dhe dua që të dalim mirë në Europian.

Pra, nuk keni asnjë qëllim që të merrni drejtimin e Italisë pas Europianit?

Jam i fokusuar 110 për qind te Kombëtarja shqiptare dhe te Europiani. Kam treguar se jam profesionist dhe punoj me seriozitet aty ku kam një kontratë. Nuk të vjen shpesh mundësia në karrierë për të qenë trajner i një kombëtareje në finalet e një Europiani dhe unë nuk dua thjesht të marr pjesë aty. Dua që të gjithë punën time ta bëj me seriozitet dhe me përgjegjësi, siç e kam bërë përherë.

Kështu tha edhe Duka në fakt, Europiani ju erdhi në moshën 60-vjeçare dhe nuk mund ta shpërdoroni këtë mundësi…

Duka është president i federatës dhe nuk ndërhyj fare në qëndrimin e tij, sepse në fund të fundit qëllimi ynë është i përbashkët: të bëjmë sa më mirë në Europian. Sa për të tjerat, nuk mendoj se ka dashur të përcjellë ndonjë mesazh specifik.

Ka thënë gjithashtu se ju mund të largoheni nga Shqipëria para kohe nëse vendosni të paguani klauzolën për prishjen e kontratës…

Nuk kam asnjë koment. S’më pëlqen t’i komentoj fjalët e të tjerëve dhe aq më pak të presidentit të federatës.

Si ka mundësi që nuk ju kënaq fakti që në Itali ju shohin si një kandidat potencial për të marrë drejtimin e Kombëtares?

Nuk thashë që s’më kënaq, por nuk pajtohem me pjesën tjetër, e cila është e ekzagjeruar.

Çfarë është e ekzagjeruar?

Shikoni, unë nuk kam folur me askënd dhe papritur publikohet një artikull ku gjoja paskam thënë që jam gati për Italinë… E pavërtetë. Ose shoh klasifikime, ku unë jam në krye të listës për të marrë Italinë… As kjo nuk qëndron. E them këtë sepse çdo javë del nga një emër i ri në krye të asaj liste. Në fillim Kapelo, pastaj Lipi, Maxarri e shumë të tjerë… E përsëris: mendoj vetëm për Shqipërinë dhe Europianin.

Nuk është se po e thoni këtë ngaqë situata doli disi jashtë parashikimeve…?

Unë them atë që mendoj dhe atë që gjykoj se është e vërtetë. Komentet le t’i bëjë kush të dojë. Mua në fakt nuk më pëlqen që e gjithë kjo të më cenojë harmoninë në grupin tim dhe të na destabilizojë si skuadër. Kemi një ekip që nuk ka nevojë të destabilizohet dhe nuk mund të shkojmë mbrapa çdo hipoteze të fanta-merkatos

Përgatiti: JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"