De Biazi: “Vuajtëm prej terrenit, por skuadra më pëlqeu”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2016 | 9:23

De Biazi: “Vuajtëm prej terrenit, por skuadra më pëlqeu”

Xhani De Biazi është i kënaqur për formancën e skuadrës së tij. de biaziiiiTrajneri thotë se Shqipëria fitoi në një terren të vështirë, i cili sipas tij ishte në limitet e së pranueshmes për një ndeshje Kombëtaresh.

Më tej, ai ka thënë se skuadra iu përgjigj mirë dhe se kuqezinjtë dominuan që kur ekipet ishin në barazi numerike.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri ka deklaruar gjithashtu se skuadra duhej të shfrytëzonte më mirë rastet e krijuara.

Çfarë përgjigjesh morët nga kjo ndeshje?

Mendoj se luajtëm mirë dhe dominuam mbi kundërshtarët edhe kur ishim në barazi numerike. Më vjen keq që u luajt në një terren tejet të vështirë. Madje, mund të them se ishte në kufijtë e së pranueshmes dhe kjo nuk na i lehtësoi gjërat, përkundrazi. Patëm shumë raste për gol dhe mendoj se luajtëm mirë.

A mund të bënte skuadra më shumë se kaq?

Mund të bënim më shumë në pjesën e parë. Duhej ta luanim më shpejt topin dhe të kërkonim më shumë portën. Në pjesën e dytë zëvendësimet e kryera i dhanë më shumë gjallëri lojës sonë dhe si rrjedhojë erdhën edhe dy golat. Por duhet të kishim shënuar edhe më shumë gola, ndërkohë që duhet theksuar se Luksemburgu kishte një ekip shumë të organizuar.

Duket sikur mbrojtja ka ende probleme. A ju shqetëson kjo?

Nuk e kam idenë se për çfarë problemesh e keni fjalën. Mund të jeni pak më i qartë?

Ajeti në rastin kur Gashi humbi topin nuk arriti të ndalte lojtarin kundërshtar. Por ai luan në Serinë A…

Atëherë më lejoni t’ju them se Ajeti bëri një ndeshje të shkëlqyer. Për rastin që ju përmendni, po ju kujtoj se Ajeti e kishte një karton të verdhë dhe nëse do të hynte ashpër e ta ndalte me çdo kusht, rrezikonte shumë të dytin dhe mund ta linte ekipin me 10 futbollistë. Kështu që duhet t’i gjykojmë mirë rastet dhe dinamikën e tyre. Madje, edhe kur e zëvendësova, e bëra këtë sepse kishte një të verdhë.

Në përgjithësi, a jeni i kënaqur nga paraqitja e skuadrës nga këto dy ndeshje?

Kemi zhvilluar dy ndeshje të ndryshme. Kjo për cilësinë që kishin kundërshtarët. Luajtëm mirë një orë me Austrinë. Sot (dje) ndershmërisht ju them se luajtëm në një fushë të rënduar, që mbi të gjitha ishte edhe shumë e rrëshqitshme. E megjithatë, luajtëm mirë.

Përgatiti: JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"