E.Berisha, portieri më i mirë i huaj në Serinë A

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2014 | 11:32

E.Berisha, portieri më i mirë i huaj në Serinë A

Berisha te rrjetaSezonin mjaft të suksesshëm të Etrit Berishës që në vitin e parë në elitën e futbollit italian e konfirmojnë edhe mediat përtej Adriatikut, që e kanë përfshirë gardianin kuqezi në formacionin e lojtarëve të huaj të Serisë A. 25- vjeçari, që arriti të ulte në stol një emër të rëndësishëm si Federiko Marketi (portieri i dytë i Kombëtares së Italisë), konsiderohet portieri më i mirë i huaj në Itali. Në një shkrim të publikuar në sajtin e rëndësishëm “tuttomercatoweb”, gardiani i Kombëtares shqiptare ka zënë pozicionin në katërkëndorin e formacionit më të mirë të të huajve në elitën e futbollit italian. Në muajin gusht Berisha ishte lojtar i Kievos, të paktën kështu pretendonte klubi veronez, por në momentet e fundit ai u transferua në kryeqytet, çka solli një luftë të hapur ligjore mes dy klubeve të Serisë A. Muajt në vazhdim treguan se Berisha kishte bërë zgjedhjen e duhur, sepse, falë edhe disa gafave të Marketit, portieri i Kombëtares shqiptare fitoi vendin e titullarit te Lacio, duke u shndërruar numri një i portës bardhekaltër. Me Berishën në portë formacioni më i mirë i Serisë A me lojtarët e huaj vijon me Maikon, Henrike, Albiol dhe Maksimoviç në mbrojtje, Strotman dhe Kalejon formojnë dyshen para repartit të avancuar, ndërsa treshja Iturbe-Tevez- Zhervinjo rreshtohet pas sulmuesit të avancuar, Higuain.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"