Firmos në Kore Cikalleshi, ja detajet e kontratës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2012 | 13:14

Firmos në Kore Cikalleshi, ja detajet e kontratës

Është mbyllur me një fund të lumtur telenovela “Cikalleshi” në Korenë e Jugut. Ish-lojtari i Tiranës, Skënderbeut dhe Besës ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me ekipin Inceon Junajted në kryeqytetin korean Seul. Hapi i parë i Cikalleshit ka qenë marrja e një apartamenti të madh modern me 5 dhoma në qendër të Seulit dhe një makinë tip Foristradë. Kjo ka ndodhur pardje, ndërsa dje Cikalleshi ka pranuar të firmosë kontratën e tij të parë jashtë Shqipërisë. I kontaktuar në linjë telefonike nga Seuli, talenti kavajas pas nënshkrimit të kontratës u shpreh: “Dua t’i falënderoj të gjithë trajnerët që punuan me mua. Gjithashtu, dua t’u shpreh gjithë mirënjohjen tifozërive të të gjitha klubeve si Kavajë, Tiranë, Korçë ku kam luajtur dhe më kanë mbështetur dhe motivuar të arrija këtu. Një respekt të veçantë për median për çdo fjali, për çdo rresht e shkrim që më ka shërbyer si adrenalinë në rritjen e forcave dhe besimit te vetja. Së fundi, por jo më pak të rëndësishmen falënderoj familjen time, e cila me sakrificë u kujdes që unë të vazhdoja ëndrrën time. Tashmë më duhet vetëm punë dhe sakrificë duke shpresuar për më shumë fat në këtë eksperiencë të re edhe me ndihmën e Zotit”, – ka thënë Cikalleshi.
Kombëtarja – Sapo ka hedhur firmën lojtari e ka shprehur hapur se tashmë dëshiron një eksperiencë me Kombëtaren. “Në Kore erdha për karrierën time, por ëndrra ime mbetet stema e Kombëtares. Shpresoj që falë asaj që unë do të jap në fushë, trajneri De Biazi të jetë një ditë në Kore për të më parë nga afër. Nuk e fsheh faktin se për kombëtaren do të lija edhe milionat”, – ka përfunduar Cikalleshi.
Kontrata – Sokol Cikalleshi, në fakt, ka nënshkruar dy kontrata brenda një të vetme. E para është një kontratë 6-mujore, e cila parashikon rrugën mujore të Cikalleshit dhe shlyerjen 50% të vlerës së kartonit te Besa, që kap shifrën prej 250 mijë dollarë. Ndërsa rroga e Cikalleshit fikse është 25 mijë dollarë në muaj plus bonuset, që kalon 20 mijë dollarë. Pjesa e dytë e kontratës janë dy vitet pasardhëse në të cilat parashikohet një pagë prej 37 mijë dollarë në muaj pa llogaritur bonuset si 2 mijë dollarë për gol, 5 mijë dollarë për fitoren e ekipit dhe 2 mijë dollarë për asist goli. Në këto kushte, nga janari i 2013-ës, gjithnjë nëse Cikalleshi do të luajë, pritet të përfitojë afërsisht 45 mijë dollarë në muaj ose 500 mijë dollarë në vit. Të gjitha këto detaje të kontratës i bëri me dije për “Panorama Sport” menaxheri serb i lojtarit.
Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"