Fitore me drithërima, Tirana i falet Currit. Magani: E merituam, fitorja na ngjiti të parët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2014 | 22:33

Fitore me drithërima, Tirana i falet Currit. Magani: E merituam, fitorja na ngjiti të parët

Tirana-Elbasani 2-1, Curri ka shenuarTIRANA-ELBASANI  2-1
GOLAT: Bushiç 10′, Curri 94’/ Kaçuli 45′
TIRANA: Frashëri, Kërçiku (Hyshmeri 56′), Muça, Curri, Malaj (Pashaj 75′), Karabeci, Bulku, Taku, Kagere (Olaki 65′), Bakaj, Bushiç; Trajner: Gugash Magani. (Në dispozicion: Çaka, Kalari, Idrizaj, Gavazaj).
ELBASANI: Kotorri, Pisha, Jaupi, Gava, Basriu, Martins (Shazivari 76′), Malindi, Toçi, Bylykbashi (Çota 9′), Kaçuli, Hila (Tahirllari 58′); Trajner: Muharrem Dosti. (Në dispozicion: Ruçi, Dosti, Agboi, Musta).
KARTONË TË VERDHË: Taku 54′, Pashaj 86′, Olaku 90′, Curri 94’/ Kaçuli 18′, Gava 89′
KARTON I KUQ: Bakaj 91′
VËZHGUES: Hiqmet Kuka (Tiranë)
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: K.Kola, R.Malaj (Vlorë), R.Çokaj (Lezhë)

MINUTAT
10′ Veprim i bukur i Kageres, që avancon në zonë, ia kthen topin Bushiçit, i cili gjuan dhe shënon, 1-0.
14′ Tentativë e Bulkut, pas një topi të kthyer me kokë nga Bushiç, kapiteni gjuan, por jashtë.
15′ Goditje dënimi për Tiranën, godet Bakaj, por nuk gjen kuadratin.
17′ Goditje dënimi, Bulku kroson te Kagere, i cili gjuan me kokë, por topi, pasi përplaset në tokë, përfundon pak mbi tra.
18′ Rast për Elbasanin, Çota godet fuqishëm nga jashtë zone, por Curri neutralizon rrezikun me bark.
21′ Pas një pretendimi për faull, përfiton Kagere, i cili avancon me shpejtësi në zonë, pason te Bakaj, që gjuan, por topi përfundon vetëm jashtë.
32′ Goditje dënimi, ekzekuton Bulku, topi shkon te Bushiç, që gjuan me kokë, por Kotorri kontrollon pa problem.
41′ Bakaj gjuan, topi përplaset te Pisha dhe kthehet sërish te sulmuesi, godet, por grushton portieri.
43′ Goditje këndi për verdheblutë, Malindi kroson për Gavën, që ishte në pozicion, pret Frashëri.
45′ Goditje dënimi për Elbasanin, goditje perfekte e Kaçulit, që e dërgon topin drejt e në rrjetë dhe 1-1.
50′ Goditje dënimi, gjuan Pisha, kontrollon Frashëri.
51′ Tentativë e Karabecit, por nuk gjen portën.
53′ Kërçiku i jep një asist perfekt Bushiçit, i cili gjuan me kokë, por topi përfundon vetëm ngjitur me shtyllën pingule.
54′ Kagere godet në ecje e sipër, por topi përfundon jashtë.
58′ Goditje dënimi, Bulku kroson në zonë, Curri gjuan me kokë, por topi kontrollohet nga Kotorri.
65′ Muça kombinohet me Bushiç, që gjuan me kokë, por topi, pasi përplaset në tokë, përfundon vetëm jashtë.
67′ Bushiç shpërdoron një rast ideal për gol, ku, edhe pse pak metra larg portës, e dërgon topin vetëm jashtë.
84′ Roveshatë e Olakit, por pa rrezikshmëri.
88′ Curri humbet topin në mesfushë, përfiton Elbasani, që avancon në zonë me anë të Çotës, i cili vonohet aq shumë sa i jep mundësi mbrojtjes vendëse të largojë rrezikun.
94′ Bushiç nxjerr të lirë Currin, që me një goditje potente e dërgon topin në rrjetë dhe i jep avantazhin Tiranës, 2-1.

Fiton Tirana, mposht 2- 1 Elbasanin në “Qemal Stafa”. Një stadium, që ndryshe nga javët e fundit, e kishte zaptuar heshtja, pas dënimit të tifozëve. Përtej kësaj pjese, bardheblutë ia dolën dhe kjo falë një goli të shënuar nga Debatik Curri në sekondat e fundit. Një gol që nuk ka vetëm vlerën e tri pikëve, pasi tashmë Tirana kap kreun e renditjes. Kjo përballje ofroi gjithçka, emocione, gola, nerva, lojë të bukur, kartonë të verdhë, por nuk mungoi as i kuqi. Një moment irritimi i Bakajt, që proteston dhe ofendon gjyqtarin, shoqërohet me të kuq. E megjithatë kjo nuk e penalizoi skuadrën, e cila për 93 minuta lojë ishte nën presionin e barazimit, pasi vetëm në limit bardheblutë e kthejnë në festë.
Pjesa e parë – Loja nis e qetë dhe pa raste. Të dyja skuadrat mundohen që të fitojnë terren ndaj njëra-tjetrës në minutat e para, madje rasti i parë vjen vetëm në të 10-ën. Episod ky që përfundon në rrjetë. Një veprim i bukur i Kageres, që avancon në zonë, ia kthen topin Bushiçit, i cili gjuan dhe shënon, 1-0. Pas tri javësh shterpësi, zhbllokohet sulmuesi. Megjithatë, në minutat pasuese, përtej rasteve, lojtari u duk sikur u rifut në kolaps. Në të 14-ën tentativë e Bulkut, pas një topi të kthyer me kokë nga Bushiç, kapiteni gjuan, por jashtë. Kjo ndeshje mund të quhet si ajo e goditjeve të dënimit, pasi mbi 13 ishin në favor të Tiranës. Provon në të 15-ën Bakaj, por nuk gjen kuadratin. Në të 17-ën minutë është radha e Bulkut, i cili kroson te Kagere, që gjuan me kokë, por topi, pasi përplaset në tokë, përfundon pak mbi tra. Reagimi i miqve vjen në të 18-ën, teksa Çota godet fuqishëm nga jashtë zone, por Curri neutralizon rrezikun. Pas një pretendimi për faull në të 21- ën, përfiton Kagere, i cili avancon me shpejtësi në zonë, pason te Bakaj, që gjuan, por topi përfundon vetëm jashtë. Tjetër goditje dënimi, ekzekuton sërish Bulku në të 32-ën, topi shkon te Bushiç, i cili gjuan me kokë, por Kotorri kontrollon pa problem. Rrezikshmëria në portat respektive shtohet, por atë që s’e bëri dot Tirana nga goditjet e dënimit, e konkretizuan miqtë. Në të 45-ën Ganiol Kaçuli ekzekuton një goditje perfekte, që e dërgon drejt e në rrjetë dhe 1-1. Këtu mbyllet pjesa e parë.
Pjesa e dytë – Ky fraksion fillon me të njëjtin ritëm, ku tentativat më të mëdha vijnë nga distanca. Në të 51-ën minutë provon Karabeci, por nuk gjen portën. Dy minuta më pas, Kërçiku i jep një asist perfekt Bushiçit, që gjuan me kokë, por topi përfundon vetëm ngjitur me shtyllën pingule. Sulmet e kundërsulmet shtohen dhe presioni i rezultatit për kryeqytetasit shtohen. Ekipi i Maganit krijon pa fund, madje ky i fundit detyrohet që të bëjë edhe disa ndërrime, që u shoqëruan edhe me lëvizje në modul. Në të 58-ën minutë Bulku kroson në zonë nga goditja e dënimit, Curri gjuan me kokë, por topi kontrollohet nga Kotorri. Një tjetër tentativë e rrezikshme është edhe ajo e të 65- ës, kur Muça kombinohet me Bushiç, i cili gjuan me kokë, por topi pasi përplaset në tokë, përfundon vetëm jashtë. Por vetëm dy minuta më vonë, Bushiç shpërdoron një rast ideal për gol, ku, edhe pse pak metra larg portës, e dërgon topin vetëm jashtë. Në të 88-ën minutë kundërpërgjigjet Elbasani, Curri humbet topin në mesfushë, përfitojnë miqtë, që avancojnë në zonë me anë të Çotës, i cili vonohet aq shumë, sa i jep mundësi mbrojtjes vendëse të largojë rrezikun. Në të 91-ën Bakaj lë fushë pas të kuqit dhe bardheblutë mbeten me 10 lojtarë në fushë. Kur pritej vërshëllima e gjyqtarit të ri Kola, në sekondat e fundit të shtesës 4-minutëshe, Bushiç nxjerr të lirë Currin, që me një goditje potente, e dërgon topin në rrjetë dhe 2-1. Këtu mbyllet gjithçka dhe Tirana e sheh veten me 10 pikë dhe në krye, ndërsa Elbasani në fund dhe pa asnjë pikë.

MË I MIRI
Debatik Curri ishte pa dyshim lojtari i ndeshjes. Kosovari i Tiranës jo vetëm bëri detyrën në qendër të mbrojtjes, por edhe sulmuesin. Lojtari në fakt rrezikoi disa herë portën e Kotorrit, deri sa në fund arriti që ta ndëshkonte atë. Për t’u vlerësuar ishte edhe Kaçuli, i cili realizoi një gol mjaft të mirë, ndonëse në lojën e tij në krah shpeshherë la për të dëshiruar.

MË PAK AKTIVI
Sulmi i Elbasanit vazhdon të jetë në hije. Edhe në ndeshjen e luajtur në kryeqytet, vija e parë nuk arriti që të krijonte rrezikshmëri, madje goli erdhi pikërisht nga një goditje në distancë. Martins dhe Malidni, përtej përpjekjeve, nuk e vunë thuajse asnjëherë në vështirësi portierin e bardhebluve, Stivi Frashërin.

MAGANIMagani: E merituam, kjo fitore na ngjiti të parët!
Është treguar tepër i qartë dhe i ka rënë shumë shkurt. Gugash Magani, fill pas fitores së arritur dje ndaj Elbasanit, është shfaqur i kënaqur me këtë trepikësh që i ngjit të tijtë në krye. Përtej vuajtjes, atij i mjafton triumfi dhe fakti që skuadra e tij ia doli. Gjatë deklaratës së dhënë për mediat, ai i cilësoi vështirësitë e kësaj sfide, por edhe kartonët si pjesë e lojës. “Mund të them që kemi marrë një fitore të merituar, pasi kemi luajtur shumë mirë. Një fitore që neve na ngjit në vendin e parë”. Ka shumë gëzim kur një ndeshje fitohet me vuajtje. Edhe kur kartonët janë pjesë e lojës”, ishin këto fjalët e trajnerit peqinas të bardhebluve mbi këtë përballje. Deklaratë që në fakt erdhi vetëm për të respektuar mediat dhe rregulloren që detyron çdo trajner që të flasë pas një ndeshjeje. Heshtja vazhdon dhe kjo në kuadër të revoltës që ka nisur pas dënimeve të dhëna nga Komisioni i Disiplinës. “Për hir të vendimit që ka marrë klubi, unë nuk mund të komentoj asgjë tjetër dhe ky koment është maksimumi që mund të jap përpara mediave”, sqaroi Magani.

DostiDosti: Ekipi reagoi në lojë, u ndëshkuam nga një gabim
Kjo ishte prova e tij e parë në krye të pankinës verdheblu, pas dorëheqjes së dhënë nga Ilirjan File, por në kompleks ai ka mbetur i kënaqur, përtej disfatës. Muharrem Dosti, pas përfundimit të takimit, ka deklaruar se skuadra që ai drejton është rikthyer të luajë me besim, pavarësisht se u ndëshkua nga një gabim në minutën e fundit të shtesës. “Jam i kënaqur nga djemtë, të cilët rikthyen besimin pas një humbjeje të rëndë që nuk ishte e përshtatshme as për skuadrën dhe as për qytetin tonë. U ndëshkuam nga një gabim në fund, pastaj 4 minuta shtesë m’u dukën të tepërta”, tha fillimisht trajneri i elbasanasve. Sipas numrit një të pankinës verdheblu, një ndeshje e tillë tregon që lojtarët janë të motivuar dhe që do të vijojnë me këtë ritëm deri në fund. Ai ka pohuar se janë të vendosur për të realizuar synimin që kanë këtë sezon: qëndrimin në Kategorinë Superiore. “Shpresoj që loja e bukur të mos mbetet rastësi vetëm ndaj Tiranës, por të vijojmë me të tilla ndeshje edhe në vazhdim. Shpresoj që pas ndeshjeve të mira, të mund të arrijmë edhe rezultatet pozitive për të arritur objektivin që kemi vendosur, i cili është qëndrimi në Kategorinë Superiore”, ka përfunduar deklaratën e tij, trajneri i Elbasanit, Dosti, i cili debutoi me humbje në krye të pankinës verdheblu. Kjo skuadër, e cila u ngjit këtë sezon në elitën e futbollit shqiptar, duket se do ta ketë të vështirë mbijetesën, ndërsa ende nuk e ka shijuar fitoren.

Bakaj del me të kuq, ofendoi gjyqtarin
Vetëm 3 minuta nga fundi i lojës, konkretisht në të 91-ën, kryesori Kola i tregon kartonin e kuq Elis Bakajt. Në fillim nuk u kuptua çfarë ndodhi, por e qartë është që gjithçka nisi pas një faulli të diskutueshëm të dhënë në këtë minutë kundër Tiranës. Mesfushori me tipare sulmuese shkon dhe proteston te Kola, ku edhe e ka ofenduar. Në këtë moment gjyqtari e ndëshkoi. Në fund të takimit Bakaj sqaroi gjithçka. Ai jo vetëm pranoi se e meritonte ndëshkimin, por i kërkoi edhe ndjesë gjyqtarit. Në kushte të tilla, numri 19 i bardhebluve do të mungojë në takimin pasardhës, që luhet në transfertën e vështirë laçiane.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"