Gega: Ja cilët reparte plotësoj pas zborit
Trajneri i Kombëtares së 21-vjeçarëve, Skënder Gega, ka vendosur të zhvillojë një zbor me të gjithë lojtarët kandidatë për të qenë pjesë e përfaqësuese që ai drejton, të cilët luajnë në kampionatin shqiptar. Në një intervistë për “Panorama Sport” Gega flet mbi pritshmëritë e këtij grumbullimi dhe objektivat në eliminatoret e ardhshme.
Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky zbor?
Ashtu si edhe në grumbullimet e mëparshme, qëllimi është evidentimi i elementëve që i duhen ekipit në perspektivë. Sot (dje) kanë mbërritur të gjithë lojtarët e thërritur, ndërsa shpresojmë shumë që ky zbor të na vlejë për më tej. Qëllimi është që ta përgatit sa më mirë grupin për në eliminatore, në mënyrë që të kem ide të qartë për lojtarët që do të kem në dispozicion. Si është gjendja e futbollistëve? T’ju them të drejtën jo shumë e mirë. Kjo jo vetëm për fajin e tyre, por edhe të klubeve shqiptare ku luajnë. Një pjesë e tyre aktivizohen shumë pak.
Në listë ka edhe lojtarë që luajnë në kategoritë inferiore. Përse kjo zgjedhje?
Në Superiore lojtarët nën 21 vjeç janë disi me pakicë. Këtu e kam fjalën për ata që luajnë rregullisht dhe gëzojnë një formë të mirë sportive. Ndërsa në ligat e dyta ka më shumë lojtarë nën 21 vjeç dhe për më tepër janë protagonistë. Këtu mund të përmend lojtarë të tillë si Imamin, i cili vjen nga Dinamo, Trashin nga ekipi i Gramshit, apo edhe Qëndron nga skuadra e Himarës.
Në çfarë sektorësh ka nevojë ekipi për përforcime?
Në portë dhe në mbrojtje jemi të kompletuar, ndaj momentalisht nevojat janë në dy krahët e mesfushës dhe një sulmues qendre.
Në grumbullimin e kaluar keni marrë vetëm lojtarët që luajnë jashtë, ndërsa tani ata që luajnë në kampionatin shqiptar. Përse ky diferencim?
I kemi ndarë, pasi në këtë mënyrë kemi mundësi t’i njohim më mirë. Me futbollistët, të cilët luajnë jashtë, kontakti është më i paktë, ndaj kemi menduar që t’i grumbullojmë veç e veç, në mënyrë që të kemi më shumë kohë për të punuar me ta.
Vini re diferenca mes lojtarëve që luajnë jashtë dhe atyre që luajnë në kampionatin vendës?
Po, diferencat janë të ndjeshme. Futbollistët, të cilët aktivizohen jashtë, janë shumë herë më profesionistë dhe më të përkushtuar. Përveç kualitetit, edhe mënyra e punës së tyre është shumë më superiore se ajo e lojtarëve të kampionatit shqiptar. Ne grumbullojmë shumë lojtarë nga kampionati ynë për t’i testuar, por e vërteta është që një pjesë e konsiderueshme lë për të dëshiruar. Përveç stërvitjes, serioziteti dhe profesionalizmi i tyre reflektohet edhe në fushë.
Në kampionatin europian të të rinjve nga rivalët tanë në grup është edhe Spanja. Cili do të jetë objektivi i përfaqësueses sonë?
Është shpejt për t’u demoralizuar. Sigurisht që jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e grupit tonë, duke pasur parasysh emrat e mëdhenj që e përbëjnë. Ne do bëjmë tonën duke u përgatitur maksimalisht dhe hyrë në fushë jo të frikësuar që po luajmë me skuadra të nivelit të Spanjës. Kemi dhënë prova se dimë të luajmë në takime të tilla, ashtu siç bëmë ndaj Portugalisë apo edhe Rusisë.
Roland Gjini
LISTA E LOJTARËVE
1.SHKËLZEN RUCI portier ELBASANI
2.MIKEL KALOSHI portier LUSHNJA
3.ELVIS PRENCI mbrojtës PARTIZANI
4.BRUNO DITA mbrojtës BESA
5.JURGEN VOGLI mbrojtës SHKUMBINI
6.MATO QENDRO mbrojtës HIMARA
7.ANTONIO MARKU mbrojtës VLLAZNIA
8.STIVI SHABA mesfushor KASTRIOTI
9.ENI IMAMI mesfushor DINAMO
10.ALFRED DELIALLISI mesfushor TEUTA
11.RENATO NACI mesfushor APOLONIA
12.ROFREN NELA mesfushor FLAMURTARI
13.BEKIM DEMA mesfushor VLLAZNIA
14.ARDIT PEPOSHI mesfushor TIRANA
15.SINDRI GURI sulmues VLLAZNIA
16.FATMIR HYSENBELLIU mesfushor TIRANA
17.LORENC TRASHI mesfushor GRAMSHI
18.ENIO PETRO sulmues PARTIZANI
19.MARIO MORINA sulmues TIRANA
20.MATEO HASA sulmues BESA
21.BORIAN XHANI 22.SERXHIO ABDURRAMI sulmues sulmues SKËNDERBEU KUKËSI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"