Grushte kartonë të kuq, Ilion Lika “nderon” Tiranën. Magani: Po, ishte një fitore me fat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2014 | 17:05

Grushte kartonë të kuq, Ilion Lika “nderon” Tiranën. Magani: Po, ishte një fitore me fat

Tirana-FlamurtariTIRANA-FLAMURTARI  1-0
GOLAT: El.Bakaj 67′
TIRANA: Frashëri, Kërçiku, Muça, Curri, E.Idrizaj, Bulku, Karabeci, Kagere (Morina 46′), El.Bakaj (Malaj 88′), Ndikumana, Bushiç (Taku 65′). (në pankinë: Ed.Bakaj, Pashaji, Hyshmeri, Gavazaj). Trajner: Gugash Magani
FLAMURTARI: I.Lika, Arbri, Mendez, Veliu, Mici, Muzaka, Lena (Vucaj 72′), Telushi, G.Lika (Gelashvili 68′), Gilberto (G.Krasniqi 65′), Abilaliaj. (në pankinë: Xhelilaj, H.Idrizaj, Kuqi, Metaj). Trajner: Ernest Gjoka
KARTONË TË VERDHË: Bulku 25′, Ndikumana 54′, Morina 86′, Frashëri 88′, Curri 90+5’/ Arbri 53′, Mici 54′, Muzaka 77′, Vucaj 85′
KARTONË TË KUQ: Ndikumana 58′, Ed.Bakaj (në pankinë) / Veliu 58′
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
VËZHGUES: Plarent Kotherja (Tiranë)
GJYQTARET: L.Jemini (kryesor), R.Çokaj, D.Rexha (anësorë), B.Pashaj, A.Koçi (pas portave)

MINUTAT
1′ Kundërsulm i shpejtë i Tiranës me protagonist Kageren në krahun e djathtë, i cili pason shkurt për Ndikumanën, që menjëherë gjuan nga jashtë zone, por jashtë.
9′ Gilberto shërben për Gilman Likën, i cili rrotullohet bukur mes tre kundërshtarëve dhe në hyrje të zonës godet fort me të majtën, por pret Frashëri.
11′ Bulku kroson në zonë nga goditja e këndit dhe brenda zone, Mendez, në përpjekje për të larguar topin, për pak shkakton autogol, por Ilion Lika largon rrezikun.
20′ Ndikumana dhuron spektakël në krahun e majtë, duke dribluar Muzakën dhe Arbrin e më pas jep një asist në qendër të zonës për Bulkun, që shpërdoron duke goditur jashtë porte me të djathtën.
41′ Kombinime fantastike të Arbrit dhe Muzakës në krahun e djathtë, më pas ky i fundit shërben për Gilman Likën, që gjuan fort me të majtën, por topi përfundon jashtë.
45′ Goditje dënimi për Tiranën, Bulku kroson në zonë, teksa topi merr një harkim të çuditshëm, por Ilion Lika shpëton portën, duke grushtuar.
51′ Gilman Lika kroson në zonë nga goditja e këndit, por gjuajtja e Abilaliajt me kokë përfundon jashtë.
67′ Aksion i rrjedhshëm i Tiranës në krahun e djathtë të sulmit, Bakaj avancon dhe arrin të krosojë në zonë, teksa portieri i Flamurtarit, Ilion Lika, del për të grushtuar topin, por ky i fundit i përplaset në gjoks dhe përfundon në rrjetë, 1-0 për Tiranën.
85′ Gafë e Currit në mbajtjen e topit, përfiton Gelashvili që menjëherë shërben tek Abilaliaj, i cili, i vetëm me portierin Frashëri, godet mbi traun e portës, duke humbur një rast të artë për të barazuar.
88′ Goditje dënimi për Flamurtarin, Vucaj kroson në zonë dhe aty Mendez kërcen fuqishëm me kokë, por topi kalon mbi tra.
90+2′ Malaj driblon bukur dy-tre lojtarë vlonjatë dhe më pas tenton me të majtën nga jashtë zone, por topi nuk i bindet.

Tirana-Flamurtari vendoset nga portieri Ilion Lika. Kryendeshja e javës së dytë është fituar 1-0 nga bardheblutë, në një 90 minutësh që i pati të gjitha në stadiumin “Qemal Stafa”. Ajo që ndikoi në rezultatin e takimit ishte gafa fatale e portierit të Flamurtarit, që deri katër muaj më parë luante për bardheblutë. Sfidës nuk i munguan grushtet mes lojtarëve dhe tensioni i vazhdueshëm, veçanërisht gjatë pjesës së dytë. Edhe për gjashtë gjyqtarët që ishin dje në fushë, ka qenë i vështirë menaxhimi më së miri i një takimi që prodhoi nga të gjitha. Kryesori Lorenc Jemini nuk i kurseu kartonët, teksa nxori nga xhepi 9 të verdhë dhe 3 të kuq. Për 38 minuta dy skuadrat luajtën me nga 10 lojtarë. Takimi startoi me vonesë për shkak të çarjes së rrjetës, pikërisht në portën ku pësoi Flamurtari gjatë pjesës së dytë. Fundi ishte i lumtur për bardheblutë, në një lojë që pati ekuilibër total dhe mbi të gjitha asnjë gjuajtje në kuadrat nga skuadra e Gugash Maganit. Flamurtarit nuk i munguan rastet për shënim, por gjithçka u prish pas kartonit të kuq të kapitenit Veliu dhe gafës së portierit. Goli i vetëm i takimit iu quajt Elis Bakajt nga ana e gjyqtarit Jemini, teksa nuk konsiderohet autogol i Ilion Likës. Tirana festoi një tripikësh shumë të rëndësishëm, që e mban në krye të klasifikimit pas dy javëve të para të këtij kampionati që pritet të jetë me shumë rivalitet.
Pjesa e parë Tirana e nis me një surprizë në formacion, Kagere luan nga minuta e parë, ndërsa Morina përfundon në stol. Flamurtari i kishte besuar lojtarëve që mposhtën Teutën një javë më parë. Starti është i vrullshëm për të dyja skuadrat, duke përligjur epitetin e kryendeshjes. Atmosfera elektrizuese në stadium “rrëmbeu” edhe lojtarët, të cilët shpesh dolën edhe nga detyrat e trajnerëve. Tirana mundohet të spostojë lojën nga krahët, aty ku bie në sy Ndikumana, që falë formës së mirë, bëhet rrezik konstant për vlonjatët. Këta të fundit janë gjithnjë ngacmues, sa herë topin e prekin Muzaka, Gilberto dhe Gilman Lika. 25 minutat e para janë shumë të bukura, por pa goditje të rrezikshme drejt portave respektive. Kapiteni Bulku kishte shansin të kalonte në avantazh bardheblutë, por nuk gjuajti saktë në një rast ideal shënimi. Pjesa e parë mbyllet me një grushtim të Ilion Likës.
Pjesa e dytë Magani ndryshon krahun e djathtë, duke aktivizuar Morinën, për t’i dhënë një impuls më shumë sulmit bardheblu. Nga ana tjetër, kuqezinjtë nuk bëjnë zëvendësime që në startin e 45 minutave të dyta. Loja thuajse është fotokopje e pjesës së parë, por me lojtarë më të rënduar nga ana psikologjike. Presioni i fitores ndikonte jo pak dhe karikimi ndoshta i tepërt nuk i linte futbollistët të shpreheshin në më të mirën e tyre. Krejtësisht në hije sulmuesi Bushiç, në një kohë që ndeshja merr tjetër rrjedhë pas një zënke mes Ndikumanës dhe Micit. I pari tenton të godasë topin, por këmba e tij prek trupin e Micit. Tensioni është i madh dhe Jemini ndëshkon me të kuq lojtarin bardheblu, ndërsa për një goditje të pavullnetshme të Veliut, bën të njëjtën gjë edhe me kapitenin kuqezi. Ndeshja ndërpritet për tre minuta dhe rifillon me dy skuadra që humbasin ritmin e lojës. Gjithsesi, futbolli është i paparashikueshëm dhe një krosim pa shumë pretendime i Elis Bakajt drejt zonës vlonjate, bën që portieri Ilion Lika të fusë topin në rrjetë në një dalje fatale. 34-vjeçari ndërhyn mes mbrojtësit Mendez dhe Morinës, por në përpjekje për të grushtuar topin, e fut në rrjetë, duke mos u besuar syve. Trajneri Gjoka hedh në fushë Vucajn dhe Gelashvilin, teksa Flamurtari bëhet i rrezikshëm. Mbrojtësi Debatik Curri, për pak kopjon Ilion Likën, por gafa e tij nuk u shfrytëzua nga Abilaliaj. As pesë minutat shtesë nuk sollën ndryshime dhe gjithçka u mbyll me fitoren minimale dhe me shumë fat të Tiranës.

MË I MIRI
Në një ndeshje shumë të ekuilibruar është e vështirë të dallosh lojtarët që spikatën. Te Tirana ata që bënë një ndeshje për t’u admiruar ishin Muça, Kërçiku dhe Karabeci. Nga ana tjetër, një performancë brilante gjatë gjithë 90 minutave bëri mbrojtësi i Flamurtarit, Polizoi Arbri, i cili bashkë me Gjergji Muzakën ishin ndër lojtarët më të mirë në fushë. Humbja nuk e sfumoi aspak paraqitjen e tyre, veçanërisht të futbollistit beratas.

MË PAK AKTIVI
Goli i pësuar në atë mënyrë e rëndon jo pak portierin Ilion Lika. Eksperienca e tij e madhe nuk vlejti, teksa gaboi fatalisht atëherë kur nuk pritej. Dalja e tij nga porta për të grushtuar një krosim që vinte nga krahu i djathtë, i kushtoi shtrenjtë Flamurtarit. Në një ditë “jo” kanë qenë edhe lojtarët e Tiranës: Tomislav Bushiç dhe afrikani Kagere. I pari kapi shumë pak topa, ndërsa i dyti nuk arriti të përshtatej me lojën.

Ja rastet për moviolë
Gjatë ndeshjes Tirana-Flamurtari pati tre raste flagrante për moviolë. Së pari, në incidentin e minutës së 57-të, referuar pamjeve filmike, kapiteni i vlonjatëve, Franc Veliu nuk meritonte kartonin e kuq. Mbrojtësi goditi në mënyrë të pavullnetshme Ndikumanën, por gjithsesi gjyqtari Jemini e ndëshkoi me të kuq. Në minutën e 80-të, Vucaj jep një asist për Abilaliajn, duke e nxjerrë të lirë të vetëm me portierin Frashëri, por këtu anësori Rexha jep pozicion jashtë loje. Në bazë të pamjeve filmike, duket qartë që është pozicion i rregullt, pasi Abilaliaj mbahet në lojë nga Kërçiku i Tiranës. Një tjetër rast është ai i minutës së 86-të, kur Jemini “fal” Morinën, duke i dhënë vetëm të verdhë për ndërhyrjen brutale ndaj Arbrit. Në minutat shtesë është Abilaliaj që pretendon për penallti pas dyluftimit me Muçën, por nuk jepet.

Magani, Muca dhe Karabeci te Zyber HallulliMagani: Ishte një fitore me fat
Magani tregohet i sinqertë dhe pranon se fati ndikoi në rezultatin e ndeshjes. Ai kërkon që skuadra e tij të përmirësohet më tepër dhe pranon se momentalisht nuk janë ende gati për titullin kampion.
Keni deklaruar një ditë më parë në “Panorama Sport” se ishit i kënaqur me fitoren 1-0, pikërisht ashtu siç doli edhe ndeshja…
Fjalët që kam thënë, kanë qenë të sinqerta. E dija që do të ishte një ndeshje e vështirë dhe se rezultati kishte rëndësi. Më duhet të pranoj që fati ndikoi që arritëm të marrim tri pikët. Ilion Lika është një nga portierët më të mirë në Shqipëri dhe gabime të tilla kanë bërë edhe futbollistë të tjerë në Europë. Janë gjëra që ndodhin në futboll.
Skuadra juaj nuk arriti të gjuante asnjëherë në portë, por në fund doli fituese…
Të them të drejtën, nuk e prisja që Flamurtari do luante aq mirë në pjesën e parë. Arritën të jenë shumë agresivë dhe na vuri në vështirësi. Çdo kundërshtar që vjen në Tiranë jep maksimumin dhe kërkon me çdo kusht që të marrë pikë, ndaj ne kemi çdo sfidë të vështirë. Por, është e vërtetë që sulmi nuk funksionoi si duhet ndaj Flamurtarit.
Pse vendosët të aktivizonit Kageren nga minuta e parë. Jeni i kënaqur me Bakajn?
Elisin e aktivizova se doja që të ishte futbollisti që jep pasimin e fundit. Nuk arriti ta bëjë shkëlqyeshëm këtë gjë, kjo edhe për faktin se Flamurtari ka lojtarë cilësorë dhe arritën të bëjnë një markim të mirë. Kagere është futbollist që ndihmon edhe në fazën mbrojtëse, ndryshe nga Ndikumana që nuk e ka këtë cilësi. Por, prisja më tepër fantazi nga disa futbollistë, çka nuk ndodhi.
Çfarë mund të thoni për tensionin në fushë?
Unë dua që lojtarët të ruajnë gjakftohtësinë, pasi janë profesionistë. Normale që ka nerva loje, por nuk duhet të kalojnë caqet. Ndikumana la ekipin me një lojtar më pak dhe kjo mund të na kishte penalizuar. Do i analizojmë këto fenomene, në mënyrë që të mos përsëriten.
Skuadra ka bërë shumë merkato. Është gati për titullin kampion?
Po, ne kemi bërë shumë ndryshime në krahasim me një vit më parë. Kemi një organikë shumë cilësore. Gjithsesi, nuk jemi ende në nivelin për t’u shpallur kampion. Duhet të punojmë më tepër, pasi ky grup nuk e ka treguar ende potencialin e vërtetë që zotëron.

“Ditë speciale, faleminderit tifozëve!”
Ka marrë dhuratën më të bukur në 21-vjetorin e tij. Dorian Kërçiku ka festuar një ditëlindje speciale, teksa në kor i është kënduar kënga klasike. Por jo vetëm kaq, pasi edhe një banderolë dedikuar mbrojtësit u shpalos në tribunën përkarshi. Në fund të takimit, lojtari nuk kishte si të mos ia dedikonte këtë tripikësh pikërisht atyre, tifozëve. “Jam më shumë se i lumtur për këtë fitore. Në radhë të parë pasi po vazhdojmë me ecurinë pozitive dhe së dyti pasi sot (dje) kisha një ditë të veçantë, kam ditëlindjen. Falënderoj tifozët, pasi ma bënë këtë ditë kaq speciale. Urimet në kor dhe banderola, do të jenë një dhuratë e paharrueshme. Sa i përket ndeshjes, mendoj se hodhëm një hap të rëndësishëm, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi jemi vetëm në javën e dytë”, u shpreh Kërçiku.

Gjoka ne konference shtypi pas ndeshjesGjoka: Na dënoi Jemini, nuk donte të humbiste Tirana
Trajneri i Flamurtarit , Ernest Gjoka, nuk i ka fshehur pakënaqësitë ndaj arbitrit të ndeshjes, Lorenc Jemini. Ai mendon se vendimet e gabuara që mori “bilbili” i sfidës ndikuan thellësisht edhe në fatin e saj. Ndërkohë, pranon se duhet t’i kishin shfrytëzuar më mirë rastet për shënim dhe se u ndëshkuan nga një gabim njerëzor i portierit Ilion Lika.
Arbitrimi “Nuk ka arsye pse Jemini të bëhet protagonist i ndeshjes. Jam shumë i pakënaqur. Gjykimi i sotëm ka shumë vend për diskutim. Mendoj se Jemini kompensoi kundërshtarin, duke i nxjerrë kartonin e kuq Veliut. Arbitri e kishte ndër mend të nxirrte dikë me të kuqe, për ta balancuar ndeshjen, në mënyrë që të mos humbiste Tirana”.
Ndeshja “Ishte një përballje e luftuar. Tirana fitoi nga një gabim njerëzor i portierit. Luajtëm më mirë, prodhuam më shumë lojë, por vuajtëm në finalizim. Duhet të punojmë më tepër në këtë aspekt, në mënyrë që t’i shfrytëzojmë si duhet rastet për shënim”.
Blerjet “Lojtarët e rinj nuk janë në 100% të formës dhe s’janë përshtatur akoma. Gjithsesi, ndryshe nga sfida ndaj Teutës, në duelin e sotëm ndaj Tiranës luajtëm më saktë taktikisht dhe më mirë”.
Tensioni “Është normale të ketë tension, kur luan kundër një rivali si Tirana. Nuk jam dakord me ngjarjet në fushën e lojës, pasi arritën në një nivel të papranueshëm. Gjithsesi, mendoj se Veliu nuk pati asnjë faj dhe u ndëshkua padrejtësisht. Jam i bindur për këtë”.
Përballja me Bakajn “Ishte momenti i tensionit mes lojtarëve dhe shkova për të qetësuar futbollistin e Tiranës. Asgjë më tepër”.

Sherr në fushë e dhoma, ja ato që nuk u panë
Kryendeshja e javës së dytë mori një tjetër rrjedhë, që kur Ndikumana i Tiranës dhe Mici i Flamurtarit u kapën me bërryla në minutën e 54-t. Pas ndëshkimit të dy futbollistëve me kartonë të verdhë, nuk kalojnë as tre minuta dhe ata përplasen sërish. Lojtari bardheblu, gjatë një dyluftimi me mbrojtësin e majtë të kuqezinjve, tenton të gjuajë topin me nervozizëm, por këmba e tij kap trupin e Micit. Në këtë moment ka përleshje mes lojtarëve dhe loja ndërpritet. Në zënkë përfshihen edhe futbollistë të ardhur nga stoli. Në një moment kaosi, kapiteni i Flamurtarit, Franc Veliu, në përpjekje për të shuar gjakrat, godet me kokë në fytyrë, në mënyrë të pavullnetshme afrikanin e Tiranës. Pas tre minutash ndërprerje, deri në qetësimin e situatës, gjyqtari Jemini i tregon kartonin e kuq të dy lojtarëve. Të njëjtin ndëshkim, kryesori jep edhe për portierin rezervë të Tiranës, Edvan Bakaj, i cili po protestonte në ato momente i ardhur nga stoli. Tensioni shtohet edhe më shumë, teksa kur lojtarët po kacafyteshin në fushë, trajneri Gjoka kishte diçka për të sqaruar me portierin Bakaj, duke e kapur këtë të fundit nga fanella. Ndërkohë, tensioni vazhdoi edhe pas ndeshjes. Në dhomat e zhveshjes së dy skuadrave, pati edhe futbollistë që kërkonin të qetësonin gjakrat, por më kot. Portieri Bakaj priste kapitenin Veliu, teksa në momentin që ky i fundit del, i kërkon t’i japë dorën, duke i thënë: “Mbaroi me kaq”. Mirëpo, futbollistët vlonjatë nuk kanë qenë të këtij mendimi, duke i lëshuar një breshëri të sharash Bakajt. Portieri u bë protagonist nga stoli, duke u futur në fushë në momentin e tensionit, i ndikuar ndoshta edhe nga përplasjet që Elis Bakaj pati me futbollistët e Flamurtarit. Në dhomat e zhveshjes situata nuk precipitoi për shkak të ndërhyrjes së policisë, duke marrë shpejt nën kontroll situatën. Ndërkohë, gjatë ndeshjes, pati edhe përplasje mes tifozëve dhe forcave të rendit. Megjithatë, këto të fundit ranë pak në sy.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"