Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2013 | 13:59

Tirana kryesoreKukësi ia merr dorën Tiranës, teksa edhe dje e ka mposhtur në stadiumin “Zeqir Ymeri” me shifrat 2-1. Pas kësaj disfate, bardheblutë prekin fundit e tabelës duke rrezikuar seriozisht. Hera e fundit që kanë qenë në pozita të tilla i përket sezonit 1992-1993, kur shpëtuan vetëm në javën e fundit, me një pikë më shumë se rivalët. Sakaq, kuksianët konsolidojnë pozitat duke u renditur të 6- ët. Tashmë për kryeqytetasit situata është dramatike, pasi e mbyllin fazën e parë në mënyrën më të keqe të mundshme, me vetëm 10 pikë, çka nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e këtij klubi. Janë pikërisht dy ish-lojtarë që e ndëshkojnë Tiranën, Sokol Cikalleshi dhe Igli Allmuca, të cilët përmbysin disavantazhin në fund të pjesës së parë dhe zhvlerësuar golin e realizuar prej të riut Mateos Cake në debutim.

KUKËSI-TIRANA  2-1
GOLAT: Cake 5’/ Cikalleshi 36′, Allmuça 46′
KUKËSI: Koci, Smajli, Brahja, Malota, Hallaçi, Progni, Musolli, Allmuça, Y.Hoxha (Bratiç 64′), Cikalleshi (Manuka 92′), Popoviç (Dragoi 75′); Trajner: N.Shensoji.
TIRANA: Çaka, Kërciku, Pashaj, Vrapi (G.Hoxha 82′), Kotobelli, Taku, Karabeci, Limani (Kaja 53′), Peposhi (Çaushaj 68′), Cake, Çota; Trajner: A.Gallo.
KARTONË TË VERDHË: Kotobelli 5′, Limani 39′, Taku 63′
KARTON I KUQ: Kotobelli 14′
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë);
DELEGAT: Bujar Pregja (Tiranë)
GJYQTARET: D.Jubica, D.Salaj, Gj.Bori (Shkodër)

MINUTAT
5′ Taku kombinohet në zonë me Caken, i cili gjuan saktë dhe e dërgon topin në rrjetë, 1-0.
7′ Popoviç tenton me kokë, por nuk gjen portën.
24′ Progni godet fuqishëm brenda zonës, Çaka devijon në goditje këndi. 26′ Y.Hoxha provon nga distanca, grushton portieri i Tiranës.
32′ Goditje dënimi, Progni gjuan, Çaka largon rrezikun.
36′ Hallaçi kroson brenda zonës për Popoviçin, sulmuesi e kthen topin te Cikalleshi, i cili gjuan dhe shënon, 1-1.
38′ Goditje këndi për miqtë, ekzekuton bukur Limani, pret Koci.
43′ Taku kthen topin me finte te Karabeci, i cili gjuan, por e çon mbi traversë.
46′ Cikalleshi pason te Popoviç, sulmuesi kthen mbrapa topin për Allmuçën, gjuan fluturimthi dhe nuk gabon, 2-1.
51′ Limani tenton nga distanca, por nuk gjen kuadratin.
61′ Gjuajtje pa pretendime nga distanca, portieri grushton në limit.
69′ Çota kombinohet me Takun, godet , por pa krijuar rrezik te vendësit.
71′ Bratiç i jep një asist perfekt Popoviçit, sulmuesi del huq dhe nuk përfiton për të trefishuar rezultatin.
73′ Cikalleshi gjuan, Çaka rrezikon duke pritur në dy kohë.
81′ Çaushaj godet nga larg, por vetëm jashtë.
93′ Progni rrezikon në fund, pret Çaka.

Kukesi-TiranaPjesa e parë Tirana e nis mirë lojën, duke e gjetur veten shumë shpejt në avantazh. Në të 5- ën minutë Taku kombinohet në zonë me Caken, i cili gjuan saktë dhe e dërgon topin në rrjetë, 1-0. I riu 17- vjeçar e fillon mbarë aventurën si bardheblu, pasi shënon që në debutim. Kundërpërgjigjen vendësit në të 7-ën minutë, teksa Popoviç tenton me kokë, por nuk gjen portën. Miqtë shfaqen më konkretë në fushë, duke dhënë sinjale se kjo do të ishte sfida e duhur për ta. Por, në të 14-ën minutë gjithçka ndryshon. Kotobelli del me karton të kuq, pas një prekjeje të topit jashtë zone, dhe e lë skuadrën me dhjetë lojtarë në fushë. Në një situatë të tillë, Tirana do e kishte të vështirë t’i përballonte kuksianët, të cilët pas këtij momenti marrin kontrollin. Në të 24-ën minutë Progni godet fuqishëm brenda zonës, Çaka devijon në goditje këndi. Provon në minutën e 26-të edhe kosovari Hoxha, por grushton portieri i Tiranës. Presioni i vendësve shtohet, teksa në të 32-ën minutë një goditje dënimi e Prognit krijon rrezik për bardheblutë, por Çaka reagon në kohë. Përpjekjet e vazhdueshme të Kukësit marrin rezultat në të 36-ën minutë, kur Hallaçi kroson brenda zonës për Popoviçin, sulmuesi kthen topin te Cikalleshi, i cili gjuan saktë dhe barazon shifrat në 1-1. Tirana mundohet që të bëjë diçka, teksa me anë të Limanit provon, por pa rrëzuar portën e Kocit. Në të 46-ën minutë ekipi i Shensojit përmbys gjithçka, teksa Cikalleshi pason te Popoviç, sulmuesi kthen mbrapa topin për Allmuçën, gjuan fluturimthi dhe nuk gabon, 2- 1. Këtu mbyllet ky 45- minutësh.
Pjesa e dytë Ky fraksion ka qenë më i kujdesshëm për Kukësin, që mundohet të mbrojë avantazhin, por pa harruar edhe sulmet e vazhdueshme. Dominimi i vendësve vazhdon, ndërsa tentativat e Tiranës në asnjë moment nuk krijojnë rrezikshmëri për vendësit. Në të 51-ën minutë Limani tenton nga distanca, por nuk gjen kuadratin. Provon edhe Vrapi pas 10 minutash, teksa me një gjuajtje pa pretendime nga distanca sa nuk e barazon rezultatin, por portieri Koci grushton në limit. Çota kombinohet me Takun në të 69-ën minutë, godet mesfushori, por pa krijuar rrezik te vendësit. Bratiç, i sapofutur në fushë, në minutën e 71-të i jep një asist perfekt Popoviçit, sulmuesi del huq dhe nuk përfiton për të trefishuar rezultatin. Provon dy minuta më vonë edhe Cikalleshi, por Çaka rrezikon duke pritur në dy kohë. Kundërpërgjigjet edhe Çaushaj në të 81-ën me një goditje nga distanca, por topi përfundon jashtë. Në minutën e fundit të shtesës Progni rrezikon trefishimin e rezultatit, por portieri i Tiranës grushton. Ndeshja mbyllet me fitoren e Kukësit, e cila vijon dominimin e saj ndaj Tiranës, teksa në 5 takime të zhvilluara, ka fituar katër.

MË I MIRI
Sokol Cikalleshi ka qenë një ndër lojtarët më aktivë gjatë ndeshjes së djeshme. Sulmuesi kavajas, përpos faktit që arriti të shënonte, u kthye në një rrezik konstant për mbrojtjen e Tiranës. Pas nuk mbetet as Allmuça, i cili me golin e realizuar i dha një trepikësh të vlefshëm skuadrës. Sakaq, edhe te Tirana kishte lojtarë që bënë mirë dhe notë pozitive merr edhe Cake, i cili shënoi në debutim.

MË PAK AKTIVI
Blerim Kotobelli ishte lojtari që e ndëshkoi Tiranën. Fill pasi mori kartonin e kuq, bardheblutë edhe pse në avantazh humbën kontrollin dhe e kishin të pamundur që të përballonin furinë e skuadrës vendëse. Sulmi i Tiranës, konkretisht Mirel Çota, ende nuk po del në lojën e tij edhe pas 11 javësh kampionat. Ai nuk krijoi asnjë rast të rrezikshëm në portën e mbrojtur prej Kocit, e aq më pak të shënonte.

Babasi NdricimTri humbje, Gallo rrezikon shkarkimin
Alpin Gallo rrezikon shkarkimin. Tri ndeshje radhazi dhe asnjë fitore, është ky bilanci i skuadrës nën drejtimin e trajnerit. Nisur nga e gjithë kjo situatë, edhe drejtuesit po mendojnë ndryshimin. Prej kohësh ata janë në bisedime me emra të ndryshëm për pankinën, por ende nuk ka asnjë lëvizje konkrete. Sot do zhvillohet një analizë e detajuar për këtë disfatë të radhës, e cila do të shoqërohet me DVD. Vetëm pas kësaj do vendoset nëse do ketë masa për ekipin, apo për trajnerin. Në fund të ndeshjes me Kukësin, donatori Ndriçim Babasi për “Panorama Sport”, përveçse ka akuzuar gjykimin për vendimet e padrejta, është marrë edhe me lojtarët, si dhe ka komentuar edhe zgjedhjet e trajnerit. “Gjykimi vazhdon të na ndëshkojë. Nuk kapem vetëm me kartonin e kuq, por edhe me faullet që u dhanë, apo episode të tjera. Nuk ia vlen më që të ankohemi, pasi Tirana vazhdon të masakrohet nga arbitrat. Nesër (sot) do bëjmë një analizë të detajuar të humbjes pasi, veç arbitrave, edhe lojtarët kanë përgjegjësitë e tyre. Dhamë sinjale të mira, por kur mbetëm me 10 lojtarë u ndëshkuam. Në sulm duhej Semedo dhe lënia e tij jashtë 18-shes, apo e Kurtit, nuk më bindën fort. Portugezi, edhe pse humbet shumë raste, të paktën shkon deri te porta dhe në Kukës mendoj se do bënte diçka. Një tjetër episod që nuk më pëlqeu, ishte edhe me tentativën për të lënë jashtë Limanin dhe Karabecin pas një grindjeje që kanë pasur. Duhen studiuar dhe analizuar me detaje të gjitha këto, pasi trajneri bëri ankesë në klub për dy mesfushorët tanë dhe unë ende s’e di çfarë ka ndodhur realisht”, – tha fillimisht ai. Kur pyetet a rrezikon Gallo, ai përgjigjet: “E meriton shkarkimin, janë tri humbje. Megjithatë, duhet të jemi më gjakftohtë në vendime dhe të mos nxitohemi. Të analizojmë, pastaj të japim verdikte”.

ShensojiShensoji: Duhej të fitonim 5-0, por e keqja kaloi
Naxhi Shensoji kërkonte më shumë. Sipas trajnerit të Kukësit, ekipi i tij mund të realizonte më shumë gola, mirëpo nuk e shfrytëzoi epërsinë numerike. E megjithatë, në fund të takimit ai e cilëson këtë trepikësh të vlefshëm. “Nuk jam shumë i kënaqur, sepse duhej të kishim fituar më thellë. Mundësitë i kishim. Kundërshtari mbeti me 10 lojtarë, gjë nga e cila ne duhej të kishim përfituar. Unë nuk kënaqem me fitore 5-0, e jo më 2-1. Në pjesën e parë më pëlqeu loja. Reaguam shpejt pas golit dhe e detyruam Tiranën që të gabojë dhe të vetëndëshkohet. Në prodhuam raste, por nuk realizuam. Për pjesën e dytë nuk jam i kënaqur pavarësisht rasteve të shumta. Edhe lojtarët, por dhe kapiteni duhet të jenë më seriozë në lojë, të mos humbasin raste për t’i dhënë mundësi kundërshtarit të organizohet. Detyra ime është që skuadra të krijojë, por unë nuk mund t’i shënoj golat. Besoj se problemet për Kukësin po kalojnë dhe ditët e mira për ne kanë nisur tashmë. Kjo fitore vjen për tifozët tanë”, – nënvizoi tekniku, i cili ua dedikon triumfin ultrasve.

Cikalleshi me Kukesin“Është momenti im, goli për shokun e ngushtë”
Sokol Cikalleshi ka shënuar golin e tretë radhazi në kampionat. Duket qartë që e ka parandier golin, duke qenë se kishte përgatitur edhe një bluzë me dedikim. “Mendrit, Mendi, goooool”, – shkruhej në bluzën e bardhë që kishte veshur poshtë fanellës. “Ia dedikoj golin shokut tim më të mirë, Mendit, i cili më ka qëndruar pranë në momente të mira dhe të vështira, si në lojë edhe në jetë, por sigurisht që nuk mund të harroj edhe tifozët, të cilët mezi e prisnin këtë fitore pas dy muajve larg fushës sonë. Më vjen mirë që po rigjejmë rrugën e fitoreve dhe të golit, besoj se me nisjen e fazës së dytë Kukësi ynë do kapw majat dhe do jetë pretendent për titullin. Ky triumf ishte një konfirmim për skuadrën tonë, e cila po vijon me rezultate pozitive. Besoj se lamë prapa një periudhë jo të mirë. Në katër ndeshje kam shënuar katër gola, përfshi këtu edhe golin në kupë. Mendoj se ky është momenti im, por nuk mund të mos falënderoj edhe trajnerin Shensoji, i cili më ka besuar. Me ardhjen e tij edhe unë e kam rigjetur veten”, – u shpreh sulmuesi kavajas.

Allmuca“Mund të bënim goleadë, goli për dy djemtë e mi”
Igli Allmuça realizon golin e katërt personal përballë Tiranës. Ai duket se ua ka marrë dorën bardhebluve, pasi edhe dje vulosi fitoren e kuksianëve. Në fund të takimit, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori ua dedikon golin dy djemve të tij dhe nuk nguron që të falënderojë edhe tifozët për përkrahjen dhe sjelljen korrekte. “Jam i lumtur për fitoren, e merituam plotësisht. Megjithatë me atë që krijuam dhe duke parë kundërshtarin, mund të kishim shënuar më shumë, pse jo të mbyllej me goleadë. Por në fund të fundit vlejnë pikët dhe fakti që ne po ruajmë vazhdimësi në ecurinë tonë. Rruga jonë për të kapur majat tashmë ka nisur dhe në vazhdim do jemi aty ku synojmë. Ne luajtëm shumë më tepër se rivali dhe, pa dyshim, e merituam këtë triumf sot (dje). Përshëndes edhe tifozët për përkrahjen që na dhanë në këtë përballje. E dimë që ishte e rëndësishme për ta, ndaj nuk do nguroj që t’i falënderoj për qëndrimin korrekt që patën në shkallët e stadiumit. Tani le t’i hedhim sytë nga e ardhmja dhe te faza e dytë”, – tha Allmuça.

GalloGallo: I kuqi na ndëshkoi, s’ia dolëm dot
Alpin Gallo në fund të takimit deklaroi se skuadra e tij e pësoi pikërisht ngaqë mbeti me 10 lojtarë. Për mediat, trajneri i Tiranës tha se kuksianët ishin të etur për fitore, për këtë arsye ekipi i tij nuk u bëri dot ballë. “Edhe pse shënuam gol të parët, patëm presion nga kundërshtari sidomos pas daljes me karton të kuq të lojtarit tonë. Pikërisht këtu na u vështirësuan gjërat. Edhe pse u munduam ta administronim lojën, nuk po ia dilnim dot. Presioni i skuadrës vendëse ishte i lartë dhe kjo na bllokoi. Kur pësuam gol, gjithçka u komplikua. Kukësi ishte i etur për të fituar dhe ne nuk i bëmë dot ballë. U goditëm pikërisht atëherë kur nuk e prisnim. Gabuam në mbrojtje pas golit të parë, dhe në këto kushte u ngurtësuam. U munduam të krijonim shkëndija, por pa krijuar rrezik në portën kuksiane. Dihet forca e Kukësit, pavarësisht pikëve që ka. Ai nuk duhet të jetë në atë pozicion ku ndodhet momentalisht. Ka ekip mjaft të mirë”, – përfundoi trajneri Gallo, i cili pas tri ndeshjesh në krye të Tiranës nuk ka marrë asnjë fitore, por vetëm humbje.

Gallo, ankesë në klub për Limanin dhe Karabecin
Disa fjalë më tepër mes tyre e detyruan Alpin Gallon që t’i largonte nga stërvitja. Flasim për Mensur Limanin dhe Erando Karabecin, të cilët kanë pasur një konflikt. Edhe pse janë miq shumë të mirë, pak ditë më parë kanë debatuar në stërvitje për një pasim jo të rregullt të topit. Kjo bëri që trajneri i Tiranës t’i drejtohej klubit, duke u ankuar tek administratori Krenar Alimehmeti mbi dy futbollistët. Madje, ai kërkoi që ata të liheshin jashtë 18-shes për ndeshjen me Kukësin. Kreu i klubit njoftoi donatorin Babasi dhe, pasi u konsultuan, u vendos në limit që lojtarët të udhëtonin për këtë transfertë dhe, për pasojë, që të dy ishin në fushë. Sakaq, para analizës, Gallo e ka prekur sërish këtë episod, duke u thënë lojtarëve se ata do zbrisnin në fushë, pasi ai “sherr” ishte një episod: “E di që jeni miq dhe kjo ishte e rastësishme, por nëse do të konstatoja se ka ndodhur më parë, atëherë ju nuk do të ishit grumbulluar”. Në formë penalizimi Gallo nuk i dha shiritin Karabecit, edhe pse është zv.kapiten.

E mërzit humbja, Kërçiku grushton xhamin
Dorian Kërçiku e ka vuajtur shumë humbjen. Fill pasi është mbyllur ky takim, ai si gjithë të tjerët u është drejtuar dhomave të zhveshjes, por nga nervat dhe irritimi që skuadra e tij vazhdon të humbasë dhe ka prekur fundin, ka thyer një xham. Por fatmirësisht nuk ka pasur asnjë problem për mesfushorin. Në të njëjtën gjendje kanë qenë edhe futbollistët e tjerë bardheblu, të cilët kanë shfryrë me fjalë, pa kaluar në gjeste. Ata duken të rënduar psikologjiksht dhe të lodhur nga disfatat e njëpasnjëshme. Situata sa vjen e komplikohet për kryeqytetasit, që tashmë dergjen të 12-tët. Gjasat janë që të merren edhe masa ndaj futbollistëve, por ende nuk ka asgjë konkrete. Mbledhja që do zhvillohet sot, mund të përcaktojë diçka konkrete.
JONUZ HALLAÇI / ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"