“Koka” e Skënderbeut… në një qese me 5 milionë lekë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2016 | 13:28

“Koka” e Skënderbeut… në një qese me 5 milionë lekë!

Gezim SinematiNga GËZIM SINEMATI

Si për ironi të fatit dhe të historisë, futbollisti që shënoi në portën e Skënderbeut quhet Kalaja. Kemi dëgjuar shpesh për dorëzimin apo për mosdorëzimin e kalasë, por kampionët e dorëzuan pa kushte “kalanë” e tyre në Shkodër. Për shkodranët, një fitore fatlume në një moment krize me besimtarët e qytetit. Një fitore me një trajner që kultivon ambicien dhe jo iluzionin.

Një Armando, i cili po imponohet nga toka dhe jo nga qielli. Për Shkodrën, qytetin që kishte humbur krenarinë tradicionale në këtë sport, ky triumf është si një kambanë për t’i dhënë fund letargjisë. Nga ana tjetër, një humbje e madhe për kampionët, kur përgjon gjestet në fushë dhe lotët e munguar, fill pas zhgënjimit. Trajneri Josa pranon se është një humbje që djeg, porse kursen të pranojë publikisht se Shkëmbi dhe Salihi kanë bërë kurën e letargjisë këtë herë.

Sikur të guxonin ta shikonin edhe një herë kasetën e dorëzimit të Skënderbeut te “Kalaja”, kampionët do të kuptonin më mirë se edhe humbjet meritojnë art. Sikur të pyesësh gjithë ekipet e Superiores sa do të paguanin për  të mundur diktatorët e kampionatit, Skënderbeun, askush nuk do të kursehej edhe pse është kampionati më i varfër. Por, kur shikon futbollistët shkodranë, të cilët pozojnë duke ndarë premion 5 milionë lekë të vjetër, duket si një ritual ku injorohet fituesi, por edhe… humbësi.

Breza të talentuar shkodranësh, që u paguan me dëftesa dhe me medalje, ndihen të sikletosur kur përjetojnë guximin e tepruar të pasardhësve, duke pozuar me qeset e parave. Në këto momente, kur kërkojmë t’i tregojmë Europës se nuk jemi më aq të pacipë në konvertimin e lojës në para, kapërcejmë të drejtën morale duke zbuluar edhe… çmimin fyes të një ndeshjeje të madhe në letër.

Një ndeshje, e cila nuk do të mbahet mend për atë qesen që magnetizoi futbollistët, as për betimin se “Do të luajmë për vete dhe nuk do të bëjmë dhurata”, por për një lojë ku çmimi të matet me shijen e bioshkodranëve të futbollit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"