Largimet, ja “revolucioni” në Korçë, zbardhet lista e futbollistëve në prag “divorci”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2015 | 10:02

Largimet, ja “revolucioni” në Korçë, zbardhet lista e futbollistëve në prag “divorci”

Progni dhe Alikaj

Fundi i sezonit pritet të sjellë edhe lëvizjet e para në merkato për Skënderbeun. Pavarësisht deklaratave të Takajt dhe Josës që kundërshtonin njëra-tjetrën, ku presidenti theksonte se asnjë nuk largohet, ndërsa trajneri kërkonte ndryshime, duket se situata në Korçë pritet të ndizet me merkaton qysh para Champions-it.

Për momentin nuk ka të dhëna zyrtare nga klubi mbi lëvizjet e mundshme të Skënderbeut në merkato, sepse sipas tyre duhet të presim njëherë fundin e sezonit që mbaron pas ndeshjes me Vllazninë. Mirëpo, nga ana tjetër, merkato në Korçë ka filluar që të “ziejë”, me emrat që përfliten të jenë në listën e largimeve nga Skënderbeu. Burime nga klubi, edhe pse jo zyrtarisht, shohin të mundshëm një divorc mes Sefës dhe bardhekuqve, kjo për vetë faktin se sulmuesi duket se nuk është në planet e Josës, pasi edhe hapësirat në këtë kampionat i ka pasur të pakta. Kjo situatë ka krijuar edhe pakënaqësi te vetë Sefa, gjë që e bëri të ditur pas ndeshjes me Apoloninë.

Ende nuk dihet nëse lojtari do të bindet të qëndrojë në Korçë apo do të kërkojë transferimin në ndonjë ekip tjetër. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Jashanica, i cili, për shkak të konkurrencës, e ka pasur të pamundur të fitojë një vend në formacion, por ndryshe nga Sefa lojtari nuk ka kërkuar asnjëherë më shumë hapësira. Ndaj futbollistit ka pasur interes nga disa ekipe, por Skënderbeu nuk kërkon ta lërë të lirë lojtarin të largohet me parametra zero, për vetë faktin se kontrata e tij skadon vitin e ardhshëm.

I pakënaqur me hapësirat që ka pasur është edhe mesfushori Enkelejd Alikaj. Mesfushori me shumë klas ka shpresuar në një minutazh më të madh. Pritet të largohet, edhe pse ka kontratë deri në vitin 2016. Në rrugën e largimit është edhe Kame. Sulmuesi korçar mendohet të jetë në kërkim të një ekipi ku mund të luajë për të fituar eksperiencën e nevojshme. Ndërsa nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Arapin. Javët e fundit janë shtuar fjalët se Flamurtari ka shprehur dëshirën për ta pasur në ekip sezonin e ardhshëm, por vështirë që Skënderbeu të heqë dorë nga një lojtar kyç sikundër është mbrojtësi durrsak, një nga më të mirët këtë sezon me Skënderbeun.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"