Mundi Interin, Hysaj: I lumtur sepse fitova “derbin” e… Ballkanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2015 | 20:00

Mundi Interin, Hysaj: I lumtur sepse fitova “derbin” e… Ballkanit

hysajPuno dhe mos fol”! Kjo është motoja e Elseid Hysajt, e trashëguar nga familja e tij. Rezultati ka qenë mbresëlënës: 21 vjeç, titullar i Napolit dhe i padiskutueshëm në Kombëtare. Të hënën në mbrëmje, mundi Interin “e tij”.

Po, sepse është një interist i deklaruar, ndoshta më shumë edhe se sa Rei Manaj që e përjetoi nga stoli humbjen.

“E takova pas ndeshjes Rein dhe i thashë që të shkonte në shtëpi e të çlodhej sepse ishte lodhur shumë”, është batuta e mbrojtësit shkodran, teksa për “Panorama Sport” rrëfen emocionet e ndeshjes së madhe që fitoi kundër zikaltërve.

“Fitova sërish derbin e Ballkanit. Munda edhe Ljajiçin që na shënoi në Elbasan me Serbinë. Normal që jam shumë i kënaqur”, shton Hysaj.

Elseid, është ora 19:00. A jeni i çlodhur pas ndeshjes së djeshme me Interin?

Po, po jam mirë. Ne jemi të përgatitur që përballojmë këtë ritëm, edhe pse kundër atyre (Interit) nuk ishte e lehtë.

Pse nuk ishte e lehtë?

Sepse m’u desh që të vrapoja shumë. Pa masë. Por, gjithsesi, e dija se çfarë më priste, ndaj nuk jam i surprizuar.

Kaq e vështirë është që ta mundësh Interin?

Po, e vështirë. Madje, ata për pak na barazuan në fund, edhe pse ishin me dhjetë veta.

Interi ka skuadër shumë cilësore, apo çfarë?

Jo, ndoshta nuk është më cilësorja me të cilën jam përballur, por ka lojtarë shumë të fortë. Fizikisht janë shumë të fortë.

Cila është skuadra më e fortë me të cilën jeni përballur këtë sezon?

Ka disa. Nuk është më si vitin e kaluar, kur Juvja shkëputej që në fillim. Sivjet ka më tepër balanca dhe diferencat janë më të vogla. Interi është një ndër skuadrat e vështira, por edhe Fiorentina është ekip i fortë dhe të hap punë. Ata kanë më shumë teknikë ndoshta, por vrapojnë gjithashtu shumë. Roma e shumë të tjera janë po ashtu të rrezikshme. Nuk ka kundërshtarë të lehtë asnjëherë në Itali.

Dakord, por ama nuk janë të gjithë si Interi dhe Fiorentina që përmendët apo jo?

Më besoni, këtu lë pikë edhe atje kur nuk e pret. Ne të Napolit e kemi problem këtë. Ia dalim mirë me të mëdhatë, por vuajmë me të voglat.

Si është të mundësh Ljajiçin, i cili na shënoi gol në “Elbasan Arena” me Serbinë?

E mendova shumë pak këtë gjë në fushë. Jo se nuk e mendova fare, por e mendova shumë pak…(qesh). I luajta fort sa munda, sa herë që ai vinte në krahun tim, por realisht është lojtar shumë cilësor. Më trembi disi në fund sepse ishte duke barazuar… Ishte lojtar i fortë, por deri sa ne e mundëm, do të thotë se jemi më të mirë se ai dhe shokët e tij…

Çfarë menduat në fund të ndeshjes?

U ndjeva trefish krenar. Së pari, sepse fituam një ndeshje të madhe dhe shumë të vuajtur. Së dyti, sepse morëm vendin e parë dhe, së treti, sepse fitova derbin ballkanas. Kishte shumë ballkanas në fushë dhe kjo më bëri të ndihem mirë në fund të ndeshjes.

Ju jeni interist i deklaruar, si ndiheni pasi keni mundur skuadrën e zemrës?

Tani, kjo ndoshta është pak e tepruar. Unë jam tifoz i Interit, por realisht Napoli ka filluar të më pëlqejë shumë. Po, jashtëzakonisht shumë. Edhe si qytet, edhe si skuadër. Brenda ekipit ka një harmoni të jashtëzakonshme dhe kjo na ka ndihmuar shumë.

Po çfarë ju bën më shumë përshtypje nga Napoli?

Tifozët. Janë pak si ne shqiptarët… shumë pasionantë, por ama të vërsulen menjëherë edhe kur merr një barazim. Kalojnë nga ekstremi në ekstrem. Kur të mbështesin e bëjnë këtë në mënyrë kaq të zjarrtë sa duket sikur të bëjnë me krah. Por kur zhgënjehen nuk dinë të përmbahen. Kjo nuk më pëlqen edhe aq.

A e takuat Rei Manajn pas ndeshjes?

Po, e takova pas ndeshjes, por nuk pata shumë kohë. Folëm shumë pak.

Çfarë i thatë?

I thashë që të shkonte në shtëpi se ishte lodhur shumë… (qesh).

Cilët janë shokët më të mirë që keni te Napoli?

Insinje, Maxho dhe Gabiadini. Këta janë njerëzit me të cilët kaloj më shumë kohë dhe na shkon muhabeti. Por edhe Higuain, Mertens dhe Reina janë shumë të sjellshëm dhe bashkëpunues.

Cili është lojtari më i talentuar me të cilin keni luajtur në krah?

Kam pasur disa. Kisha edhe tek Empoli të tillë. Mund të veçoj Saponarën. Ishte i shkëlqyer. Por këtu te Napoli të duket sikur janë nga një planet tjetër.

Pse?

Sepse Higuain, Insinje dhe Mertens janë fantastikë. Janë vërtet shumë të talentuar.

Po lojtari më i vështirë me të cilin jeni përballur në Serinë A?

Tevez, kur ishte te Juventusi. Ishte shumë i fortë, shumë i talentuar dhe shumë i paparashikueshëm. Pas tij mund të llogaris Andersonin e Lacios. Shumë i shpejtë. Por edhe te Roma ka disa lojtarë të vështirë. Ndërkohë që tek Interi ishte Perisiçi. Ishte tejet i fortë, më befasoi.

Cili ka qenë momenti më i vështirë pasi shkuat te Napoli?

Ishin ndeshjet e para. Presioni në fillim bënte punën e vet dhe kisha një ndjesi sikur po luaja për herë të parë në Serinë A sa herë që zbrisja në fushë me Napolin. Kjo më vuri disi në siklet, por ia dola mirë.

A është Napoli për titull?

Nuk di ta them. Nuk mjafton të mundësh vetëm Interin dhe të jesh në dhjetor i pari në renditje. Duhet shumë punë. Ne do të punojmë fort dhe situata është e mirë, por duhet që t’i marrim ndeshjet me radhë. Këtu ka shumë skuadra të forta dhe ne kemi një problem që pengohemi ndonjëherë te skuadrat e vogla.

Zv.trajneri i Kombëtares, Tramexani, ka thënë se ju mund të bëheni një ndër më të mirët në Europë në rolin tuaj…

Më vjen mirë që më vlerëson, por nuk dua të dëgjoj shumë kësi gjërash. Nuk jam hipokrit, i lexoj gazetat dhe shoh edhe vlerësimet që bëjnë duke thënë se “jam një ndër më të mirët në rolin tim”, por përpiqem gjithnjë shumë që të qëndroj me këmbë në tokë. Këtu, nëse të rrëshqet këmba diku, është e vështirë që t’ia dalësh. Pastaj të mos harrojmë se ndonjëherë është edhe çështje preferencash. Mund të luash mirë dhe të jesh në formë, por nuk je pjesë e planeve apo e pëlqimeve që ka trajneri. Duhen të gjithë komponentët që të ecësh përpara.

Cila është motoja juaj?

“Puno dhe mos fol”. Kjo është motoja ime. Në fakt, është e familjes sime dhe unë i kam qëndruar besnik. Nuk kam dëshirë që të flas shumë dhe përpiqem t’i evitoj mediat për aq sa mundem. Deri tani ia kam dalë mirë…

Intervistoi: Jetmir Halilaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"