Një gënjeshtër që vlen 1 milion euro!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2015 | 19:58

Një gënjeshtër që vlen 1 milion euro!

Gezim SinematiNga GËZIM SINEMATI

Askush nuk e ka harruar përgjigjen e prerë dhe prepotente të presidentit Duka kur u pyet për një akt rebelimi të Kombëtares, për shkak të reduktimit të pabesë të premios nga 3 milionë, në 2 milionë euro. “Nuk është e vërtetë që Kombëtarja ka braktisur seancën stërvitore, madje nuk do të ndodhë as në të ardhmen”. I ftohtë, pa iu dridhur qerpiku, presidenti Duka iu largua me një kurajë “të admirueshme” asaj që kishte ndodhur. Fjalët e tij kumbonin sfiduese, madje injoruese, sidomos për futbollistët Cikalleshi dhe Lila, të cilët ishin ulur pranë tij në studio dhe u treguan të pafuqishëm, qoftë edhe për t’u habitur pakëz. Sigurisht, do të ishte një lajthitje e spikatur, po të imagjinoje se njëri nga futbollistët do të guxonte të thoshte se kishte pasur një protestë, një mbledhje të tejzgjatur dhe një premtim burrash se paratë do të merren sipas fjalës së dhënë. Por, kur futbollistët kuptuan se nuk do të laheshin me ar e flori, kanë pyetur kryeministrin Rama në mbrëmjen gala. Dhe përgjigjja ka qenë si një gol mpirës, si ai me Portugalinë, ku mungonin vetëm kokat tona: “Unë pjesën time ia kam dhënë FSHF-së”. Nëse loja e milionave do të kishte një arbitër, bilbili do të vërshëllente në favor të futbollistëve dhe trajnerit. Sikur De Biazin ta “lejonte” Skënderbeu për të dalë nga tema e bashkimit, një tipar i fryrë artificialisht në mjedisin kuqezi, me siguri do të kishte guxuar të analizonte një virtyt tjetër të vyer… fjalën e dhënë. Sikur të ishte vetëm italian, edhe mund t’ia “dridhnim” për shumën 200 mijë euro, që paskemi fiksuar në kontratë në rast kualifikimi, mirëpo Xhani është edhe shqiptar. Një shqiptar, ku gota e euforisë për bashkëjetesën u mbush plot, sa harronim me zell se dashuria e vërtetë në futboll nuk tregohet me fjalë, por vlen miliona. Në këtë këndvështrim, mosmbajtja e fjalës për paratë e premtuara do të vërtetojë edhe më shumë se, prapëseprapë, nuk jemi aq të lumtur sa dukemi. Pale kur kujton mbledhjen e fundit me rebelët kuqezi, me ata që dezertuan stërvitjen e mëngjesit, kur sapo e pyetën presidentin Duka se si do të ndahet shuma 13 milionë euro e fituar nga kualifikimi, reagimi ka qenë spektakolar: “Qenkeni bërë edhe llogaritarë…”!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"