Një serb ‘i dashuruar’ me Hasin: Ka qenë si baba për mua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2016 | 14:13

Një serb ‘i dashuruar’ me Hasin: Ka qenë si baba për mua

Ka punuar dy sezone me trajnerin shqiptar dhe tashmë ka konsideratën më të lartë. Mbase mund të jetë e çuditshme, por bëhet fjalë për një futbollist serb që i shpreh mirënjohjen një shqiptari. Nëse në pamje të parë duket sa e çuditshme, aq edhe e pabesueshme, mjafton të përmendet emri i strategut gjakovar dhe çdo gjë qartësohet.hasi

Besnik Hasi nuk është hero vetëm për belgët e Anderlehtit, por edhe për një serb. Aleksandër Mitroviç, që tashmë është pjesë e Njukasëllit në Premier Ligë, ka mbetur mjaft i kënaqur nga trajtimi që ka marrë nga trajneri shqiptar. Serbi ka dhënë një deklaratë për mediat pranë skuadrës së Anderlehtit dhe ka pohuar se atje ka gjetur një atmosferë mjaft të mirë pune.

“Jam ndier shkëlqyer. Është një skuadër që më ka pritur mirë dhe më ka bërë të ndihem i rëndësishëm”, është shprehur fillimisht sulmuesi. 21-vjeçari ka arritur të jetë i rëndësishëm për ekipin belg me atë që ka dhënë në fushën e lojës.

Në sezonin e parë, 2013-2014, Mitroviç ka realizuar 16 gola në 32 ndeshje. Një numër i madh realizimesh, duke kujtuar edhe moshën e re të sulmuesit, aq më tepër që ka qenë edhe sezoni i parë që ai ka luajtur jashtë kampionatit serb.

Në sezonin e shkuar, Mitroviç ka realizuar 20 herë në 37 ndeshje që është aktivizuar nga Besnik Hasi. Pikërisht për trajnerin nga Gjakova, sulmuesi serb ka shprehur konsideratën maksimale dhe ka bërë me dije se ai ka qenë një njeri i rëndësishëm në karrierën e tij.

“Hasit i jam shumë mirënjohës për gjithçka ka bërë për mua. Më ka ndihmuar që të kaloj çdo situatë dhe është treguar si një baba për mua. Falë tij, unë kam pasur mundësinë që të tregoj aftësitë e mia”, u shpreh serbi për “anderlechtonline.be”. Trajneri shqiptar ka bërë një karrierë të shkëlqyer me Anderlehtin dhe për reputacionin që ka krijuar, ka vlerësime të larta nga ishlojtarë të tij, apo edhe drejtues aktualë të skuadrës belge.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"