Refik Halili: Si i vendosa gjobë djalit pas ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2016 | 13:34

Refik Halili: Si i vendosa gjobë djalit pas ndeshjes

Refik Halili flet për të parën herë pas akuzave dhe polemikave të ditëve të fundit. Presidenti, në një intervistë të dhënë për “Supersport”, ka prekur pak nga të gjitha, duke filluar nga shkarkimi i Shkëlqim Muçës e për të kaluar te portieri Frashëri.

Refik-Halili-Tirona-logo

Ai zbulon se ish-trajneri nuk u paraqit pas ndërprerjes së kontratës, paçka se kishte në plan t’i ofronte një tjetër pozicion në klub. “Në momentin që arritëm marrëveshjen me trajnerin Shkëlqim Muça, i ofruam kontratë afatgjatë.

Kisha besim tek ai dhe aftësitë e tij dhe qëllimi ishte që ekipi të ecte përpara. Fati nuk desh dhe u detyruam që për rezultate të dobëta të ndalnim bashkëpunimin për ekipin e parë. Pastaj Muça nuk u paraqit më, nuk kërkoi që të bisedonim apo vazhdonim bashkëpunimin.

Ndoshta ne mund t’i ofronim drejtimin e ekipeve të tjera, apo ndonjë pozicion në klubin e Tiranës. Me ardhjen e Dajës, kuptohet që ka pasur një ndryshim, kjo është e dukshme”, tha fillimisht Halili.

Projekti Edhe pse jemi në “pikun” e merkatos së janarit, te bardheblutë po mendojnë seriozisht për sezonin e ardhshëm.  Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë presidenti, i cili qartëson: “Shumë shpejt, ndoshta brenda një muaji, do të fillojmë të punojmë për të ardhmen, pra për atë që duam të bëjmë vitin e ardhshëm. Do të nisim nga rinovimet, me ata që u përfundon kontrata në fundin e këtij edicioni. Do ta fillojmë direkt me trajnerin Daja, me të cilin do të nënshkruajmë një kontratë.  Çfarëdolloj rezultatesh të ketë Tirana, ne do të nënshkruajmë kontratë për sezonin e ardhshëm 2016-2017 me trajnerin Ilir Daja”.

Objektivi Tirana synon një vend në Kupat e Europës, por nuk dorëzohet as për kreun. “Për vetë rezultatet apo për pikët nga vendi i parë, duhet të punojmë për ta kapur atë, në mënyrë që të kapim Kupat e Europës. Kampionati është i gjatë, unë besoj. Nuk jam i lajthitur, por kam besim te grupi se, nëse do të jemi të kujdesshëm dhe do t’i marrim ndeshjet një nga një, do shikojmë që nuk do të jemi këtu ku jemi sot, por më lart, për vetë financimin dhe kontingjentin e futbollistëve që ka klubi”, përfundoi Halili.

Borxhet Borxhet mbeten ende një “gangrenë” për Tiranën dhe klubi po mundohet që t’i shlyejë gradualisht. “Klubi vazhdon të ketë vështirësi të mëdha dhe jemi të detyruar që të sistemojmë borxhet. E lehtë nuk është, pasi shumat janë të majme. Por, unë jam optimist. Gjithsesi, kjo kërkon durim dhe kujdes. Dhe t’i zerojmë gradualisht”.

Akuzat Refik Halili ka reaguar edhe pas akuzave të Stivi Frashërit, por ka komentuar edhe kritikat e ardhura nga Agustin Kola apo Blendi Nallbani. “Do ishte mirë që një ditë si klub t’ia çojmë në kasetë Frashërit golat që ka pësuar. Ndeshje që dihen dhe është interesante që kanë ndodhur vetëm ndaj 2-3 ekipeve. Nuk kam folur, s’i kam thënë asgjë. Edhe Nojer të ishte, në stol do përfundonte po të pësonte ato gola. Me gjithë respektin që kam për Kolën, kam dëgjuar se nuk ka pranuar që i ka thënë ato fjalë, ndërsa Nallbani thotë që neve i marrim lojtarët me miq. Nëse ka, mund të na e thonë, ta dimë edhe ne. Por të gjithë mund ta shohin dhe e dinë që në 18- shen dhe 22-shen tonë nuk ka të tillë. Do dëmtonim veten me lojtarë me miq”, u shpreh numri një i bardhebluve.

I biri Në fund, ai flet edhe për merkaton, por nuk heziton që të tregojë diçka edhe për raportin që ka me të birin, autor i 3 golave në 3 miqësoret e kësaj faze. “Kemi bërë merkato të kufizuar, pra jo të madhe në numër. Grenti, kur po vinte nga Fieri, më njoftoi se kishte shënuar dhe më tha: ‘Sa e kam premion?’. Kur më tregoi se kishin humbur me shifrat 4-2, i thashë ‘të gjithë keni gjoba’. Kam besim se me regjimin që mban dhe stërvitjen, mund të bëhet. A luan apo nuk luan kjo s’më takon, do gaboja po t’i thosha trajnerit që e dua të paktën 20 minuta në fushë”, përfundoi presidenti i Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"