Shqipëri 0-2 Serbi, notat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2015 | 17:01

Shqipëri 0-2 Serbi, notat

serbiaEtrit Berisha 5

I pafajshëm te golat e pësuar. Nuk pati shumë punë dhe bëri çmos te goli i anuluar i serbëve, por përplasja me Ljaiçin ishte një faull i pastër. E vetmja siguri në mbrojtje.

Berat Gjimshiti 5

Gabon edhe ai te goli i parë. Kapet në kundërkohë dhe praktikisht as nuk bëri presion te lojtari që u afrua me topin dhe as nuk markoi ndonjë prej kundërshtarëve.

Elseid Hysaj 5

Një ndeshje e mirë për 90 minuta, por gabon në sekondat shtesë. Shumë i avancuar në rastin e golit të parë, duke e lënë krahun e tij bosh. Aty ku Kolarovi pati kohë të mendohej para se të gjuante.

Lorik Cana 5

I vendosur keq së bashku me Gjimshitin në rastin e golit të parë. Ndeshje jo aq e mirë se ato me Portugalinë e Danimarkën. Nuk organizon si duhet prapavijën dhe ndëshkohet shumë shpejt me të verdhë.

Ansi Agolli 5

Vuan me Lenjanin në krah. I duhet më së shumti të mbrojë dhe sa herë del para, askush nuk ia pason topin. Gjithsesi, arriti t’i jepte një pasim perfekt Lilës në pjesën e parë, por kavajasi nuk e shfrytëzoi siç duhej.

Migjen Basha  5.5

Ndër të paktit që e kalon klasën. Finesë mjaftueshëm dhe lufton pa droje edhe duke bërë presing. Në pjesën e dytë bie disi dhe aktivizimi i Kaçes ia “turbullon” pamjen, pasi nuk arrin të bëjë më dirigjentin e aksioneve.

Taulant Xhaka 5.5

Nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe i duhet Gashi në krah që të kombinojë, por gjithsesi nuk stonon. Lufton si luan në mesfushë, edhe pse shpeshherë përplaset me shokët.

Andi Lila 5

Kolarovi dhe Tadiç nuk janë aspak të lehtë. E megjithatë mbrojtësi vë zemrën në fushë, por kaq nuk mjafton. Për të bërë si duhet mesfushorin e krahut duhet edhe pak klas te pasimi apo harkimet. Por ai nuk është mesfushor, është mbrojtës…

Ledian Memushaj 5

Një pjesë e parë shumë e mirë. Rrëmben topa, krijon hapësira dhe përpiqet që të jetë i rrezikshëm. Në pjesën e dytë nuk e di më ku duhet të jetë në fushë. Nis të imitojë Abrashin duke shkatërruar aksione, por ai ka numrin 9 në fanellë…

Ermir Lenjani 4.5

Gjysmë note me hatër. Gjuajtje pa forcë dhe pa adresë drejt portës. Asnjë pasim i saktë për Balajn dhe as nuk e ka idenë se kur duhet të kthehet mbrapa. De Biazi i bëri nder që e la aq shumë në fushë. Djaloshi duhet të zgjohet, sepse efekti i golit të Danimarkës ka mbaruar.

Bekim Balaj 5

Nuk mori asnjë pasim të saktë në zonë. Ky është një problem i madh, jo i tiji, por i skuadrës sonë. Shqipëria ka harruar të shkojë te zona kundërshtare si duhet dhe praktikisht sulmuesit vetëm luftojnë pa top. Nuk arrin të bëjë dot as mur, sepse ka pak që e mbështesin në mesfushë

Ergys Kaçe 5.5

Shumë klas dhe kurajë, por hera-herës i pavendosur si duhet. Më saktë, as ai nuk e kishte idenë se ku duhej të ishte. E, megjithatë, pas disa minutave kaotike në fillim e mori veten. Por, De Biazi duhet t’i bëjë të qartë se çfarë roli ka në fushë…

Sokol Cikalleshi 6

E kaloi klasën. Rasti i vetëm i rrezikshëm në portën serbe ishte pikërisht i tiji. Nuk mori asist, thjesht shpiku diçka me klas dhe potencë, por portieri kundërshtar ia mohoi festën. Konstan.

Alban Meha

Vetëm 11 minuta lojë në fushë, por kaq nuk mjaftojnë edhe për “snajperin” më të mirë në botë. Pati vetëm një rast me goditje dënimi dhe atë e përplasi në mur. Do të merrte notë, madje 10 me yll nëse do të kishte barazuar në atë goditje standarde…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"