Shqipëria “nuk ka” sport, ka “mercato”…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2016 | 10:25

Shqipëria “nuk ka” sport, ka “mercato”…

Besnik-DizdariNGA BESNIK DIZDARI

Të dielën në mbrëmje ndoqa rubrikën sportive të televizionit të mirënjohur të Kosovës “RTV 21”, i shquar për larminë shumësportive të përmbajtjes së tij. Nuk e filloi me futbollin. E filloi me hendbollin, me pjesëmarrjen e Kombëtares së Kosovës në kualifikimet për Botërorin 2017.

Vazhdoi me pjesëmarrjen e femrave kosovare në Kupën e Europës po në hendboll. Duke mos harruar, ndërkaq, suksesin e parë të vitit të saj sportiv: Medaljen e Artë në xhudo të sapofituar nga Nora Gjakova në “AFRICA Open” në Tuniz, ku kosovarja e shquar fitoi edhe 100 pikë të tjera për pjesë- marrje në Olimpiadën e këtij viti, atë “RIO 2016”. Vetëm andej kah e vona, rubrika e “RTV 21” u mor me rizgjedhjen e Fadil Vokrrit si kryetar (president) i Federatës së Futbollit të Kosovës. Dhe vetëm mandej nisi me futbollin. Prej “RTV 21”, kalova te disa rubrika të njëkohshme të televizioneve shqiptare. Si përherë kopje të njëra-tjetrës, në paraqitje, në tematikë dhe deri në koreografi. Natyrisht, pa munguar FSHF-istët – mbrojtësit e rregullt të punëve të FSHF-së.

Vetëm në një rubrikë qenë tre të tillë!… Natyrisht në këto rubrika nuk mund të kishte hendboll, sepse ky sport fort i bukur në Shqipëri me sa duket ka hyrë në arkiva, qysh në vitet ’50 kur patëm guxuar madje të organizonim edhe kampionat kombëtar. Dhe nuk mund të kishte as xhudo, përderisa Shqipëria nuk mëton Olimpiadën në këtë sport. Ai që sundon si përherë, dihet, ishte dhe është futbolli, më saktë “mercato”-ja e futbollit. “Mercato”-ja që është mjerimi i futbollit shqiptar, ndonëse i fryrë deri aty, saqë kemi filluar të shndërrojmë në analistë sportivë televizivë edhe “menaxherë” të futbollit. Pra, ata që organizojnë apo shesin e blejnë lojtarë për klubet.

Madje, tash e parë, i kemi emërtuar me titullin pompoz “menaxherë të FIFAs”! Si të ishin emisarë të dërguar këtu prej selisë së Zurichu-t. Kur, në të vërtetë, me FIFA-n ata nuk kanë asnjë lidhje përveç faktit se përmes FSHFsë miratohen nga FIFA për të ushtruar profesionin e tyre, që sigurisht është i nderuar dhe dobiprurës. Tjetër punë që me gazetarinë ata nuk kanë assesi asnjë lloj lidhjeje të profesionit. Dhe themi pa metaforë se Shqipëria “nuk ka sport”, por ka “mercato”. Fjalë latine kjo që shpjegohet kështu: “vend ku mblidhen shitësit me mallin e tyre për të kontraktuar dhe biseduar për shitjen e këtij malli”. Në shqip i thonë “treg”. Mirëpo, “urrejtja” e pandalshme për vlerat e gjuhës shqipe, do ta shuajë fjalën “treg”, ashtu siç e ka shuar edhe fjalën “ndeshje” për hir të “sfidës”.

“Sfidat e kësaj jave janë këto”, siç buçasin televizionet shqiptare apo njerëzit e tyre, të cilët nuk shkojnë të hapin fjalorin për të kuptuar kuptimin universal të fjalës “sfidë”. Mirëpo, dihet, në Shqipëri nuk ka asisoj gazetarësh, si bie fjala i shquari Roberto Gervaso, i cili thotë: “Sa herë që udhëtoj, marr me vete fjalorin e sinonimeve”. Shqipëria ka kështu “mercato” të shfrenuar, sidomos gjatë verës dhe muajit janar. E ky prej do kohe nuk është më një muaj sportiv, por një muaj “mercato”-je. Me një fjalë, shit e blej! Shit e blej djem të futbollit, shumica me vlera mesatare, të huaj po mesatarë, krejt të panjohur. Dhe për të cilët një grup njerëzish të futbollit po i kërkojnë Federatës Shqiptare të Futbollit t’i lejojë plot 6 të huaj (në vend që të ishin e shumta vetëm nja 3) në ndeshjet e Kampionatit të Shqipërisë. Duke përforcuar kështu përditë e më fort çshqiptarizimin e tij, duke ndalur deri në skajshmëri përkrahjen për rininë futbollistike të tokës amtare. Për fat, janari po i afrohet fundit, por në Shqipëri nuk ndihet askund sporti. Ndihet “mercato”. Njoftimet për të cilin janë terminologji e re sunduese e gazetarisë shqiptare. Dëgjojeni se si tingëllon: “Shkodranët presin tri blerje”! “Merkato e hapur – pritet një lojtar me potencë”!

“Teuta – merkato e goditur”! “Në Vlorë godasin sërish: mbërrin Lakosta”! “Partizani: rihapen bisedimet me Ortiz”! “Pritet një sulmues për provë”! “Kukësi – firmos Kartesano” ! “Argjentinasi Martinez – i pari që firmos për Tërbunin”! Deri dhe Puka, së cilës nuk ia ka assesi ânda pukjanët në 11-shin e saj. Me të thënë mendja se nuk jemi në Shqipëri, por në Angli, Gjermani apo Itali, ku skuadrat duan Kupat e Europës e doemos që janë të detyruara të kërkojnë për të blerë një Messi apo një C.Ronaldo, një Higuan apo një Benzema, një Iniesta apo një Ibrahimoviç, një Levandovski apo një Neymar! Po ne? Eh, ne na pat mbetur zakoni i Paslufës kur për veten na qe mbushur mendja se jemi një superfuqi e vogël “krenare”, të paktën në Ballkan, kur në të vërtetë jemi një shtet i vogël, me një sport e futboll të vogël (përjashto Kombëtaren 2016 me 15 futbollistë të jashtë Shqipërisë), me stadium të vogël, me publik të vogël, me financë të vogël, E pra, sporti ynë, sado i vogël qoftë, ku është fshehur?… Për shembull, Televizioni Shqiptar, i cili ndjekjen dhe pasqyrimin e sportit kombëtar e ka detyrim ligjor, ashtu siç veproi në verë, thuajse e ndali rubrikën e tij sportive edhe në këtë janar, saqë mezi e filloi më 17 janar.

Pushimet e dimrit si pushimet e verës! Vërtet, si ka mundësi që në TVSH të punojnë njerëz të “pushimeve” verore e dimërore? Pyetje e kotë përderisa shteti a parlamenti shqiptar ende nuk denjon deri as të caktojë drejtorin për RTSHnë. Edhe në këtë i vetmi në Europë! Një drejtor që t’i marrë mirë punët ndër duar, të drejtojë, të nxisë përzgjedhjet prej së pari të njerëzve të ditur e pasionantë. A me të vërtetë RTSH ishte i vetmi televizion publik në Europë që nuk e transmetoi ceremoninë e bukur të shortit të FRANCA 2016, apo gaboj? Kur, për më tepër, kjo ceremoni madhështore ishte historike sepse për herë të parë merr pjesë edhe Kombëtarja e Shqipërisë! Nuk di a bëzani ndokush. Madje, nuk u pa kund qoftë dhe një komunikatë për publikun për t’i treguar se si ndodhi që për herë të parë nuk e mori të drejtën për t’i transmetuar finalet e Kampionatit Europian Televizioni Publik Shqiptar – i vetmi që mbulon gjithë sipërfaqen e vendit! Mû ai që këtë të drejtë e ka përparësinë deri me mbështetje të FIFA-s a UEFA-s.

Nëse vërtet kështu ka ndodhur. Them kështu sepse është e vështirë të besohet, megjithatë. Temë e madhe kjo për një herë tjetër… Dhe i kthehemi “mercato”-s që ka mposhtur sportin kombëtar. E dimë se Shqipëria është shteti që praktikon numrin më të paktë të sporteve prej të gjithë shteteve të tjerë të Europës. Për shembull, edhe pse ka rënë gjithë kjo borë, Shqipëria nuk mund të organizojë garat e “fluturimeve” në ski sepse ajo nuk ka guxuar të ndërtojë një pistë apo trampolinë të skive. Po kështu, Shqipëria nuk mund të ketë not “dimëror”, sepse është e vetmja në Europë që nuk ka ndërtuar një pishinë të mbyllur garash olimpike. Ndonëse është një nga vendet më ujore të Europës, çka do të thotë se për kulturën e notit duhej të ishte ndër të parat në kontinent. Shqipëria nuk mund të ketë atletikë të janarit, sepse po ashtu ajo është e vetmja në Europë që nuk ka ndërtuar qoftë dhe një pistë atletike të shkurtër në një sallë modeste atletike.

Shqipëria madje po flet deri në mërzi për stadiumin modern të Tiranës, që do ta quaka “Arena e Kombëtares”, kur në të Kombëtarja mund të luajë më e shumta 5-6 ndeshje në vit. Dhe do të guxoka ta ndërtoka pa pistë atletike, ndonëse sportisten më të famshme sot ka një atlete, Luiza Gegën, e cila se ku ka shkuar diku jashtë Shqipërisë për t’u stërvitur. Kur e ndërtoi Stadiumin Kombëtar Vittorio Emenuele III di Savoia, e ndërtoi edhe me pistën atletike. E, një herë tjetër do t’ju tregoj dekretin e tij mbretëror për këtë ndërtim. E pat pas një gabim madje Mbreti “ynë” pushtues: ai mendoi më fort për pistën atletike sesa për shndërrimin e stadiumit në qendër tregtare në nëntribunat e tij!…

E shihni që nuk kuptohet përse në Shqipëri janari nuk është më muaj sportiv. Dhe nuk ka veprimtari të boksit në janar, të volejbollit, të basketbollit, të ngritjes së peshave, të mundjes, të qitjes, pra të sporteve që Shqipëria i ka ndër zyra e programe. Se, për sa u përket pjesëmarrjeve të saj në veprimtaritë ndërkombëtare të muajit janar që në Europë po zhvillohen pa ndalur, dihet që Shqipëria nuk mund të marrë pjesë ngaqë ajo nuk ka sportistë të këtij rangu të sporteve të muajit janar.

Tjetër punë mandej që nuk kuptohet as se si ka mundësi që të ndërpritet mbi një muaj Kampionati Kombëtar i Futbollit kur dihet, përveç të tjerave, sa i gjatë që është: plot 36 javë! Nuk prish fort punë as kjo. Për fatmadh, shqiptarët kanë Serinë A të Italisë, kanë Bundesligën e Gjermanisë, Premiership-in e Anglisë, Primera Division të Spanjës.

Të cilat në eufori transmetimesh e analizash që kësisoj, maratonomake apo kaq prolikse, nuk i gjen askund tjetër në Europë, po ia marrin mendtë sidomos shkollarëve, po japin kulturë “të vërtetë” futbolli, kuptohet në dëm të dashurisë dhe pasionit për sportin e futbollin kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Bukur, apo jo?… Dhe, papritmas, u dëgjua zëri thuajse “i fshehur” se po rifilloka Kupa e Shqipërisë. Fat i madh! Të paktën do të ndalë sporti artificial i “mercato”-s. Nëse vërtet do të ndalë… Që të mos themi se Shqipëria “nuk ka” sport, por ka “mercato”!…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"