Situata e 29-vjeçarit/Trajneri e shpërfill, Mavraj e nis në tribunë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2016 | 10:09

Situata e 29-vjeçarit/Trajneri e shpërfill, Mavraj e nis në tribunë

Vit i ri kalendarik, por asnjë e re për Mërgim Mavrajn. Në start të këtij sezoni, mbrojtë- si e kishte të pamundur të ishte në fushë me Këln apo në stolin e rezervave për shkak të operacionit në gju që kreu në qershor, por dje nuk duhet të përsëritej kjo situatë.

mavraj mergimNë përballjen me Shtutgartin, mbrojtësi i Kombëtares pritej të ishte më së paku në stol, edhe nëse nuk do të luante nga minuta e parë, por as kjo nuk ndodhi. Futbollisti i kuqezinjve e ka nisur sezonin nga tribuna.

Pak ditë më parë, ishte vetë trajneri Peter Stoger që deklaronte se Mërgim Mavraj është rikuperuar plotësisht dhe është tashmë i gatshëm për ekipin. Në të vërtetë, Këln dje e ka nisur vitin 2016 në Bundesligë me humbje në shtëpi. Shtutgart ka shënuar tri herë në portën e skuadrës së Mavrajt në takimin që ka përfunduar 1-3.

Situata

Mërgim Mavraj është rikuperuar nga dëmtimi në gju që e mbajti jashtë fushave të lojës për një periudhë të gjatë. Duke qenë në prag të Europianit, qendërmbrojtësi kërkon të ketë sa më shumë minuta në këmbë në mënyrë që jo vetëm t’i shërbejë Këlnit gjatë sezonit, por edhe të jetë i gatshëm për Kombëtaren në Francë. Gjatë kësaj periudhe merkatoje, Mynih 1860 në Bundesligën e dytë dhe Sampdoria ishin skuadrat që shprehën interes për shërbimet e mbrojtësit shqiptar. Në deklaratat e tyre, trajneri apo edhe drejtuesit e klubit gjerman u shprehën kundër largimit të mbrojtësit kuqezi, duke e cilësuar si pjesë të rëndësishme të projektit për vijimin e sezonit.

Në të vërtetë, starti i sezonit tregoi edhe një herë se Mavraj nuk ka asgjë të sigurt sa i përket të ardhmes së tij te Këln.

Rreziku

Janë ditët e fundit të merkatos së transferimeve dhe në rast se Mavraj nuk do të arrijë që të gjejë një tjetër skuadër që të mund t’i ofrojë atij garanci për minuta në muajt e ardhshëm, atëherë 29-vjeçari rrezikon shumë për Europianin. Kjo do të bënte që Kombëtarja të kishte një nga shtyllat e mbrojtjes jo me minutazhin e duhur në këmbë përpara kompeticionit dhe në këtë mënyrë kuqezinjtë do të humbnin shumë, edhe në rast se Mavraj do të merrte një ftesë nga De Biazi pavarësisht minutave të luajtura që do të ketë. Mbetet për t’u parë se çfarë zgjidhjeje do t’i japë vetë lojtari me drejtuesit e klubit.

Gazeta “Panorama Sport” tentoi të merrte një përgjigje për këtë situatë nga vetë mbrojtësi, por ishte e pamundur. Mediat italiane kanë raportuar disa ditë më parë për një interesim të Sampdorias, ndërkohë që drejtues të Këlnit janë shprehur të bindur se Mavraj do të vijojë të jetë pjesë e skuadrës deri në përfundim të sezonit.

Përgatiti: OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"