Skandali me stadiumin ‘Loro Boriçi’, mungojnë 3 milionë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2016 | 14:20

Skandali me stadiumin ‘Loro Boriçi’, mungojnë 3 milionë euro

Të gjithë në Shkodër ëndërrojnë që pas 29 marsit të shohin Kombëtaren shqiptare dhe Vllazninë duke luajtur në stadiumin e ri “Loro Boriçi”.loro 1Në fakt, ka ende dyshime nëse kjo gjë do të arrihet. Ditët e fundit u zhvillua një mbledhje në stadiumin që është në rikonstruksion dhe u diskutua për një problem madhor.

“Panorama Sport” zbulon se për të përfunduar totalisht të gjitha punimet, mungon një shumë prej afro 3 milionë eurosh që nuk dihet se kush do t’i japë.

Vlera Në total, stadiumi “Loro Boriçi” kushton 24 miliardë lekë të vjetër, kjo sipas vlerës zyrtare të regjistruar në Regjistrin e Ndihmave Shtetërore nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore për Ministrinë e Ekonomisë. Kjo shumë prej 24 miliardë lekësh të vjetër është parashikuar si bashkëfinancim mes UEFAs dhe qeverisë shqiptare.

UEFA ka dhënë 4 milionë euro që janë afro 5 miliardë lekë të vjetër. Nga ana e saj, qeveria në shtatorin e kaluar miratoi fondin prej 15 miliardë lekësh të vjetër ose rreth 10 milionë euro për stadiumin e Shkodrës. Nga shuma e dhënë deri tani nga UEFA dhe qeveria, vlera shkon në total në 20 miliardë lekë të vjetër, ndërkohë që shuma e përcaktuar është 24 miliardë lekë të vjetër. Në këtë mënyrë, për të përfunduar të gjitha punimet në stadium, do të duhen edhe 4 miliardë lekë të vjetër ose rreth 3 milionë euro.

Prapaskena Gazeta “Panorama Sport” ka zbuluar një fakt interesant. Se do të mungonin 3 milionë euro për të përmbyllur investimin e dinin të gjitha palët që në fillim, por kanë pranuar që të vijojnë në këtë mënyrë. Ajo që mbetet problem është se kur do t’i japë qeveria ose të tjerë aktorë si UEFA, FSHF apo FIFA këto para sepse në të kundërt stadiumi “Loro Boriçi” mbetet gjysmak.

Nga mbledhja e zhvilluar, vetë drejtuesit e firmës që po kryejnë punimet kanë pohuar se nuk arrin të vendoset pista e shumë pritur e tartanit për atletikën e po ashtu disa punime në tribuna dhe brenda stadiumit. Ashtu si edhe në mjediset e jashtme.

Bashkia Sipas federatës dhe vetë firmës, pas 29 marsit stadiumi nuk kryhet plotësisht, por Vllaznia mund të luajë ndeshjet e Superligës. Kjo krijon sërish një ngërç dhe Vllaznia nuk mund të luajë sepse mes Bashkisë Shkodër dhe Federatës Shqiptare të Futbollit ka një marrëveshje dypalëshe.

Sipas asaj marrëveshjeje, bashkia e merr në dorëzim stadiumin vetëm kur të përfundojnë të gjitha punimet sipas standardeve ndërkombëtare që janë të parashikuara. Marrëveshja në nenin 3 të saj përcakton se federata i dorëzon me procesverbal bashkisë objektin e përfunduar sipas procedurave ligjore ku ndër të tjera është edhe VKM 732 e shtatorit të 2015-ës me të cilën qeveria akordoi 10 milionë euro. Kur u miratua ajo VKM dihej se 3 milionë euro mungonin.

Qoftë në këtë VKM, por edhe në marrëveshjen mes FSHF dhe Bashkisë Shkodër nuk parashikohet askund se kush duhet t’i japë këto 3 milionë euro dhe se kur duhet të jepen dhe se çfarë ndodh në të kundërt. Federata fare thjesht mund t’i thotë bashkisë se në bazë të marrëveshjes duhet ta marrin në dorëzim stadiumin sepse plotësohen procedurat ligjore duke qenë se aty përfshihet VKM 732 dhe nuk cilësohet se çfarë do të bëhet me paratë që mungojnë.

Por, nuk mbaron me kaq. Në nenin 4 të marrëveshjes mes FSHF dhe Bashkisë Shkodër parashikohet se rikonstruksioni për stadiumin “Loro Boriçi” duhet të përmbushë standardet dhe kushtet teknike të miratuara nga federatat ndërkombëtare të sportit, por po ashtu federata duhet ta dorëzojë në përputhje me projektin e plotë.

Projekt në të cilin bëjnë pjesë edhe pista e tartanit apo edhe punimet e tjera që mbesin pa u përfunduar. Vakumi ligjor Mes nenit 3 dhe 4 qartë- sisht krijohet një vakum ligjor që mund të çojë edhe në konflikt bashkinë me federatën. E vetmja mënyrë për ta shmangur këtë është që të gjenden edhe 3 milionë euro të tjera qoftë nga qeveria, federata, UEFA apo FIFA si të vetmet burime financimi që parashikon marrëveshja.

Në të kundërt, bashkia nuk mund ta marrë në dorëzim stadiumin nëse kërkon të respektojë marrëveshjen dhe si rrjedhojë as Vllaznia nuk mund të luajë pas 29 marsit edhe pse stadiumi “Loro Boriçi” mund të jetë i gatshëm sa për ndeshjet e kampionatit shqiptar.

Skuadra kuqeblu nuk mund të luajë, pavarësisht dëshirës së mirë që mund të jetë mes palëve sepse nuk ka se si bashkia të menaxhojë stadiumin, të ardhurat apo pjesë të tjerë pa marrë më parë në dorëzim objektiv e përfunduar sipas projektit fillestar, gjë të cilën e parashikon edhe marrëveshja. Në këtë mënyrë, nëse nuk gjendet shuma 3 milionë euro për të përmbyllur punimet, atëherë Vllaznia do të vijojë që të luajë në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe jo në shtëpinë e saj të re.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"