Standardi i ulur i kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2015 | 16:27

Standardi i ulur i kampionatit

ylli-agaNGA YLLI AGA

Standardet e vendosura në kampionatin e kaluar duket se kanë qenë një peshë e rëndë për “këllqet” e lodhura të protagonistëve kryesorë të futbollit tonë. Ai që do të duhej të ishte një moment i ri pikënisje, për shumë arsye është kthyer në një fotografi që të ngjall shumë nostalgji. Në shumë elementë ky realitet mund të jetë i ndikuar edhe nga faktorë të jashtëm, por domosdoshmëria për të pasur vazhdimësi të dikton për të kërkuar më shumë vë- mendje, përkushtim dhe financime. Për të bërë sërish një krahasim me standardet e vitit të kaluar dhe pritshmëritë e pambajtura, do të dëshiroja të risillja në vëmendje edhe njëherë 10 kolonat mbi të cilat organizohet një kampionat futbolli.

Klubet

Një nga defektet më të mëdha të këtij kampionati dhe që ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e standardit të sezonit të kaluar është mënyra sesi janë të organizuara disa nga klubet pjesëmarrëse në këtë garë. Faktet dëshmojnë se pjesa më e madhe e klubeve nuk janë të organizuara, sipas kritereve bazë të licencimit dhe, si rrjedhojë, janë krijuar anomali të shumta. Dhe kur në këtë listë bëjnë pjesë edhe klube si Flamurtari apo Vllaznia shqetësimi bëhet edhe më i madh. Gjithashtu, mungesa e korrektesës për pagesat e futbollistëve ka pasur një ndikim të drejtpërdrejt në uljen e cilësisë dhe të imazhit të kampionatit tonë. Largimet për këtë shkak të disa futbollistëve dhe trajnerëve janë një kambanë alarmi për vazhdimësinë e garës.

Trajnerët

Një nga elementët më të spikatur të edicionit të kaluar ishte besimi i klubeve te trajnerët, ndryshimet minimale në harkun e një sezoni dhe, mbi të gjitha, respektimi i kriterit bazë për cilësitë e tyre, licenca UEFA PRO. Për fat të keq, ky element është përkeqësuar dhe kur sapo ka nisur faza e dytë, gjysma e skuadrave të Superiores e kanë zëvendë- suar zgjedhjen e tyre të parë. Ndërsa shumë më tepër shqetësuese bëhet situata kur kujton që prej javës disa nga klubet tona drejtohen nga trajnerë që nuk kanë kualifikimin e lejuar për këtë kategori. Tolerimi i bërë nga FSHF në këtë rast është një shqetësim më vete, pasi puna dhe investimi i bërë prej saj për të bërë rankimin e trajnerëve, sipas kategorive, po rezulton një blof i madh.

 Futbollistët

Në këtë pikë, kampionati në startin e tij ofronte pritshmëri edhe më të mëdha, pasi rikthimi i emrave sugjestionues si Salihi, Sukaj, Plaku, Bakaj dhe i shumë të huajve me një CV imponuese për nivelin e futbollin tonë premtonte për një nivel më të lartë në aspektin cilësor. Në shumë ndeshje pritshmëritë janë respektuar dhe klasi i futbollistë të veçantë ka pasur një ndikim të drejtpërdrejt, por në krahun tjetër edhe largimet e disa futbollistëve për shkak të pagesave, ka penalizuar cilësinë dhe imazhin e kampionatit. Infrastruktura Një nga arsyet që e penalizon më së shumti cilësinë e këtij kampionati, janë kushtet në të cilat janë luajtur një pjesë e madhe e ndeshjeve. Kuptohet që e gjitha kjo do të jetë një gjendje e përkohshme, por fakti që klube si Vllaznia, Laçi, Flamurtari dhe Bylisi, për shkak të rikonstruksionit të stadiumeve, janë detyruar të luajnë në fusha asnjan- ëse, ka pasur një ndikim të drejtpërdrejt në cilësinë e ndeshjeve dhe në imazhin e tij në sytë e publikut.

Tifozët

Për shumë arsye të përmendura edhe më lart apo edhe të tjera të ndikuara nga faktorë të jashtëm, numri i tifozëve në shkallët e stadiumeve tona është më i ulët krahasuar me një vit më parë. Mbi të gjitha ka ndikuar luajtja e ndeshjeve në fusha asnjanëse, por edhe rivaliteti jo i njëjtë me një vit më parë, apo boshatisja e disa qyteteve për shkak të emigracionit. Për këto arsye, edhe arkëtimet e klubeve nga biletat janë më të pakta.

 Dhuna

Për fat të mirë, kjo problematikë nuk ka qenë prezente në ndeshjet e këtij sezoni. Me përjashtim të ndonjë sjellje jo të përshtatshme të ndonjë futbollisti apo zyrtari, apo koreve jo të përshtatshme të një pjese prej tifozërive, gjithçka tjetër është dominuar nga fryma e “fair play”-it. Le të shpresojmë që në këtë pikë ndërgjegjësimi i protagonistëve në fushë apo në tribuna të vijojë duke u përmirësuar.

 Trukimet

Të mos ishte për ndeshjen e fundit Tërbuni-Bylisi, ky fenomen mund të konsiderohej i arkivuar. Sigurisht që një akuzë e tillë duhet vërtetuar nga organet kompetente, por gjykuar nga sjellja e futbollistëve në fushën e lojës dyshimet janë të mëdha. Në këtë pikë, ndoshta është sërish momenti që protagonistët të mund të risjellin në vëmendje se janë të survejuar në çdo moment, luajnë në sytë e të gjithë opinionit dhe ndëshkimin më të madh e marrin pikërisht prej tij.

Gjyqtarët

Gabimet e tyre janë të paevitueshme, ashtu siç një pjesë prej tyre ngrenë dyshime për vlerat apo moralin e ndonjë prej gjyqtarëve, që kanë arbitruar në takimet e këtij sezoni, por gjykuar me ftohtësi nota për ta duhet të jetë e mirë. Për shumicën e ekipeve rastet në favor apo kundër duhet të jenë në balancë, ashtu siç për disa të tjera ka më shumë favore, apo për ndonjë tjetër ka pasur më shumë ndëshkime.

Formula e kampionatit

Ky është rasti, ku formula e zgjedhur për të luajtur një kampionat mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejt në cilësinë dhe verdiktet e tij. Nëse për momentin Partizani dhe Skënderbeu janë më të favorizuar për fitimin e trofeut, llogaritë më shumë se me rivalët e tjerë do të duhet t’i bëjnë edhe mes tyre. Fakti që do të luajnë edhe tri herë të tjera, lë gjithçka të hapur dhe njëkohësisht mund të parandalojë edhe aleanca të mundshme. Gjithashtu edhe për skuadrat e tjera, të mbetura pas në renditje, shpresat janë më të mëdha, me këtë formulë, pasi do të luajnë në mënyrë të drejtpërdrejt me kryesuesit.

Media

Një rol të pazëvendë- sueshëm, në mbajtjen gjallë të atmosferës dhe interesit për kampionatin, po e luan sërish media. Transmetimi i të gjitha ndeshjeve “live”, emisionet e dedikuara, gazetat e përditshme kanë pjesën e tyre të meritës për produktin e krijuar, ashtu siç edhe për luftën ndaj fenomeneve negative. Ky kampionat nuk është ende në lartësinë e edicionit të kaluar, por rruga e gjatë që ka ende për të përshkruar mund të shërbejë si një shtysë, reflektim dhe analizë për të përmirësuar gjithçka të bërë gabim deri më tani dhe për të nisur rrugën për ngritjen e cilësisë së futbollit tonë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"