“Telenovelë” braziliane, Almeida ikën dhe vjen për 5 orë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2016 | 11:40

“Telenovelë” braziliane, Almeida ikën dhe vjen për 5 orë

Një ngjarje e çudit shme ka ndodhur te Tirana dje. Befas Hugo Almeida vendos të largohet. Dhe nuk bëhej fjalë për një kapricio, pasi lojtari zyrtarisht tërhoqi edhe lejen e kalimit, ku nënshkruante se “divorci” vinte për shkaqe familjare.

hugo almedia

Vetëm 26 ditë pas firmës me bardheblutë, braziliani dukej i prerë për t’u kthyer në Brazil. Në fakt, kjo histori kishte nisur prej 2 ditësh, por takimi i zhvilluar mëngjesin e djeshëm me presidentin Refik Halili solli zyrtarizimin e kësaj firoje të parakohshme.

Prapaskenat

Teksa ishte programuar stërvitja në stadiumin “Selman Stërmasi” në mesditë, Almeida ishte i pranishëm bashkë me menaxherin e tij, por si vizitor. Më herët ishte takuar me drejtorin e administratës Sajmir Shehri dhe kur ekipi do zbriste në fushë ai u largua me lejen e kalimit në dorë. Ngërçi erdhi prej pretendimeve financiare të sulmuesit, por në fakt klubi me një njoftim sqaroi se bëhej fjalë për motive personale.

Tifozët e irrituar nga ky largim nuk hezituan që të shpërthenin në “Facebook”, teksa rikujtonin se Tirana do të kthehej në gjendjen fillestare, pra pa një “pykë” të mirë- filltë. Por “telenovela” e brazilianit nuk kishte mbaruar, pasi duket se mungesa e një përkthyesi nga portugalishtja (pasi Hugo nuk di anglisht), kishte krijuar një handikap të madh në komunikim dhe rrjedhimisht kaos, i shoqëruar me largim.

Negociatat

Drejtuesit, duke e vlerësuar sulmuesin, lëvizën çdo gur që ta bindnin që vendimi i marrë në 11:30 të zhbëhej. Dhe kështu ndodhi, ata kërkuan një tjetër takim me Hugo Almeidën, por këtë herë pa praninë e menaxherit, por në prezencën e një përkthyesi, si edhe Marcelo Troisit, që u fut “shkesë” për të zgjidhur këtë situatë. Por, siç tha vetë klubi, “telenovela” erdhi prej menaxherit, që sipas tyre ishte shkaktari i mosmarrëveshjes. “Seanca pajtuese”, e cila u zhvillua afër orës 17:00 rezultoi efikase, pasi ata bindën lojtarin që të rikthehej, duke “grisur” kështu edhe lejen e kalimit. Për ta “joshur”, drejtuesit mësohet se i kanë dhënë edhe një rrogë në dorë (dhe, nga sa dihet, ai e ka pagën mujore afro 7 mijë euro).

Në këto kushte, ai ka zgjidhur edhe problemin familjar dhe ka vendosur që familjen e tij ta marrë në Shqipëri. Fill pas negociatave, lojtari, i shoqëruar nga shoferi i presidentit Halili, ka marrë rrugën drejt Lezhës, për t’iu bashkuar ekipit. Hugo përfundimisht u grumbullua me skuadrën dhe sot do të jetë në dispozicion të stafit teknik për ndeshjen me Laçin, ndërsa në mbrëmje klubi postoi një foto të lojtarit në hotel, ku sqaronte se gjithçka u zgjidh pasi u përjashtua nga negociatat menaxheri.

Përgatiti: ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"