Barazon Junajtid, Siti rimerr kreun (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2015 | 20:30

Barazon Junajtid, Siti rimerr kreun (Video)

Xhemi Vardi bën 11 dhe Leiçesteri vazhdon të ëndërrojë. Barazimi 1- 1 me Mançester Junajtid i premton skuadrës së Klaudio Ranierit të qëndrojë një tjetër javë në krye, por këtë herë jo e vetme, sepse bashkudhëtuese do të ketë Mançester Sitin. Tekniku italian fiton duelin me holandezin në stol, duke i dhënë një leksion edhe në ndërrime. “Djajtë e kuq” barazojnë në fund të pjesës së parë nga një goditje këndi e ekzekutuar me kokë nga Shvajni dhe kuptojnë se vetëm në luftën në ajër mund të vënë në vështirësi “dhelprat”.

Van Gal ka shfrytëzuar gjithnjë kartën “Felaini” dhe belgu mund të jetë njeriu i duhur për të thyer të zotët e shtëpisë, por trajneri i Junajtid nuk jep shenja jete në stol, duke bërë vetëm një zëvendësim (zëvendëson më në fund Runin me Depaj 68′). Në krahun tjetër, Ranieri heq pas një ore lojë japonezin Okazaki për Uloan dhe sulmuesi argjentinas ia shpërblen keq besimin, duke shpërdoruar rastin e 2-1. Në pjesën e parë zot i fushës ishte Leiçesteri, në të dytën Junajtid. Por 90 minutat i fiton Xhemi Vardi: bomberi shënoi në ndeshjen e 11- të radhazi në Premier Ligë dhe theu rekordin e Rud Van Nistelroit. Një top i zgjuar i Fuksit nga mesfusha në minutën e 24-ët, nxori jashtë loje Darmianin dhe solli shkëputjen e 28-vjeçarit, i cili me një diagonale fantastike shtangu De Gean. Është dita e tij dhe stadiumi thërret: “Ai shënon kur të dojë”. Tani ka një tjetër rekord përpara. Atë të irlandezit Xhimi Djun, i cili me fanellën e Shefilld Junajtid e gjeti rrugën e rrjetës për 12 ndeshje radhazi gjatë sezonit 1931-32. Do të ishte një tjetër ëndërr e realizuar për një futbollist, i cili vetëm 3 vite më parë luante në Konferencë.

Përfiton Siti – Pas humbjes me Juventusin në Champions, Mançester Siti rimerr veten, por dhe kreun e klasifikimit. De Brujne, Delf dhe Kolarov mjaftojnë për të hequr qafe Sauthemptonin në “Etihad” dhe iu bashkuar Leiçesterit në krye, por vendi i parë u takon atyre për shkak të golavarazhit. Pelegrini bën një hap përpara dhe një pas këto kohë: Ai mirëpriti në skuadër Silvën pas dy muajve mungesë, por humbi Agueron, i cili e la fushën duke çaluar. Por në fushë vendësit nuk patën probleme. Ata e zhbllokuan rezultatin që në minutën e 9-të pas një inkursioni të Sterling, i cili ftoi De Brujnen vetëm ta shtynte topin në rrjetë. Delf dyfishon në minutën e 20- të me një goditje të devijuar nga distanca. Goli i Long me kokë (asist i Manesë) 4 minuta pas startit të pjesës së dytë, ishte vetëm një iluzion për “shenjtorët”, sepse Kolarov do të mbyllte përgjithmonë llogaritë pas një ore lojë. Nëse Arsenali dhe Totenhemi bëjnë mirë detyrat sot, atëherë Premier Liga bëhet më e bukur se kurrë: 5 ekipe pretendojnë kurorën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"