Venger: UEFA “e dopuar”, dua 3 pikët në Zagreb

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2015 | 10:49

Venger: UEFA “e dopuar”, dua 3 pikët në Zagreb

VengerArsenali qëndron me një këmbë jas htë finaleve të Champions-it. “Topçinjtë” e Londrës renditen në vend të tretë në grup pas tri humbjeve dhe një fitoreje. Matematika i mban ende në lojë në dy ndeshjet e fundit në Grupin F. Sot, në orën 20:45, anglezët do të presin në shtëpi Dinamon e Zagrebit, ndaj të cilëve kanë një llogari të hapur pas humbjes 1-2 në Zagreb.

Por, gjatë konferencës për shtyp, trajneri Arsen Venger i ka bërë presion UEFA-s të respektojë siç duhet rregullat e dopingut. Shkak i kësaj revolte ka qenë dalja me doping e mesfushorit të Dinamos, Arijan Ademi, pas ndeshjes me Arsenalin, në muajin shtator. “Unë nuk dua të spekuloj mbi karrierën e futbollistëve, por dua t’i përmbahem rregullores së futbollit të UEFA-s. Si ka mundësi që dënohet një lojtar dhe jo klubi? Nuk jam aspak dakord me këtë vendim, pasi dënimi duhej të ishte i dyfishtë.

Fakti që një lojtar doli pozitiv në përballjen ndaj nesh, do të thotë se fitorja e tyre ishte jokorrekte. Si pasojë, trepikëshi duhet të na jepet ne në tavolinë, pasi është thyer statuti dhe rregullorja e një ndeshjeje futbolli. Me këtë veprim UEFA na ka treguar se pranon praktikat e dopingut. Të premten neve na inspektuan 10 veta nga antidopingu. Kontrollet nuk bëhen pa kriter”, kritikon menaxheri i Arsenalit, Arsen Venger.

Kualifikimi në Pire Kokelin, Arteta, Uollkot, Çembërlejn, Uellbek, Uilshir dhe Roziçki nuk do t’i vijnë në ndihmë Arsenalit të paktën për këtë duel. Menaxheri Venger nuk e bën dramë dhe shprehet optimist për fitore. Gjithashtu, ai parashikon edhe fitoren e Bajernit. “Ne nuk duhet të demoralizohemi nga mungesat. Ndaj Dinamos do të kem formacionin e duhur për ta fituar këtë sfidë. Çdo lojtar është i aftë dhe ka kualitetin për të bërë diferencën në shtëpi para tifozëve. Fitoren nuk e diskutoj. Ne e kemi vetë në dorë. Fati ynë do të përcaktohet në ndeshjen e fundit në Pire”, përfundoi Venger.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"